Fatmir Xhafaj, në një apologji të gjatë, me gjuhën dhe stilin e një revolucionari krenar, ka vendosur në piedestal atë që e quan arritjen më të madhe të këtij dhjetëvjeçari: Reformën në Drejtësi.
Kush ka durim ta lexojë deri në fund atë apologji, mund të arrijë në një përfundim të vetëm me humor: e mira më e dukshme e kësaj reforme është se e bën Fatmir Xhafajn të flasë një herë në dhjetë vjet.
Por, në të vërtetë, nuk e kam me Fatmirin. As me rolin e tij. Këtë që dua të them e kam thënë prej kohësh: ajo që ndodhi para dhjetë vitesh nuk ishte reformë. Ishte revolucion.
Sepse reformat lindin nga bindja. Revolucionet imponohen me forcë.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 nuk ishin produkt i një konsensusi politik të natyrshëm. Nuk ishin rezultat i negociatave të mirëfillta midis palëve. Ato u votuan nën një presion të paprecedentë, ku deputetët nuk patën as kohën e mjaftueshme për të lexuar tekstin që miratuan. Instrumenti kryesor nuk ishte argumenti, por shantazhi politik dhe diplomatik. Partitë nuk prodhuan vendimmarrje; ato administruan nënshtrimin.
Nga mënyra si u miratuan, ato ndryshime mbeten një nga episodet më të trishta të historisë kushtetuese shqiptare. Nuk ka asgjë për t’u krenuar kur themeli i rendit kushtetues ndërtohet mbi imponimin. Kush është krenar për atë mënyrë, rrezikon të krenohet me vetë turpin.
Nga ai proces lindi një Kushtetutë që humbi dinjitetin e saj si ligj themeltar.
Për herë të parë, në tekstin kushtetues hynë terma si “korrupsioni” dhe “krimi”, sikur Kushtetuta të ishte raport policie dhe jo akti që përcakton arkitekturën e shtetit. Në të njëjtën kohë, ajo institucionalizoi edhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, një mekanizëm të përkohshëm të ngritur nga partnerët ndërkombëtarë, duke i dhënë status kushtetues një strukture që nuk buron nga sovraniteti popullor.
Paradoksi është i madh. Në Kushtetutë nuk përmendet NATO-ja, ku Shqipëria ka vendosur të ndajë sovranitetin e saj ushtarak. Nuk përmendet Këshilli i Europës, pjesë e të cilit jemi prej dekadash. Por gjen vend një mekanizëm monitorimi i krijuar për një fazë tranzitore.
Ky nuk është vetëm problem juridik. Është problem i filozofisë së shtetit.
Po aq revolucionare ishte edhe krijimi i një drejtësie të posaçme si element i përhershëm i rendit kushtetues. Edhe Gjykata e Nurembergut, e ndërtuar për të gjykuar krimet më monstruoze në historinë e njerëzimit, ishte një gjykatë e jashtëzakonshme dhe e përkohshme.
Ne bëmë të kundërtën.
Krijuam me Kushtetutë një sistem të posaçëm të përhershëm, duke pranuar se një kategori qytetarësh do të gjykohej gjithmonë nga një juridiksion i veçantë. Në vend që përjashtimi të mbetej përjashtim, ai u shndërrua në normë.
Qenka e thënë kështu se shqiptarët janë “të posaçëm”. Posi!
Thuhej se reforma do të forconte ndarjen e pushteteve.
Në fakt, ajo prodhoi copëtimin e shtetit.
Parlamenti, që duhej të ishte qendra e sovranitetit popullor, humbi edhe ato instrumente kontrolli që kishte. Qeveria vazhdoi të zgjerojë pushtetin e saj ekzekutiv. Ndërsa sistemi i drejtësisë filloi ta perceptojë veten si pushtet mbi pushtetet.
Nga një shtet unitar me pushtete të ndara e të balancuara, kaluam në një mozaik institucionesh autonome, ku secila ndërton kompetencën, buxhetin dhe autoritetin e vet pothuajse pa ndërveprim institucional.
Republika e SPAK-ut. Republika e GJKKO-së. Republika e KLGJ-së. Republika e KLP-së. Republika e Gjykatës së Lartë. Republika e Gjykatës Kushtetuese. Të gjitha të pavarura. Madje, nganjëherë, edhe nga vetë ligji.
Revolucioni nuk ndryshoi vetëm institucionet. Ai ndryshoi edhe njerëzit.
Vetting-u nuk ishte thjesht një mekanizëm verifikimi. Ai u shndërrua në një revolucion personeli.
Një shtet serioz nuk e trajton trupën e vet të gjyqtarëve si armik publik. Nuk e poshtëron kolektivisht para opinionit. Nuk krijon bindjen se e keqja më e madhe e vendit paskëshin qenë pikërisht ata që kishin dhënë drejtësi për dekada.
Sigurisht që kishte korrupsion. Sigurisht që duheshin masa.
Por shtetet nuk ndërtohen duke djegur elitat profesionale. Përvoja nuk është luks. Është kusht i drejtësisë.
Sot e paguajmë këtë çmim me mungesën e eksperiencës, me procese që zgjasin pafund, me standarde të paqëndrueshme dhe me një proces të rregullt ligjor që, shpesh, mbetet më shumë teori sesa realitet.
Po, është e vërtetë se reforma u shndërrua në një nga kushtet kyçe të procesit të integrimit europian.
Por kjo nuk do të thotë se çdo gjë që u bë ishte domosdoshmërisht e drejtë.
Ajo pasaportë duket si ato pasaportat e fituara me dokumente false ose me martesa fiktive. Me to mund të kalosh kufirin. Por ato nuk të japin identitet.
Edhe kjo reformë mund të ketë ndihmuar në hapjen e një dere europiane.Por nuk përbën domosdoshmërisht identitetin kushtetues që duhet të ketë një shtet europian.
Edhe marrëdhënia me të ashtuquajturit “partnerë strategjikë” meriton një reflektim më të qetë.
Partneriteti nënkupton barazi.
Kur njëra palë imponon dhe pala tjetër vetëm zbaton, raporti nuk është më partneritet.
Perëndimi ka të drejtën të kërkojë standarde. Por askush në Perëndim nuk do të pranonte për veten mekanizma të tillë imponues, me këtë nivel ndërhyrjeje në arkitekturën kushtetuese, për llogari të një vendi tjetër.
Ne e pranuam.
Jo sepse ishim partnerë të barabartë, por sepse pranuam të silleshim si vasalë.
Kam shumë më tepër argumente për të renditur.
Por edhe kaq mjafton për të shpjeguar pse vazhdoj të besoj se ajo që ndodhi para dhjetë vitesh nuk ishte reformë.
Ishte një revolucion institucional.
Dhe revolucionet, ndryshe nga reformat, nuk ndërtojnë mbi institucionet ekzistuese; ato i shembin për të ngritur të reja sipas logjikës së fitimtarit. Prandaj sjellin imponim, jo bindje. Frikë, jo besim. Përjashtim, jo normalitet.
Dhuna është mjeti klasik i revolucionit.
Reforma, përkundrazi, jeton nga konsensusi.
Nëse Shqipëria është ende anëtare e denjë e Këshillit të Europës dhe pretendon të ndërtojë një shtet të së drejtës sipas standardeve europiane, atëherë dhjetëvjetori i këtyre ndryshimeve duhet të jetë momenti për një bilanc serioz. Për një analizë pa dogma. Për të korrigjuar atë që nuk funksionon.
Jo për të recituar himne revolucionare.
Sepse shtetet e forta nuk ndërtohen duke adhuruar revolucionet.
Ato ndërtohen duke korrigjuar me guxim reformat.
Te lumte z. Manjani,shkrim i shkelqyer,nuk i shtoj e i heq asnje presje cka ke shkruar. Vleresim.