10 vjet Reforma në Drejtësi: Pasaporta europiane e Shqipërisë
*
Ka përvjetorë që kërkojnë madhështi dhe ka përvjetorë që bëjnë bilanc. Dhjetëvjetori i miratimit të Reformës në Drejtësi, bën pjesë tek të dytët. Dhjetë vjet nuk janë shumë për një transformim themelor të shtetit, por nuk janë as pak për një bilanc llogaridhënie. Reforma në Drejtësi ishte dhe mbetet projekti më i guximshëm, më largpamës dhe më i suksesshëm që ka ndërmarrë shoqëria shqiptare në historinë e saj demokratike. Ajo nuk është një kapitull i zakonshëm legjislativ, është një kontratë e re shoqërore, një akt shtetformues.
Kjo reformë nuk lindi në vitin 2016 dhe nuk është produkt spontan i një momenti politik. Ajo kaloi përmes një shtrati të gjatë përgatitjeje, që nga Komisioni i Reformës Ligjore i vitit 2004 dhe Dokumenti i Partneritetit i 2005-ës, tek Pakti Kombëtar për Drejtësinë i 2010-ës dhe programi elektoral i PS në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, që e parashikonte Reformën në Drejtësi, si domosdoshmëri kombëtare, e deri te momenti i historik i 21-22 korrikut 2016, kur paketa kushtetuese u miratua me votat e 140 deputetëve, në një çast të vetëm konsensusi kombëtar, me duartrokitje, me emocion dhe, pse jo, edhe me një garë politike se kush do të merrte meritat e atij akti historik. Në kuadër të një botimi që po përgatis, kam hasur dokumente të tilla që vërtetojnë pa asnjë ekuivok se reforma në drejtësi mbetet në themel një projekt i vizionit, guximit dhe vullnetit të shqiptarëve duke ecur përmes një rrugëtimi të gjatë e të vështirë, mes mbështetjes, keqkuptimeve dhe pengesave të shumta, proces ku padyshim Partia Socialiste ka një rol të veçantë historik në ideimin, hartimin dhe mbështetjen ndaj saj. E ndërtuar me konsensus kushtetues, e kontrolluar tre herë nga Komisioni i Venecias, e monitoruar nga partnerët strategjikë, kjo reformë është procesi më i thellë, më gjithëpërfshirës dhe më transparent që ka njohur ndonjëherë shteti shqiptar. Reforma në Drejtësi nuk është eksperiment, është zgjidhja jonë kombëtare për ta kthyer drejtësinë në themel të republikës.
Disa ditë pas miratimit të Reformës në Drejtësi, në ceremoninë e kësaj reforme, si Kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, u shpreha se: "Reforma vazhdon. Kemi rrugë për të bërë për të fituar besimin e publikut… kryesorja, që rezultatet e kësaj reforme të jenë të prekshme. Gjithsesi, unë kam bindjen e plotë se jemi në rrugën e duhur." Sot, gati një dekadë më pas, atë bindje mund ta them me siguri fakti: kemi bërë gjënë e duhur dhe jemi në rrugën e duhur.
Qysh në nisje të këtij proces ne kemi qënë të vetdijshëm se Reforma në drejtësi nuk do të ishte një proces i lehtë dhe i shpejtë. E për koherencë qëndrimesh mjafton t’i rikthehem fjalës sime në datën 28 korrik 2016, rreth 10 vjet më parë, ku kam thënë se: “Që në fillim të këtij procesi kam thënë shpesh se reforma do të jete e dhimbshme në disa aspekte, do të prodhojë rezistencë të fortë pasi do të heq apo largojë pushtete individësh dhe do të synojë ta pastrojë sistemin e drejtësisë, e jo vetëm atë, nga njerëzit e korruptuar. Shpresoj të jetë e afërt shumë kjo ditë. Si e vetmja shpresë që reforma të ketë një fitues, qytetarin shqiptar, si e vetmja mundësi që të garantojmë drejtësinë në shërbim të qytetarëve, barazin e të gjithëve para ligjit. Ka ardhur koha për ta bërë drejtësinë një realitet për të gjithë”.
* *
Sot dëgjojmë shpesh kritika, dyshime, madje edhe etiketime ndaj reformës si "e dështuar". Por pyetja që ua kthej të gjithëve është e thjeshtë: A mund të quhet dështim një reformë që ka ndryshuar rrënjësisht funksionimin e shtetit të së drejtës? Le t'i marrim faktet një e nga një.
A mund të quhet dështim një reformë që ka sjell një ndarje të pastër të pushteteve si kusht bazë për mirëqeverisjen, demokracinë dhe shtetin e së drejtës? Për herë të parë në historinë tonë kushtetuese, pushteti gjyqësor u konceptua si pushtet realisht i pavarur dhe i vetëqeverisur, duke kaluar nga një varësi e qartë politike në vetëqeverisje të garantuar institucionalisht, një model modern europian i kontrollit dhe balancës. Siç do të shkruante Montesquieu: "Nuk ka liri nëse fuqia e gjykimit nuk ndahet nga pushtetet e tjera." Kjo liri sot është normë kushtetuese e provuar në praktikë.
A mund të quhet dështim thyerja e pandëshkueshmërisë? Prokuroria e Posaçme, Gjykatat e Posaçme, dhe BKH-ja çmontuan atë që për një shekull shtet shqiptar kishte qenë rregull i pashkruar, se pushteti nuk gjykohet dhe se njerëzit të veshur me pushtet dhe ata të fortë janë të paprekshëm. Ndërhyrja ndaj korrupsionit të lartë nuk është më tabu politike është praktikë institucionale. Dhe qytetarët e kanë ndier dhe e kanë pranuar suksesin e reformës në këtë aspekt. Sipas Eurobarometrit 2026, 44% e shqiptarëve besojnë se ndjekjet penale janë mjaftueshëm të suksesshme sa të frenojnë korrupsionin mbi mesataren e vetë BE-së prej 38%, ndërsa 52% besojnë se zyrtarët e lartë të kapur ndëshkohen siç duhet, kundrejt 31% që është mesatarja evropiane. Në besimin ndaj ndëshkimit të të fuqishmëve, Shqipëria sot qëndron mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Ky është ndryshim i madh, i heshtur i kësaj reforme.
A mund të quhet dështim vettingu? Procesi i vettingut i "bekuar" nga Komisioni i Venecias, i realizuar nën monitorimin e ONM-së përfundoi plotësisht këtë vit. Pavarësisht se procesi i vettingut zgjati për një periudhë 9-vjeçare me shumë sesa ishte planifikuar. Më shumë se gjysma e sistemit nuk e justifikoi dot veten para testit të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit, shifër që u përgjigjet vetë të gjithë atyre që pyesin nëse reforma "ia vlejti". Ky proces që u anatemua qysh në miratim, u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas disa herë në Venecia e në Strasburg doli i certifikuar dhe i vlerësuar ndërkombëtarisht.
A mund të quhet dështim dinjiteti i rikthyer i magjistratit? Reforma përmbysi filozofinë e pagave të sistemit, duke i bërë gjyqtarët dhe prokurorët tanë ndër më të paguarit në rajon dhe të krahasueshëm me kolegët evropianë, jo si privilegj, por si parakusht pavarësie dhe ndërtoi një skemë karriere të mbështetur mbi meritën, jo mbi bindjen hierarkike apo pëlqimin dhe vendimmarrjen politike. Në kushtet ekonomike të vendit, kjo nuk ishte sakrificë e vogël, ishte investimi te paanshmëria e sistemit të drejtësisë të tij.
Dhe a mund të quhet dështim besimi që po rikthehet? Perceptimi i pavarësisë së gjyqësorit është rritur në 50% te publiku dhe ka shënuar një rritje te komuniteti i biznesit: nga 40% në 2025 në 69% në 2026. Gjykata e Lartë, që dikur mbante peng mbi 30 mijë çështje, kjo para Reformës në Drejtësi, i ka përgjysmuar ato. Norma e përfundimit të çështjeve (clearence rate) sipas Raportit të Sundimit të Ligjit për Shqipërinë 2026, në shkallën e parë ka kaluar 100 për qind. Këto nuk janë deklarime, janë të dhëna zyrtare nga CEPEJ (Raporti 2025) dhe të njohura nga Komisioni Evropian.
Dhe mbi të gjitha, a mund të quhet dështim Reforma në Drejtësi, që i dha Shqipërisë hapjen e negociatave me BE-në? Në këtë 10 vjetor të Reformës duhet thënë pa mëdyshje një e vërtetë themelore se pa këtë reformë, sot nuk do të kishte integrim. Reforma në drejtësi ishte drita jeshile e vendimit për hapjen e negociatave me BE-në dhe mbetet udhëheqësja e të gjitha reformave në kapitullin kyç të shtetit të së drejtës. Nuk është rastësi që Komisioni Evropian, në çdo raport vjetor, e ka theksuar qartë: "Reforma në drejtësi është transformimi më i thellë institucional në Shqipëri dhe kushti kyç për përparimin e procesit të integrimit europian." Sepse integrimi evropian nuk është thjesht gjeografi, është shtet i së drejtës. Imagjinojeni për një çast sikur të mos e kishim bërë këtë reformë, nuk do të arrinim dot të hapnim asnjë negociatë me Bashkimin Evropian, sepse shteti i së drejtës është vetë themeli mbi të cilin është ngritur dhe funksionon BE-ja. Dhe shteti i së drejtës fillon me reformën në drejtësi, e prandaj Reforma në Drejtësi nuk është një kapitull i procesit të integrimit por tërësisht thelbi i tij.
Të gjitha këto sa më sipër dhe shumë aspekte të tjera dëshmojnë fort suksesin e këtij projekti kushtetues. Dhe kur dikush hedh baltë mbi projektin që vetë e votoi konsensualisht, pyetja është e thjeshtë, kundër kujt është në të vërtetë, kundër reformës, kundër Kushtetutës, apo kundër zbatimit të saj që prek interesa të vjetra dhe të reja? Reforma nuk ka kthim pas dhe këtë nuk e thotë vetëm mazhoranca, e thotë Bashkimi Evropian, e thonë partnerët, dhe mbi të gjitha e thotë shumica dërrmuese e qytetarëve. Reforma në Drejtësi po ecën, mbase jo me ritmin e cilësinë që duam në të gjitha aspektet e saj, por e sigurtë në drejtimin që duhet.
* * *
Të flasësh për reformën duke përmendur vetëm arritjet do të thotë të shmangësh realitetin. Askush nuk ka menduar se ky do të ishte një proces i lehtë, i shpejtë apo pa kosto, dhe nuk ishte. Por, paradoksalisht, pjesa më e vështirë nuk ishte fillimi, është tani, sepse pritshmëritë janë rritur, dhe me të drejtë dhe nëse më herët edhe gabime që bënin institucionet e sapo krijuara mund të faleshin, sot nuk mundet më. Dhe ajo që është vërtet problematike sot nuk janë më themelet e reformës apo mbrojtja për të mos e kthyer mbrapsht pasi janë të superuara tashmë. Por sfida të reja janë përpara për sistemin e drejtësisë, si llogaridhënia, përgjegjshmëria, standardet e cilësisë së hetimit dhe të gjykimit, integriteti si qëndrueshmëri e përhershme dhe jo si certifikatë e njëhershme, profesionalizmi i gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe i vetë anëtarëve të organeve të qeverisjes së sistemit, etj. Tashmë jemi në një fazë tjetër, në fazën e konsolidimit të institucioneve, e cila nuk matet me renditje aktivitetesh nëpër raporte, por me impaktin real që institucionet i sjellin shoqërisë dhe qytetarëve shqiptarë, me shpejtësinë dhe cilësinë e dhënies së drejtësisë .
Sfida e parë është llogaridhënia sepse pavarësia pa llogaridhënie është po aq e rrezikshme sa ndikimi politik. Pavarësia është shtyllë e demokracisë, por ajo nuk është bunker dhe nuk është llogore e institucioneve të pavarura. Siç thoshte James Madison: "Nëse njerëzit do të ishin engjëj, nuk do të na duhej as qeveria dhe as kontrolli mbi pushtetin". Kalimi i vettingut dhe pavarësia e garantuar me Kushtetutë nuk mund të jenë kurrsesi koraca imuniteti apo mburoja justifikimi përballë detyrimit kushtetues për përgjegjshmëri e llogaridhënie, për vendimmarrje të bazuara vetëm në ligj e në prova dhe për transparencë të institucioneve që qeverisin sistemin. Duhet pranuar se pavarësia shpesh është keqkuptuar si pavarësi pa përgjegjësi, si privilegj profesional dhe se disa aktorë brenda sistemit e kanë parë reformën si kërcënim, jo si mundësi. Nëse arritëm të kapërcenim sfidën e ndarjes njëherë e mirë nga politika të sistemit të drejtësisë, llogaridhënia do të ndihmojë në kapërcimin e sfidës për arritjen e pavarësisë reale nga vetë aktorët e sistemit të drejtësisë. Nëse pushteti politik sot s’ka asnjë ndikim të drejtpërdrejtë, atëherë duhet që edhe sistemi i drejtësisë të ruhet nga influenca dhe ndikimi i disa prej aktorëve të vetë sistemit të drejtësisë, për të mos rikthyer koorporatën si çmim të pavarësisë së pushtetit të drejtësisë.
Sfida e dytë është eficienca, plaga që e ndien çdo qytetar. Kohëzgjatja e hetimeve dhe gjykimeve mbetet e lartë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, biznesi dhe ekonomia. Vakancat janë shkak i fortë. Sot janë efektivisht në detyrë vetëm 73% e gjyqtarëve dhe 71% e prokurorëve, ndërsa në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm shërbejnë 40 nga 78 gjyqtarë, por gjithsesi vakancat nuk janë shkaku i vetëm.
Brenda kësaj sfide padyshim një sfidë më vete dhe tejet emergjente mbetet backlog-u, mali i çështjeve të grumbulluara që rëndon mbi gjykatat dhe mbi durimin e qytetarëve. Ndërsa Gjykata e Lartë dëshmoi se ky mal mund të ulet duke e përgjysmuar stokun e saj, problematik mbetet apeli, ku norma e përfundimit të çështjeve lëkundet mes 42 dhe 77% dhe ku çështjet civile e administrative presin me vite për një vendim. Backlog-u nuk është statistikë, është drejtësi e vonuar, dhe drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Harta gjyqësore e cila nuk u arrit të mendohej me synimin strategjik, u bë më shumë si një mekanizëm për të bërë disa favore klienteliste veçanërisht në nivel Apeli, pa menduar për pasojat, të cilat sot i paguajnë qytetarët. Mjafton të kujtojmë se krijuam një Apel të vetëm të përgjithshëm, por me një papërgjeshmëri ekstreme ndaj mjediseve të munguara të godinës ku është e pamundur të akomodohen edhe fizikisht me zyra gjyqtarët e stafi mbështetës, pa folur për mungesën serioze të sallave të gjykimit!! Gati e njëjta situatë është edhe për Apelin Administrativ!! Masat e marra më pas janë të nevojshme, por reaktive, në një kohë që KLGj, KLP e PP bashkë me Qeverinë do të duhej të kishin prej kohësh një “Masterplan për infrastrukturën e gjyqësorit dhe prokurorisë” gjë që s’ka pse të lidhet kurrsesi me gjetjen e truallit fizik apo mundësitë financiare. Godinat e drejtësisë nuk janë luks që mund të bëhet edhe pa to, janë domosdoshmëri për eficencën e sistemit.
Digjitalizimi i vonuar në sistemin e drejtësisë është një tjetër paradoks me atë çfarë ndodh në zhvillimin e shpejtë të digjitalizimit në të gjitha fushat e tjera. Sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve ende i papërfunduar pas vitesh premtimesh, aksesi i pabarabartë në drejtësi dhe ndërmjetësimi thuajse i papërdorur janë po aq pjesë e problemit lidhur me eficencën e sistemit sot. E në vlerësimin tim problemet kryesore, nuk vijnë sepse reforma "u shkrua keq", por shkaqet kyçe vijojnë të mbeten tek zbatimi në këto vite tranzicioni ku ka pjesën e vet Qeveria dhe Kuvendi, por veçanërisht institucionet e reja të drejtësisë, dy Këshillat dhe ILD, por jo vetëm ato.
Sfida e tretë janë standardet në hetim dhe gjykim. Koha ka falur shumë gjëra në këtë proces të gjatë, por koha nuk duhet kurrsesi të falë standardet. Mangësitë në unifikimin e praktikës hetimore e gjyqësore, pabarazitë e trajtimit, cilësia e arsyetimit të vendimeve dhe garantimi i lirive e të drejtave të qytetarëve sidomos në proceset penale, këto nuk janë çështje teknike, janë vetë thelbi i besimit publik. Dhe për këtë arsye kjo është një sfidë që duhet menduar me seriozitet pasi llogjika ta do në këtë rast se mbrojtja më e mirë e reformës nuk është heshtja ndaj gabimeve të saj, por vetëkorrigjimi në praktikë i saj. Në kohët kur drejtësia është parë edhe me sytë e populizmit në vendet e Europës duke e kthyer nga drejtësi e ligjit në drejtësi popullore, vlejnë si paralajmërim fjalët e Presidentit italian Sergio Mattarella, jurist dhe ish-gjyqtar kushtetues: "Magjistratëve u është besuar mbrojtja e të drejtave dhe garancia e drejtësisë që lidhet me to; pa këto, shteti demokratik, i themeluar mbi barazinë dhe dinjitetin e barabartë të njerëzve, do të cenohej rëndë."
Sfida e katërt lidhet me integritetin e njerëzve që shërbejnë në sistemin e drejtësisë dhe vecanërisht të gjyqtarëve e prokurorëve. Është jetike që standardi i integritetit të kthehet nga proces i jashtëzakonshëm në normalitet të përhershëm. Vettingu nuk ishte qëllim në vetvete, ishte një mjet i jashtëzakonshëm për një situatë të jashtëzakonshme në të cilën ndodhej sistemi i drejtësisë që kurrsesi nuk duhet lejuar të rikthehet. Ai nuk duhet konsideruar fundi i vlerësimit të magjistratëve, por fillimi i një procesi të përhershëm, ku baza e të dhënave dhe metodika e tij shërbejnë si standard për vlerësimin në vazhdimësi. Barra e provës tashmë u ka kaluar institucioneve të kontrollit të drejtësisë, ato duhet të prodhojnë epokën e re të normalitetit, ku integriteti është pjesë e zakonshme e karrierës së magjistratit, pa pasur më kurrë nevojë për procese rrënjësore filtrimi.
Sfida e pestë është kriza e lidershipit institucional. Sistemi ka domodoshmëri për lidership dhe kurajo në qeverisjen e tij. Sot kemi gjyqtarë dhe prokurorë me integritet të lartë, por kemi vakanca serioze dhe brishtësi në pozicionet drejtuese. Problemi nuk është thjesht te numrat është te cilësia e drejtimit. Institucione që funksionojnë me drejtues të përkohshëm, me mungesë vizioni strategjik, organe kolegjiale që herë-herë janë kthyer jo në modele bashkëpunimi, por në arenë protagonizmi personal dhe përplasjesh interesash; drejtues të cilëve u ka munguar forca reaguese, aftësia menaxhuese dhe duhet thënë kurajoja për të marrë vendime të drejta dhe për të mos prishur interesa personale. Raporti i sundimit të ligjit për Shqipërinë 2026, e konfirmon me shifra atë që e shohim; vlerësimet e magjistratëve vonohen, transferimet përdoren në vend të ngritjeve në detyrë me meritë, vonesat në plotësimin e vakancave, masat disiplinore zbatohen në mënyrë të panjëtrajtshme. Nëse duhet që menaxhimi dhe qeverisja e sistemit të drejtësisë të mos i mbetet rastësisë, duhet të drejtohet nga organe që kanë vizion dhe parashikojnë politikat jo vetëm për të adresuar problematikat korrente, por edhe për të parandaluar çfarë mund të sjellin në vijim ato. Këshillat, Inspektori, Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesit e gjykatave e prokurorive duhet të kalojnë nga administrimi te qeverisja, që do të thotë vendimmarrje në kohë, vizion reformues, kontroll i brendshëm funksional. Ndaj dhe kemi rekomanduar hartimin e treguesve kyç të performancës si domodoshmëri për të mundësuar një proces raportimi, vlerësimi e monitorimi eficent, llogaridhënës e transparent, bazuar në kufijtë kushtetues e ligjorë përkatës.
Sfida e gjashtë dhe në gjykimin tim një ndër sfidat kryesore, mbetet mentaliteti, kultura ligjore. Reforma nuk është vetëm proces juridik dhe institucional, por është një proces kulturor shtetformues. Dhe kulturat nuk ndryshojnë me votim parlamentar, kërkojnë kohë, edukim institucional dhe një kulturë llogaridhënieje që tek ne është ende e brishtë. Për shkak të këtij mentaliteti dhe të mungesës së kulturës, në proces po krijohen edhe kosto artificiale, kosto që në fund i paguan qytetari me kohë, me para dhe me besim. Nuk mund të ketë drejtësi të re me mentalitet të vjetër. Ndryshimi kulturor në mënyrën e të menduarit, qasjes dhe kulturës së shërbimit parasëgjithash nga vet njerëzit që shërbejnë në sistem, është sfida më e vështirë e këtij procesi.I sëmuri ishte midis nesh dhe askush nuk kujtohej për të dhe po t’i referohemi koncepteve bazike të shtetit të së drejtës si procesi i rregullt ligjor, prezumimi i pafajsisë, barazia e palëve në proces apo pandëshkueshmërisë në gati 30 vjet, ato ishin tërësisht pak të përdorura nga politika. Tani që reforma e preku vetë politikën, të gjithë u kujtuan papritur "për të sëmurin", por ky kujdes i vonuar, sado ironik, dëshmon se reforma e bëri më në fund drejtësinë çështje të të gjithëve. Edhe kjo është një arritje jo e vogël. Gjithsesi ajo që ka rëndësi është fakti se sistemi ka nevojë më shumë se kurrë, për debat të brendshëm konstruktiv, për mendim doktrinar, për kritikë dhe oponencë profesionale. E këtu padyshim ka vend për një vlerësim shumë më të thellë e kritik edhe lidhur me rolin e Shkollës së Magjistraturës, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe sidomos të cilësisë së jursitëve të rinj që dalin nga fakultetet e drejtësisë, hallka këto që ende mbeten problematike në zinxhirin e sistemit kompleks të drejtësisë dhe kryesorja me ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e klimës dhe kulturës së shëndetshme juridike.
* * * *
Dhjetë vjet s’janë shumë, por nuk janë as pak. Dhjetë vjet janë kohë e mjaftueshme për një bilanc realist, larg propagandës dhe larg dëshirës për të kundërshtuar çdo gjë. Nuk ka ligj të përjetshëm dhe as reformë të përkryer, ka vetëm reforma që forcohen me vullnet politik dhe partneritet institucional. Vetë Komisioni i Venecias është shprehur se: "Kushtetutat dhe reformat institucionale duhen rishikuar periodikisht për të garantuar funksionalitet dhe ekuilibër demokratik." Prandaj detyra e dekadës së dytë për reformën në drejtësi duhet t’i përkushtohet konsolidimit të saj, e matur me rezultate të prekshme tek qytetarët në adresimin e sfidave si ato më sipër.
Kjo kërkon ndër të tjera një analizë të thelluar dhe të përbashkët të zbatimit dhjetëvjeçar e cila është e domosdoshme dhe madje e vonuar. Sot që flasim nuk ka një analizë të konsoliduar me të gjitha problematikat e sistemit, arritjet dhe çfarë do të duhet të shohim nesër. Tentativa që u bë me komisionin e posaçëm dy vjet më parë, e menduar si instrument analize dhe përmirësimi, në të shumtën e rasteve në mënyrë genuine nuk u kuptua ose u keqkuptua, nga disa brenda nesh dhe nga vet sistemi. Ishte një proces që u paragjykua dhe u keqpërdor nga njerëz të opozitës për llogari politike, por edhe nga disa aktorë brenda mazhorancës për interesa të vogla. Ashtu si dhe për fat të keq u keqkuptua e nuk u mbështet nga disa drejtues të institucioneve të vetë sistemit, të cilëve u mungoi vizioni strategjik për ta parë si një shans për përmirësimin e saj apo edhe si një mundësi për t’ju dhënë zgjidhje edhe vetë problemeve të ngritura prej tyre. Gjithsesi vazhdoj të besoj se mbetet i domosdoshëm një proces gjithëpërfshirës, transparent, profesional dhe i bazuar në të dhëna reale, që tregon ku qëndrojnë problemet e vërteta, pse ndodhin dhe si përmirësohen. Këtë proces duhet ta bëjmë bashkë me gjyqtarët, prokurorët, avokatët, akademinë, shoqërinë civile dhe sigurisht edhe me asistencën dhe certifikimin e partnerëve ndërkombëtarë.
Një tjetër gjë po aq e rëndësishme që derivon dhe nga mungesa e analizës, janë ndryshimet e shpeshta ligjore të paketës së Reformës në Drejtësi, arnimet mbi arnimet pa kuptuar dhe vetë se çfarë ndryshojmë, të cilat nuk japin zgjidhje, përkundrazi, e fshehin problemin dhe dëshmojnë të njëjtën mungesë vizioni. Ashtu siç është postulati i famshëm se “Reformat e mëdha nuk vdesin nga armiqtë e tyre, por vdesin nga paaftësia e miqve për t'i lexuar në kohë”, ne kemi për detyrë që kjo reformë të lexohet dhe kuptohet drejt në kohë. Që të mos ndodhi si me ndryshimet ligjore për pagat e magjistratëve, dispozitë e cila ka ndryshuar 5 herë dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese 2 herë, por si Parlamenti ashtu edhe Qeveria nuk arritën dot që në kohën e duhur të bënim ndryshimet brenda standarteve kushtetuese dhe në përputhje me formulën e pagave dhe përfitimeve të tjera financiare edhe përmes një procesi të hapur konsultues me vet aktorët e sistemit. Apo që të mos ndodhi që në dy mandate shkruhet në programin qeverisës nevoja për ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale (gjë që ndryshe nga sa thuhet nuk ishte pjesë e reformës në drejtësi) dhe nuk bëhet asnjë hap serioz në këtë aspekt kaq të rëndësishëm për hetimin e gjykimin sot dhe nga burojnë pjesa kryesore e problematikave që lidhen me cilësinë, me procesin e rregullt ligjor dhe standartet europiane në hetim e gjykim, në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut mbështetur edhe në vendimet e GJEDNJ, por dhe ato të Gjykatës sonë Kushtetuese e Gjykatës së lartë në këtë fushë.
Mbetet prioritet një mbikëqyrje parlamentare e re e vazhdueshme, aktive dhe analitike, jo formale dhe statistikore. Raportet e institucioneve nuk mund të jenë përmbledhje numrash, duhet të pasqyrojnë problemet reale të dhënies së drejtësisë dhe analizën e tyre. Struktura e monitorimit duhet reformuar si mekanizëm i qëndrueshëm parlamentar që ndjek nga afër ecurinë, evidenton problematikat dhe propozon ndërhyrjet. Dhe krahas raporteve të BE-së që sa vijnë e rrezikojnë të bëhen më pak analitike për situatat konkrete të vendit, duhet një qasje proaktive me aktorët vendas. Mbikëqyrja aktive parlamentare, brenda kufijve kushtetues, nuk është rrezik për pavarësinë e drejtësisë përkundrazi, është garancia më e mirë për mbrojtjen e saj dhe mekanizmi më efikas i llogaridhënies së pushteteve përballë njëri-tjetrit dhe nën vlerësimin e publikut.
Kuvendi dhe qeveria, përmes Ministrisë së Drejtësisë, duhet të marrin rolin e munguar që u takon në këtë proces, rol i cili ka qenë i zbehtë, i pambështetur në një frymë të qëndrueshme dialogu dhe bashkëpunimi konstruktiv dhe sigurisht gjithmonë në respekt të kufijve të garancive kushtetuese për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve.
Reforma nuk është pronë e mazhorancës, e opozitës apo e një grupi ekspertësh. Drejtësia është çështje kombëtare dhe për të ka një përgjegjësi kushtetuese dhe politike të përbashkët. Reforma nuk mund të ecë me autopilot, por i duhet vizion dhe kulturë përgjegjësie, dialog e bashkëpunim institucional në respekt të pavarësisë, dhe në shërbim të detyrimit të përbashkët, që është rikthimi i besimit të qytetarëve te një drejtësi e drejtë, e pavarur dhe eficiente.
Sa për mua, një fjalë personale në këtë 10 vjetor. Sa herë flas për këtë reformë, ndiej një përgjegjësi dhe emocion ndryshe sepse ky projekt ka marrë pjesën kryesore të jetës sime si njeri, si politikan dhe si ligjvënës. Përtej trysnisë dhe presionit, jam i qartë dhe krenar për atë që kam bërë. Sot jam edhe shumë më i bindur dhe më i vetëdijshëm, për rëndësinë dhe vlerat e këtij projekti. Natyrisht që kjo reformë nuk është vepra e një njeriu, është puna e një grupi të tërë njerëzish, e të gjithë atyre që morën pjesë në këtë projekt, brenda dhe jashtë institucioneve, vendas dhe ndërkombëtarë, të cilëve u takon mirënjohja. Dhe për këdo që dëshiron ta njohë të dokumentuar këtë rrugëtim, kolona e vëllimeve të drejtësisë është një ndër trashëgimitë më të rëndësishme që i kemi lënë vendit së bashku me Reformën në Drejtësi, pavarësisht se ndihem i keqardhur që Kuvendit i është dashur 10 vjet për të përfunduar botimin e vëllimeve kaq të rëndësishme që dokumentojnë reformën historike në 100 vjet shtet.
Dhjetë vjet më parë, ne morëm vendimin më të guximshëm të historisë tonë demokratike. Sot, ai vendim quhet pushtete të ndara, vetting i përfunduar, pandëshkueshmëri e thyer apo negociata të hapura me Evropën. Nesër, ai duhet të quhet konsolidim, institucione që nuk raportojnë aktivitete, por që prodhojnë impakt, magjistratë që nuk mbrohen pas pavarësisë por përgjigjen përmes saj, drejtues që nuk administrojnë, por udhëheqin me kurajo.
Reforma në Drejtësi nuk është më një projekt, është identiteti i ri i shtetit shqiptar të së drejtës dhe pasaporta jonë evropiane. Këtë identitet kemi për detyrë ta mbrojmë nga deformimet, ta korrigjojmë nga gabimet dhe ta çojmë deri në fund, jo për një qeveri, jo për një parti, jo për një brez, por për Shqipërinë dhe të ardhmen europiane që meriton.