Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj, deklaroi se politika duhet t’i qëndrojë “sa më larg” Reformës në Drejtësi.
“Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme. Në rajon kjo lloj reforme ka qenë shembull për mënyrën si nisi dhe si po zhvillohet. Mendoj që politika duhet t’i qëndrojë sa më larg kësaj reforme dhe njëkohësisht mendoj që do kemi sfida të tjera në vijim. Sa herë që bëjmë një hap para drejt integrimit në familjen europiane, na sjell edhe përgjegjësi më të mëdha”, tha Malaj në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas tij, pas mbylljes së kapitujve do të vijë edhe faza më e vështirë.
“Unë kam thënë që tani nis faza më e vështirë, duhet të kuptojmë edhe sakrificat me të cilat do të përballemi. Sa kohë e kemi vullnetin e mirë si forcë politike për t’i çuara para reformat, rëndësi ka që të jenë të vazhdueshme më shumë sesa perfekte. Europa i mat reformat me standard dhe ne duhet t’i arrijmë standardet që të jenë të prekshme për qytetarët. Qytetarët nuk e kanë shumë të qartë se çfarë do të thotë kjo mbyllje e kapitujve, prandaj them “sakrifica”. Për shembull, ka kushte në disa sektorë të caktuar. Ata që shesin qumësht në rrugë, nuk do të ekzistojë më diçka e tillë. Duket sikur goditet një familje që prodhon, por jam i bindur që rezultati që do të shihet më pas do të jetë i qartë për qytetarët”, u shpreh Malaj. (A2 Televizion)
Lini një Përgjigje