Deklarata e Vuçiç, reagon shefi i UNMIK-ut: Nuk mund të shtrembërohen ngjarjet historike

8 Dhjetor 2019, 11:45Rajoni TEMA

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, ka shprehur shqetësimin e tij për siç është shprehur “përpjekjet për të shtrembëruar ngjarjet e dhimbshme historike”.

Kjo deklaratë e Tanin vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç më 5 dhjetor deklaroi se masakra e Reçakut është “trillim”.

Vuçiq i bëri këto komente pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq, i cili në muajin mars, në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ish-ushtrisë jugosllave kishte thënë se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

“Tanin shpreh shqetësim serioz për përpjekjet për të shtrembëruar ngjarjet e dhimbshme historike. Ai gjithashtu thekson se është e nevojë e domosdoshme për një gjyqësor të pavarur pa paragjykime politike ose etnike. Tanin rikujton rëndësinë e të drejtës për lirinë e mendimit dhe të shprehjes, siç përcaktohet në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe thekson se kjo e drejtë e fuqishme nuk duhet të jetë në kundërshtim me përgjegjësinë politike të zyrtarëve që të kenë një diskurs që mbron besimin e ndërsjellë dhe respektin”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga misioni i UNMIK-ut.

Deklarata e presidentit serb Vuçiq nxiti reagime të zyrtarëve në Prishtinë, por edhe të zyrtarëve ndërkombëtarë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tha se retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë “janë të papranueshme”, ndërkaq, Bashkimi Evropian tha se ngjarjet e vitit 199 në Reçak janë “të pamohueshme”.

Në vitin 1999, në Reçak u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe. Masakra e Reçakut njihet si një nga ngjarjet që shënuan kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

1 komente në “Deklarata e Vuçiç, reagon shefi i UNMIK-ut: Nuk mund të shtrembërohen ngjarjet historike”

  1. agon says:

    Serbet thone qe kane pasur edhe perandor Romak kjo per te treguar paftyresin e tyre kur dihet qe ardhja e serbeve dhe sllavizimi i trojeve ilire ka filluar 700 vjet pas krishtit dhe perandoria Romake kishte mbi dy shekuj qe kishte pushuar se ekzistuari… kjo per te treguar se si kane tentuar gjithmone te genjejne e te mashtrojne, te shtremberojne te verteten e cila vonon por nuk harron, shpejt do dalin te gjitha te vertetat se kush dhe ku …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje