Refik Halili: Nevil Dede t’ua tregojë vetë të vërtetën pse u largua 10 minuta para ndeshjes

25 Janar 2021, 17:42Sport TEMA

Një humbje që djeg ajo e sotmja për Tiranën, por mbi të gjitha më befasues është largimi i trajnerit Nevil Dede 15 minuta para ndeshjes. Në sfidën përballë Laçit që u humb me rezultatin 1 me 0, bardheblutë u drejtuan nga drejtori sportiv Tefik Osmani.

Ndërkohë Presidenti i klubit, Refik Halili, ka folur pas ndeshjes dhe tha se do të presë Deden të flasë për të treguar ky i fundit si qëndron e vërteta. Ai është shprehur i keqardhur nga rezultati i sotëm përballë kurbinasve dhe tha se e largon ekipin më shumë nga objektivi.

“Mund të them që është humbje që më dhemb shumë. Për sa i përket trajnerit, kam vendosur që të flasë përpara ai. Besoj se do t’i merrni sqarimet nga ai. Ju e keni kolegun tuaj. Nevili do të shpjegojë më mirë se si është e vërteta. Ne na kanë kushtëzuar rezultatet. Kjo është një nga pikat tona më të dobëta. Ne largohemi shumë nga objektivi. 

Kthim mbrapa nuk ka. Është vendim që është marrë. Jam takuar me të. Kam besim që do t’iu thotë të vërtetën se si është”, është shprehur Halili.

Për presidentin e bardhebluve rëndësi kanë rezultatet dhe është shprehur se ata trajnerë që do të humbin do të largohen, ndërsa ata që do të fitojnë do të qëndrojnë në stol. Megjithatë ai nuk është shprehur qartë nëse e ka shkarkuar apo Dede është dorëhequr vetë.

“Këtë zgjidhe ti… nëse më mbani në bankën e akuzuarve. Unë kam larguar shumë trajnerë. Kush ka fituar do të qëndrojë, kush humb do të largohet”, tha Halili.

Nuk dihet se cili do të zëvendësojë Deden në stol, por Halili u shpreh se “Kësaj radhe s’do të jetë një trajner që ka qenë opinionist”.

10 minuta para ndeshjes me Lacin, Dede dhe zëvendësi i tij u larguan nga stadiumi. Mendohet se shkak është bërë këmbëngulja e Presidentit Halili për të aktivizuar një lojtar. Megjithatë kjo situatë pritet të sqarohet në vijim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje