Pse dështojnë luftrat? Pushtimi rus i Ukrainës dhe kufijtë e fuqisë ushtarake

15 Qershor 2022, 12:51Bota Nga Lawrence Freedman “Foreign Affairs”

Pse dështojnë luftrat? Pushtimi rus i Ukrainës dhe kufijtë e

Më 27 shkurt, disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, forcat ruse ndërmorën një operacion për të vënën në kontroll aeroportin Chornobaivka pranë Kherson në bregun e Detit të Zi. Kherson ishte qyteti i parë ukrainas që arritën rusët, dhe duke qenë se ishte pranë Krimesë, aeroporti do të ishte i rëndësishëm për fazën tjetër të ofensivës.

Por gjërat nuk shkuan sipas planit. Në të njëjtën ditë që rusët pushtuan aeroportin, forcat ukrainase nisën kundërsulmet me dronë, duke goditur helikopterët që po fluturonin me furnizime nga Krimea. Në fillim të marsit, sipas burimeve ukrainase, ushtarët ukrainas kryen një natë një sulm shkatërrues ndaj rusëve, duke shkatërruar një flotë prej 30 helikopterësh ushtarakë rusë.

Rreth një javë më vonë, forcat ukrainase shkatërruan 7 helikopterë të tjerë. Deri më 2 maj, Ukraina kishte kryer 18 sulme të veçanta ndaj këtij aeroportit, të cilat sipas Kievit, kishin eliminuar jo vetëm dhjetëra helikopterë, por edhe depo municionesh, 2 gjeneralë rusë dhe gati një batalion të tërë të trupave ruse.

Gjatë gjithë atyre sulmeve, forcat ruse vazhduan të zhvendosnin pajisje dhe materiale me helikopterë. Duke mos pasur asnjë strategji koherente për mbrojtjen e pistës, dhe asnjë bazë alternative të qëndrueshme, rusët thjesht i qëndruan besnikë urdhrave fillestarë, gjë që pati pasoja katastrofike për ta.


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar betejën e Chornobaivka-s si një simbol të paaftësisë së komandantëve rusë, të cilët po i çonin më vetëdije njerëzit e tyre drejt masakrimit. Në fakt, në javët e para të pushtimit pati shumë shembuj të ngjashëm.

Në javët para pushtimit të 24 shkurtit, udhëheqësit, analistët perëndimorë dhe shtypi ndërkombëtar ishin natyrshëm të fiksuar pas forcës së madhe ushtarake që po grumbullonte në kufijtë e Ukrainës presidenti rus Vladimir Putin.

Rreth 190.000 trupa ruse ishin gati të pushtonin vendin fqinj. Të organizuar deri në 120 batalione, secili ishte i pajisur më mjete të blinduara dhe artileri, dhe shoqërohej nga një mbështetje ajrore superiore. Pak kush e imagjinonte se forcat ukrainase mund të rezistonin shumë gjatë ndaj ushtrisë ruse.

Por vlerësimet nuk kishin marrë parasysh shumë elementë që ndikojnë tek aftësitë ushtarake.

Kjo pasi fuqia ushtarake, nuk ka të bëjë vetëm me armatimet e një kombi dhe aftësinë me të cilën ato përdoren. Analiza duhet të marrë parasysh edhe burimet e armikut, si dhe kontributet nga aleatët dhe miqtë, qoftë në formën e ndihmës praktike apo të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta.

Në çdo luftë, aftësia e një ekonomie për të mbështetur luftën dhe qëndrueshmëria e sistemeve logjistike për të siguruar vijimësinë e furnizimeve në vijat e frontit sipas nevojës, ka një rëndësi në rritje sidomos kur konflikti zgjat në kohë.

Po me rëndësi është edhe shkalla në të cilën një palë ndërluftues mund të mobilizojë dhe të ruajë mbështetjen për kauzën e vet, si brenda dhe jashtë vendit, dhe të minojë atë të armikut. Kjo kërkon ndërtimin e narrativave bindëse, që mund të racionalizojnë pengesat dhe të parashikojnë fitoret.

Por mbi të gjitha, fuqia ushtarake varet nga një komandë efektive. Dhe kjo përfshin si udhëheqësit politikë të një vendi, të cilët janë komandantët suprem të ushtrisë, por edhe

ata që kërkojnë të arrijnë synimet e tyre ushtarake si komandantë operacionalë.

Pushtimi i Putinit në Ukrainë ka nënvizuar rolin vendimtar që ka komanda në përcaktimin e suksesit përfundimtar ushtarak. Ushtritë kërkojnë zinxhirë të fortë komandimi, pasi ato kryejnë akte dhune të disiplinuar dhe të qëllimshme. Problemet që ka shfaqur Rusia me komandën e fushatës në Ukrainë, janë më pak pasojë e filozofisë ushtarake sesa e udhëheqjes politike aktuale.

Në sistemet autokratike si ai i Rusisë, zyrtarët dhe oficerët duhet të mendohen dy herë përpara se të sfidojnë eprorët e tyre. Jeta është më e lehtë kur ata veprojnë sipas dëshirave të liderit, duke mos vënë asgjë në diskutim. Diktatorët mund të marrin vendime të guximshme në lidhje me luftën, por ata kanë shumë më tepër gjasa të bazohen në supozimet e tyre të keqinformuara, dhe nuk kanë gjasa të sfidohen në një proces të kujdesshëm vendimmarrjeje.

Diktatorët priren të rrethohen me këshilltarë që ndajnë të njëjtin mendim me ta, dhe të vlerësojnë besnikërinë mbi kompetencën e komandantëve të tyre të lartë ushtarakë.

Gatishmëria e Putinit për t’i besuar gjykimit të vet në Ukrainë, nxitej nga fakti se vendimet e tij të kaluara për përdorimin e forcës kishin funksionuar mirë për të. Gjendja e ushtrisë ruse në vitet 1990 para se ai të merrte pushtetin ishte e tmerrshme, siç tregohet nga lufta e presidentit rus Boris Yeltsin nën vitet 1994-1996 në Çeçeni.

Disa vite më vonë, Vladimir Putin, vendosi të zhvillonte sërish luftë, por këtë herë u sigurua që Rusia të ishte e përgatitur. Kur disa godina banimit në Moskë u hodhën në erë në shtator 1999 në rrethana të dyshimta, Putin fajësoi terroristët çeçenë (edhe pse kishte shumë të dhëna se shërbimi sekret rus, FSB, po kërkonte të krijonte pretekstin për një luftë të re),

ndaj urdhëroi trupat ruse të fitonin kontrollin e Çeçenisë përmes të “gjitha mjeteve në dispozicion”.

Ndonëse lufta zgjati për disa kohë, angazhimi i Putinit për t’i dhënë fund rebelimit çeçen, mjaftoi që t’i siguronte një fitore në zgjedhjet presidenciale të pranverës 2000. Aneksimi i Krimesë në vitin 2014, e konfirmoi statusin e Putinit si një komandant mendjemprehtë.

Në fillim të shkurtit 2022, Igor “Strelkov” Girkin, një nga udhëheqësit separatistë rusë të fushatës së vitit 2014, tha se ushtria e Ukrainës ishte më e përgatitur se 8 vjet më parë.

Por Putini nuk u konsultua me ekspertë mbi Ukrainën. Ai u mbështetur tek këshilltarët e tij më të afërt – miqtë e vjetër nga koha e KGB – të cilët i bënë jehonë pikëpamjes së tij shpërfillëse se Ukraina mund të pushtohej me lehtësi.

Por sapo nisi pushtimi, u bënë të dukshme edhe dobësitë themelore të ushtrisë ruse. Shenja e parë se gjërat nuk po shkonin sipas planit të Putinit, ishte ajo që ndodhi në aeroportin Hostomel në periferi të Kievit. Duke iu thënë se do të hasnin pak rezistencë, parashutistët elitë që ishin dërguar të vinin nën kontroll aeroportin, u zmbrapsën nga një kundërsulm i ukrainasve.

Rusët arritën ta merrnin aeroportin pas disa ditësh, por atëherë ai ishte shumë i dëmtuar për të pasur ndonjë vlerë. Diku tjetër, njësi tankesh ruse u ndalën nga trupa ukrainase shumë më të armatosura. Me ndihmën e Perëndimit, ushtria ukrainase kishte ndërmarrë reforma të mëdha dhe e kishte planifikuar me kujdes mbrojtjen e vendit.

Po ashtu ata ishin shumë të motivuar, ndryshe nga shumë rusë, të cilët nuk ishin të sigurt pse ndodheshin atje. Që një ushtri pushtuese të ketë sukses, duhet të jetë në gjendje të plotësojë 4 kushte. Së pari, duhet të ketë besim të ndërsjellë ndërmjet atyre në nivelet më të larta dhe më të poshtme të komandës.

Së dyti, ata që luftojnë në terren duhet të kenë qasje në pajisjet dhe furnizimet që u nevojiten për të vazhduar luftën. Së treti, ata që udhëheqin në nivelet më të ulëta të komandës, duhet të jenë ushtarakë të cilësisë së lartë. Nën drejtimin e Perëndimit, ushtria ukrainase kishte krijuar një lloj korpusi nënoficerësh shumë të aftë.

Së fundmi, aftësia për të vepruar në mënyrë efektive në çdo nivel komandimi, kërkon një përkushtim ndaj misionit dhe një kuptim të synimi të tij politik. Këta elementë i mungonin palës ruse, për shkak të mënyrës se si Putin e filloi luftën e tij: armiku me të cilin ishin përgatitur të luftonin forcat ruse, nuk ishte ai me të cilin u përballën në realitet, dhe, ndryshe nga sa u ishte thënë nga eprorët, popullsia ukrainase nuk ishte e prirur që të çlirohej nga “neo-nazistët”.

Sa më e kotë të jetë një luftë, aq më i ulët është morali, dhe aq më e dobët disiplina e

atyre që luftojnë. Në këto rrethana, nisma lokale mund të çojë në dezertime apo plaçkitje. Ndërkohë, ukrainasit po mbronin territorin e tyre kundër një armiku që synonte të shkatërronte vendin e tyre. Pra kishte që në fillim një asimetri motivimi, që ndikoi tek luftimet në terren. Dhe kjo na rikthen tek marrëzia e vendimit origjinal të Putinit. Është e vështirë të komandosh forcat që të veprojnë në mbështetje të një gënjeshtre./ Përktheu: abccnews.al

1 Komente

  1. S
    Saleh

    O Mero aman mos i boto keto artikuj se do na merzitesh pro ruset me ne krye avokaten e leshit.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje