FELT/ Workshop për transformimin e idesë në subjekt letrar

5 Dhjetor 2025, 12:42Kulturë TEMA
FELT/ Workshop për transformimin e idesë në subjekt letrar

 Begoña Oro, fituesja e çmimit “Cervantes Chico 2024” dhe autore e mbi njëqind librave për fëmijë dhe të rinj, ishte në gjimnazin e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, ku takoi nxënësit e klubit të gjuhës spanjolle.

Shkrimtarja bisedoi me nxënësit për letërsinë që ajo shkruan, për librat dhe historitë e saj, duke shpjeguar mënyrën se si një ide kthehet në rrëfim dhe si personazhet e saj prekin përditshmërinë e lexuesve të rinj.

Kjo bisedë, e moderuar nga Rudina Çupi gjithashtu poete dhe autore librash për fëmijë, ishte pjesë e festivalit FELT i cili organizohet këto ditë në Tiranë.

Aktiviteti i organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Spanjës në Shqipëri, u kthye në një rrëfim të hapur mbi procesin e shkrimit, udhëtimin e një historie nga fleta e bardhë te zemra e lexuesit, mbi magjinë e leximit në një gjuhë të huaj si një ftesë për të hyrë në kultura të tjera. Gjithashtu u fol edhe mbi rolin që kanë vetë nxënësit kur mblidhen në klube leximi, ndajnë libra, emocione dhe, pak nga pak, mësojnë të shkruajnë historitë e tyre. A.K./TemA

Lini një Përgjigje