Lul-i, i Ministrisë së Brendshme ishte dje personazhi më i njohur në Shkodër. Pas zbulimit të bërë nga WikiLeaks, popullariteti i tij është rritur ndjeshëm. Të zemëruar edhe me përmbytjen e 5 –të brenda vitit, shkodranët si gjithmonë në raste të tilla, e kalojnë dhimbjen me humor.
Sapo Lul-i u shfaq në qytetin e përmbytur, shkodrani i parë që e pa, dha alarmin.
– Kur s’të don Zoti, s’të don, tha, nga qielli të hedh ujë, nga toka të sjell Lul.
Por Lul-i bëri sikur nuk e dëgjoi. Ndaloi makinën, buzëqeshi dhe kërkoi të mblidheshin kamerat rreth tij. Pastaj filloi të flasë.
– Dua t’u them një gjë të rëndësishme. Flas këtu dhe në emër të kryeministrit Sali Berisha, i cili po ndjek me shqetësim situatën në Shkodër. Qeveria ka marrë të gjitha masat dhe ka bërë një punë të lavdërueshme për të hetuar shkaqet e përmbytjes dhe daljen e Liqenit të Shkodrës nga shtrati i tij tradicional. Më duhet t’u them, dhe këtë e them dhe në emër të kryeministrit që ka qenë një punë e lodhshme dhe e pandërprerë e drejtuesve të lartë të qeverisë ajo që bëri të arrijmë në një përfundim shumë bindës dhe tronditës për të gjithë ne. Më lejoni t’u them, se ky përfundim do të jetë tani e tutje në axhendën e punës sonë, dhe kryefjala e çdo aksioni politik në të ardhmen. Pas heqjes së vizave, ky do të jetë aksioni ynë më i madh që nga koha e Skënderbeut, kur shqiptarët ju bashkuan Perëndimit.
– Na fal mor Lul, i tha shkodrani, se kohën e Skënderbeut e kena arritë dhe e kena kalu, se në kohë të Skënderbeut me ikë për Itali me anije duheshe me shku në Lezhë, i tash mundesh me u nis nga Bërdica. Por a bën me na thanë çfarë përfundimi arriti qeveria pas punës së saj të lodhshme?
– Po, ke të drejtë se ma ndërprenë këta gazetarët fjalën dhe nuk arrita ta mbaroj. Siç e thashë dhe pak më parë, qeveria ka bërë një punë intensive dhe të lavdërueshme për të zbuluar shkaqet e kësaj fatkeqësie dhe ka arritë në përfundimin se dalja e Liqenit nga shtrati ka ardhur për shkak të shirave të shumë që kanë rënë ditët e fundit.
– Faleminders, i tha shkodrani. Mendova se mos ishte përkthy gabim në holandisht emri yt, por qenka tamam. I faleminders Doktorit që na është gjetë me ty në këtë ditë të keqe.
Luli buzëqeshi dhe u drejtua nga kamerat.
– Siç e shikoni, me gjithë fatkeqësinë që ka mbuluar Shkodrën nga moti i keq, njerëzit janë optimist dhe besojnë tek qeveria e zotit Berisha se ajo është qeveria evropiane që po çon Shqipërinë në Evropë. Kjo është një përgjigje e mirë dhe për opozitën, e cila përpiqet të përfitojë nga fatkeqësia dhe kërkon të nxisë revoltën e qytetarëve shkodranë ndaj qeverisë së zotit Berisha. Siç e shikoni, qytetarët janë të qetë dhe janë plotësisht me përfundimin që ka arritur dhe qeveria shqiptare se Shkodra është përmbytë për shkak se ditët e fundit ka rënë shumë shi.
– Të faleminders, i tha një qyyetar tjetër që po ndiqte konferencën e tij. Kjo qeveri po ec me shpejtësi kozmike drejt së ardhmes. Maj mend zotin Berisha që erdhi vjet në Shkodër dhe tha se kjo gjë ngjet një herë në 100 vjet. Kurrë s’më kish shku mendja se do jetoja 100 vjet dhe do mbetesha i ri sikur kanë kalu gjashtë muaj. Kjo vetëm nën qeverinë tuaj bën vaki.
Luli, që zakonisht nuk dëgjon kurrë çfarë thotë pala tjetër, buzëqeshi dhe vazhdoi fjalimin para gazetarëve.
– Ja pra, ky është qyteti i Shkodrës, qyteti që ka nxjerrë figura të shquara për kombin shqiptar, që i kanë dhënë emër shqiptarisë dhe politikës shqiptare…
– Rroftë Jozefina Topalli, bërtiti një nga turma…
Luli buzëqeshi dhe u kapërdi pak.
– E kam fjalën për figurat historike, tha. Ne si qeveri jemi modeste dhe nuk duam të lavdërojmë veten tonë, por faktet janë konkrete dhe nuk ka kush t’i përgënjeshtrojë. Është kjo qeveri që i është gjendur Shkodrës pranë sa herë është përmbytur. Është hera e tretë që ne po mblidhemi në Shkodër për ta bërë këtu mbledhjen e qeverisë, për tu thënë ju se jemi pranë jush në ditët tuaja të vështira. Keni për ta dëgjuar nga goja e vetë zotit Berisha se shkaku themelor pse jeni përmbyt është se ka rënë shi. Dhe keni për të parë se si do reagojmë dhe si do t’i korrigjojmë pasojat. Ne jemi qeveri e burrave dhe grave të fjalës së mbajtur…
– Rrofsh o Lul, i tha qytetari i fundit që kishte mundur të duronte fjalimin e tij. Desha me të pyet për diçka. Unë jam mysliman dhe na myslimanët e Shkodrës jena pak të lidhun me turqishten. Në turqisht Sal i thonë Trap. Meqë po vjen ky Sala në mbledhje sot këtu në Shkodër, a bën me na bë një vendim qeverie, a VKM si e quani ju, me i leju Shkodrës trapat dhe lundrat, se ka ndryshu moti dhe tani 100 vjetëshi ikën për 6 muaj dhe na s’e përballojmë dot.
– Patjetër, tha Luli. Qeveria e zotit Berisha, siç e theksova, e ka nisur punën me identifikimin e shkaqeve dhe kjo pas një pune të lodhshme dhe intensive që ka zgjatur ditë të tëra. Tani do të japim një zgjidhje praktike dhe të shpejtë, por një herë do presim të ikin ujërat dhe pastaj do marrim vendimet e duhura.
Comments are closed.
eshte humor por te ne thone secila shaka eshte nji gjysem e vertet