Pas një vale më shumë se pesëdhjetëditore protestash, në fjalimin e tij të së premtes, Kryeministri Edi Rama pranoi se pas sloganeve politike dhe deklaratave shpesh qesharake nga sheshi i protestës, ekziston edhe një zemërim publik legjitim, veçanërisht ai i drejtuar ndaj administratë dhe marrëdhënies së përditshme të njerëzve me shtetin.
«Besa,» dokumenti i prezantuar si strategjia e re drejt rrugës së zgjidhjes së këtyre problemeve, propozon një sërë mekanizmash që në thelb kërkojnë më tepër transparencë në lidhje me vendimmarrjen dhe, risia, bërjen e saj më të kuptueshme për qytetarët. Të gjitha mekanizmat e paraqitura në të janë nevojshme, disa madje të vonuara.
Por nga ana tjetër, nuk jemi një vend që i mungojnë strategjitë dhe reformat. Përkundrazi, përgjatë mëse tri dekadave kemi patur ndoshta më shumë seç duhet prej tyre, aq sa ndonjëherë edhe kanë prishur punë në vend që të ndreqnin. Në fakt, vuajtjet tona me shtetin nisin tek hendeku që ekziston mes shtetit në letër dhe atij që përjetohet nga spitali, tek zyra publike që ofron shërbimin më të rëndomtë, ku qytetarit të thjeshtë i duhet të kërkojë nga persona me sadopak autoritet, diçka që në thelb ia garanton ligji.
Transparenca dhe mekanizmat e kontrollit, sado thelbësore, nuk janë problemet kryesore nga të cilat adminsitrata jonë publike vuan. Probleme edhe më therëse të saj janë arroganca dhe kultura e vogël e pushtetit që është rrënjosur prej vitesh në shumë prej institucioneve të saj. Këto natyrisht nuk zgjidhen dot me një dokument dhe as nga sot për nesër, sepse lidhen me cilësinë e arsimit, mënyrën si rekrutohen njerëzit dhe rolin që luan besnikëria politike në këtë proces.
Megjithatë, vështirësia më e madhe qëndron tek fakti se ata që iu ka rënë për pjesë ta zgjidhin problemin duke e modernizuar administratën, nuk e përjetojnë atë siç e përjeton një qytetar i zakonshëm. Mund ta njohin nëpërmjet shifrave e raporteve, por vetë rrallë herë bien viktima të saj. Edhe nëse ndodh të kalojnë formalisht përmes të njëjtave procedura, dyshoj se kanë të njëjtën përvojë sociale si pjesa tjetër e shoqërisë.
Të dyja këto realitete, ai i njeriut të thjeshtë dhe zyrtarit apo politikanit të rëndësishëm, mund të ekzistojnë paralelisht. Qeveria mund të jetë mëse e sinqertë kur raporton se ka rritur fondet për një institucion a një tjetër ose kur thotë është futur në veprim procedura të rejta. Po aq i sinqertë mund të jetë edhe raportimi i një qytetari të thjeshtë kur ankohet se nuk e kupton pse procesi për marrjen e një shërbimi apo dokumenti duhet të jetë më i ndërlikuar se procesi i Jozef K. Problemi është se në sallën ku merren vendimet hyn zakonisht vetëm realiteti i parë, i buxheteve dhe shifrave. I dyti, ai i pritjes dhe i dyerve ku qytetari endet pa kuptuar as çfarë i kërkohet, mbetet jashtë sepse nuk përkthehet në gjuhën me të cilën pushteti mat suksesin e vet.
Nëse «Besa» synon me të vërtetë të ndryshojë marrëdhënien mes qeverisë dhe qytetarëve, atëherë ndoshta duhet ta nisë duke e vlerësuar çdo shërbim publik jo vetëm përmes statistikave, por përmes përvojës së plotë të atij që tenton ta marrë atë shërbim pa zgjatur më parë kartëvizitën me titullin e postit që mban.
Mekanizmat e propozuara nga «Besa» janë deri diku ndihmuese, por përvoja me reformat administrative iu jep shqiptarëve çdo arsye të dyshojnë nëse këto mekanizma do të ndryshojnë realisht sjelljen e institucioneve, apo thjesht do të përmirësojnë gjuhën me të cilën kjo sjellje justifikohet. Dhe sa kohë që ata të cilët qeverisin nuk i përjetojnë proceset njësoj si njerëzit e tjerë të këtij vendi, asgjë nuk ka për të ndryshuar.
Fatkeqësisht, kur dëgjon deklaratat publike të shumë anëtarëve të parlamentit dhe zyrtarësh e ish-zyrtarësh qeveritarë, të krijohet përshtypja se një pjesë e mirë e tyre nuk e dinë fare se si funksionon realisht sistemi. Dinë vetëm si supozohet të funksionojë.
Shoqeria shqiptare eshte familiarizuar me ryshfetin ose bakshishin,sic do thoshte Qazim Mulleti te komedia,te ashte bo ves mer jahu.Pra eshte norme,prandaj eshte e veshtir ta luftosh,vetem me masa drastike, ndryshe aty do e kemi dhe 100 vjet.
Për "Besën" shkon shumë shprehja popullore: "Bëmëni edhe një herë nuse, se tani di si të nusëroj" !
Demokracia parlamentare që po zbatohet në Shqipëri propogandohet si pushtet i popullit nëpërmjet deputetëve të zgjedhur po nga populli, por në realitet pushteti dhe benificet teritoriale e financiare janë në duart e kryeministrit dhe një grusht origarkësh të përzedhur nga kryeministri e tarafi i tij. Përvilegjet e tyre na shiten e justifikohen si të të drejta, demokratike e zhvillimore për kombin. Realisht kemi grumbullim të pajustifikuar ligjërisht pushtet, pasuri nga një grusht të përveligjuar e nga ana tjetër një shumicë apsolute e qytetarëve janë në mjerim e dëshpërim. Janë shkelur e po shkelen të drejtat themelore të qytetarëve. Demkracia në Shqipëri është kthyer ne Plutokraci që zotëron gjithçka në politikë e ekonomi në Shqipëri. Demokracia po vdes. Lëvizja tendon të rivendos shëndetin e kombit brenda fuqisë së një Shteti të vetëdijshëm se është produkt i kombit e në shërbim të tij e jo të Kryeministrit e shpurës së tij . Në Shqipërinë e sotme, vetëm kombi mund të sigurojë mjedisin material, intelektual, politik dhe moral të një Shqipërie të re në të cilin individi mund të gjejë përmbushje.