Edi Rama ka zgjedhur së fundmi t’i japë një dimension të ri filozofisë së tij të qeverisjes. Pasi pranon publikisht se qytetarëve ua nxijnë jetën shërbimet shtetërore që nuk i marrin ose i marrin me mundim, ai kërkon të mbështetet tek një institucion i vjetër socio-moral shqiptar: besa. Tek fjala e dhënë. Tek përgjegjësia për ta mbajtur atë. Tek llogaridhënia.
Në vetvete, kjo është një tezë e lavdërueshme. Madje edhe një gjetje politike interesante, sidomos për një qeveri që hyn në mandatin e katërt të pushtetit. Sepse, pas kaq shumë vitesh, premtimet nuk maten më me sloganet, por me bilancin.
Pikërisht jetëgjatësia në qeverisje është prova më e vështirë e besës. Ajo ekspozon jo vetëm sukseset, por edhe të gjitha anët e errëta të pushtetit. Prandaj skepticizmi i qytetarëve nuk është paragjykim; është produkt i përvojës.
Nëse njerëzit do ta pranojnë apo jo këtë “besë” të re politike, mbetet për t’u parë.
Por problemi që më duket më thelbësor nuk është marrëdhënia e kryeministrit me qytetarët. Është marrëdhënia e qeverisë me administratën publike. Sepse, në fund të fundit, nuk është qeveria ajo që u shërben qytetarëve çdo ditë. Është administrata. Ajo është fytyra reale e shtetit. Ajo është institucioni që ose ia zbardh faqen qeverisë, ose ia nxin përfundimisht.
Në Shqipëri administrata publike ka funksionuar tradicionalisht me urdhër ose me porosi politike. Kështu ka ndodhur pothuajse gjithmonë. Për pasojë, ministrat flasin, premtojnë dhe raportojnë më shumë si drejtorë të agjencive të zbatimit sesa si drejtues politikash publike. Ata merren me dosje, procedura dhe firma, në vend që të merren me vizion, strategji dhe politika.
Ky deformim ka zbehur gradualisht vetë konceptin e administratës profesionale dhe të pavarur. Në çdo rotacion politik janë ndërruar drejtues, janë larguar nëpunës, janë zëvendësuar profesionistë me besnikë politikë. Pavarësia e administratës është varrosur prej kohësh nën kulturën e patronazhit.
Por administrata e sotme mbart edhe një sindromë shtesë, shumë më të rëndë: frikën.
Paradoksi është se kjo frikë buron pikërisht nga ajo që qeveria e quan suksesin e saj më të madh: reforma në drejtësi.
Në emër të luftës kundër pandëshkueshmërisë është krijuar një klimë ku hetimi është kthyer në instrument presioni dhe gjithmonë edhe spektakli publik në një formë ndëshkimi paraprak. Hetime të nisura pa një bazë të qartë, bastisje zyrash, banesash, celularësh e komputerash, sekuestrime dokumentesh ndërkohë që proceset administrative janë ende në zhvillim, ekspozime publike dhe përbaltje para se të provohet çdo përgjegjësi. Të gjitha këto kanë prodhuar një administratë që mendon më shumë si të mos firmosë, sesa si të zgjidhë problemin e qytetarit.
Rasti i Jonaid Myzyrit është një ilustrim i fortë i këtij fenomeni. Askush nuk mund të mohojë efektin që pati mbi administratën, nga masakra publike që u bë në emër të njëmproçesi hetimor fund e krye abuzues. Aq abuzues ishte sa dhe vetë e tmerrshmja GJKKO u detyrua ta mbyllë. Mesazhi që morën mijëra nëpunës jo vetëm nga ky proçes ishte i thjeshtë: firma mund të të kushtojë lirinë, reputacionin dhe jetën profesionale.
Në këto kushte, kush është ai administrator që merr përgjegjësi? Kush firmos kur e di se askush nuk do ta mbrojë përballë një ndërhyrjeje hetimore që mund të rezultojë e pajustifikuar? Kush merr vendime kur statistikat e ndëshkimit duken më të rëndësishme sesa cilësia e shërbimit?
Problemi rëndohet edhe më shumë nga vetë mënyra si hartohen ligjet. Shumë dispozita janë të paqarta, elastike, të interpretuara në mënyra të ndryshme. Hapësira për diskrecion administrativ është e madhe, por po aq e madhe është edhe mundësia që çdo vendim të interpretohet më vonë si dyshim penal.
Këtu qëndron një nga mangësitë më serioze të reformës në drejtësi: mungesa e një kufiri të qartë ndërmjet përgjegjësisë administrative dhe përgjegjësisë penale. Jo çdo vendim i gabuar është krim. Jo çdo procedurë e diskutueshme është korrupsion. Dhe jo çdo firmë duhet të trajtohet si provë kriminale.
Baballarët e reformës vazhdojnë të krenohen me suksesin e saj, por shumë pak flasin për pasojat që ajo ka prodhuar mbi administrimin e përditshëm të shtetit.
Ndërkohë, qytetari vazhdon të presë.
Sepse administrata që ka frikë nuk merr vendime. Administrata që nuk merr vendime nuk jep shërbime. Dhe shteti që nuk jep shërbime nuk mund të kërkojë besë. Është djegur pa u harxhuar buxheti i shtetit nga kjo frikë, ndërkohë që sjtohen faturat e papaguara ndaj njerëzve dhe bisnesve. Ky është kulmi i dështimit!
Besa nuk mbahet me fjalime. Nuk mbahet me slogane. Nuk mbahet as me moralizime politike.
Besa mbahet duke krijuar institucione që funksionojnë normalisht. Duke ndërtuar një administratë që zbaton ligjin pa pritur telefonata dhe pa u dridhur nga frika e një hetimi arbitrar. Duke garantuar që përgjegjësia penale të mos zëvendësojë përgjegjësinë administrative dhe që shteti të mos qeveriset nga ankthi.
Nëse administrata nuk ka besim, nuk mund të ketë besë.
Kjo është sfida e vërtetë e Edi Ramës në këtë fazë të qeverisjes së tij. Të rikthejë besimin tek shteti që drejton. Sepse vetëm një administratë që ndihet e mbrojtur nga ligji dhe e detyruar vetëm prej tij mund ta mbajë fjalën që qeveria u jep qytetarëve.
Në fund të fundit, besa nuk lind nga frika. Besa lind vetëm nga besimi.
Lini një Përgjigje