Filmi pa zë, “Artisti”, ka triumfuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar duke marrë pesë të tillë, përfshi atë për filmin më të mirë, regjisorin më të mirë dhe aktorin më të mirë.
Jean Dujardin u shpall fitues si aktori protagonist më i mirë. Ai tha se nëse personazhi i tij do fliste, do thoshte: Genial, Merci!
Sipas BBC, filmi “Hugo” i Scorsese mori po ashtu pesë çmime Oscar, por kryesisht në kategori teknike.
Meryl Streep fitoi çmimin si aktorja më e mirë për portretizimin e Margaret Thatcher në filmin “Zonja e Hekurt’. Streep tha se “kur thirrën emrin tim, mu duk sikur dëgjova gjysmën e Amerikës duke thënë: au, prapë kjo”. Aktorja ka fituar tre çmime Oscar dhe është nominuar 17 herë.
Aktori kanadez Christopher Plummer u bë aktori më i vjetër që fiton një çmim Oscar. Në moshën 82 vjeçare ai mori çmim si aktori më i mirë mbështetës.
Octavia Spencer fitoi çmimin si aktorja më e mirë mbështetëse. Ajo mbajti një fjalim prekës përpara audiencës.