Nis sot në Shkodër edicioni i dhjetë i Za Fest, një festival muzikor nën drejtimin e ideatorit të tij, kantautorit Vlashent Sata.
Një festival i themeluar në 2017-ën, me synimin për të promovuar kulturën shqiptare përmes muzikës, artit, letërsisë etj, fillimisht Za Festi u zhvillua në Theth, duke e shndërruar peizazhin alpin në një skenë natyrore ku ndërthureshin muzika, legjendat dhe tradita shqiptare. Me kalimin e viteve, festivali është zgjeruar edhe në zona të tjera të Shkodrës, si Kalaja e Rozafës, Muzeu Historik i Shkodrës dhe hapësira të tjera me vlerë historike e kulturore.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm Za Fest do të zhvillohet në 23, 24 dhe 25 korrik, në Muzeun Historik dhe në Kalanë e Shkodrës.
Ashtu si edhe në edicionet e kaluara, Za Fest kapërcen kufijtë me të ftuarit e tij të cilët vijnë nga trevat shqipfolëse por edhe përtej tyre. Sonte, në mjediset e Muzeut Historik të Shkodrës, artdashësit do të mund të ndjekin nga afër Rafel Hoxhaj, Rita Petron, Mimoza Ahmetin, Linda Rukajn e Denald Grepckën.
Të tjerë emra të rëndësishëm të këtij edicioni janë NRG Band, Shpat Deda, West Side Family, Vlashent Sata etj.
Gjatë edicioneve të mëparshme, Za Fest ka sjellë dhjetëra artistë shqiptarë dhe të huaj, duke u kthyer në një pikëtakim mes muzikës alternative, folklorit, poezisë, teatrit, baletit bashkëkohor dhe kinemasë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje