Ka ditë që kalojnë pa lënë gjurmë dhe ka ditë që nguliten në kujtesë si gurë kilometrikë të jetës shpirtërore. Përurimi i librit “Kopshtina jonë Selckë e Madhe” ishte një nga ato ngjarje të rralla, kur njeriu ndien se koha ndalet për një çast për t’i bërë vend kujtesës, mirënjohjes dhe dashurisë për vendlindjen.
Ishte mesi i korrikut, kur Tirana digjej nga vapa e verës. Megjithatë, salla e Akademisë së Shkencave u mbush plot e përplot, duke sfiduar temperaturat dhe ritmin e zakonshëm të stinës së pushimeve. Aty ishin mbledhur personalitete të jetës akademike, politike, kulturore e shoqërore, bashkëfshatarë, bashkëkrahinarë, miq e dashamirës të shumtë. Prania e tyre nuk ishte thjesht pjesëmarrje në një ceremoni. Ishte një dëshmi se kujtesa e një vendi të vogël mund të bashkojë zemra të mëdha.
Ndërsa shikoja sallën e mbushur dhe fytyrat që rrezatonin ngrohtësi e emocion, më lindi bindja se ky libër kishte tejkaluar tashmë kufijtë e një botimi të zakonshëm. Ai ishte shndërruar në një urë që lidhte brezat, në një ftesë për t’u kthyer te rrënjët dhe në një amanet për të mos harruar.
Ndoshta për këtë arsye, kur ia dhurova librin z. Shkëlqim Hajdari, Prefekt i Qarkut Tiranë, në faqen e parë shkrova: “Librat janë mënyra më fisnike për t'i bërë vendlindjet të pavdekshme.” Sot jam edhe më i bindur për vërtetësinë e kësaj fjale. Gurët, shtëpitë e madje edhe njerëzit i nënshtrohen kohës, por libri mbetet dëshmitari më besnik i jetës së një komuniteti. Ai i jep vendlindjes një jetë të dytë, më të gjatë se vetë koha.
Për disa çaste, ndërsa dëgjoja fjalët e të pranishmëve dhe shihja emocionin në sytë e tyre, m’u duk sikur pas maleve të largëta Selcka nuk ishte më një fshat që lufton me zbrazëtinë dhe heshtjen. M’u duk sikur rrugicat e saj po mbusheshin përsëri me zërat e fëmijëve, portat po hapeshin njëra pas tjetrës, oxhaqet po nxirrnin tym dhe oborret po gumëzhinin nga jeta. Ishte një vegim i bukur, lindur nga fuqia e kujtesës dhe e dashurisë.
Kulmi emocional i ceremonisë erdhi me interpretimin e grupit të mirënjohur polifonik të Bashkisë Memaliaj. Zërat e tyre, të fuqishëm e njëherazi të brishtë, mbushën sallën me atë magji që vetëm polifonia shqiptare di të krijojë. Nuk ishin thjesht këngë; ishin jehonë trimërie, histori brezash dhe frymëmarrja e një populli që ka ditur t'i këndojë edhe dhimbjes, edhe krenarisë.
Emocioni u bë edhe më i thellë kur ata interpretuan këngën kushtuar kapedanit legjendar Tafil Buzi, mbi tekstin tim. Ishte një ndjenjë e vështirë për t'u përshkruar me fjalë. Të dëgjosh vargjet e tua të marrin jetë përmes zërave polifonikë, të shndërrohen në këngë dhe të prekin zemrat e njerëzve, është një privilegj që rrallë ta fal jeta. Në ato çaste, figura e Tafil Buzit nuk ishte më vetëm personazh historie; ai dukej sikur ecte mes nesh, i gjallë në kujtesën kolektive, si simbol i qëndresës, trimërisë dhe dinjitetit shqiptar.
Në fund të ceremonisë, nuk pata ndjesinë se po mbyllej një promovim libri. M’u duk sikur kishim përjetuar një rit të bukur kujtese, një takim të rrallë mes historisë, letërsisë, muzikës dhe shpirtit njerëzor. Ishte një ditë që tregoi se vendlindja nuk matet me madhësinë e saj në hartë, por me madhështinë e dashurisë që mbartin bijtë e saj.
Dhe nëse për disa orë Selcka jetoi në zemrën e Tiranës, kjo ndodhi sepse libri e bëri atë të pranishme, ndërsa kënga i dha zë shpirtit të saj. Pikërisht atëherë kuptova se vendlindjet nuk vdesin kurrë, për sa kohë ka njerëz që i shkruajnë, i këndojnë dhe i mbajnë gjallë në zemër.
Kësisoj Selcka do të vazhdojë të jetojë, jo vetëm mes maleve të saj, por edhe në ndërgjegjen e çdo shqiptari që beson se historia dhe kujtesa janë pasuria më e çmuar e një kombi.
Lini një Përgjigje