Më 21 korrik të vitit 1925, lindi në Temal të Dukagjinit, Martin Camaj, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, gjuhësisë dhe albanologjisë shqiptare.
Martin Camaj, me veprën dhe punën e tij shkencore, la një gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare dhe në studimet albanologjike. Pasi përfundoi studimet në Kolegjin Saverian të Shkodrës, punoi si mësues në Prekal të Dukagjinit, deri në vitin 1948. Për shkak të rrezikut të përndjekjes nga regjimi komunist, si dhe të formimit të tij në institucionet katolike, Martin Camaj u largua nga Shqipëria.
Fillimisht u vendos në Beograd dhe Romë, dhe më pas në Gjermani, ku zhvilloi veprimtarinë e tij akademike si studiues i albanologjisë dhe drejtues i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Mynihut (1971–1990).
Camaj luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e albanologjisë jashtë Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtë me studiues nga Kosova dhe diaspora. Kontributi i tij shkencor përfshiu studime mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, historinë e gjuhës dhe gramatikës shqipe.
Si shkrimtar, ai solli një frymë moderne në letërsinë shqipe, duke lëvruar me mjeshtëri gegërishten në poezi, prozë dhe dramë. Krijimtaria e tij, fillimisht e frymëzuar nga vendlindja, evoluoi drejt formave moderne të shprehjes, ndërsa poezia e tij u shqua për përdorimin e vargut të lirë. Vepra e tij u ribotua dhe u njoh gjerësisht në Shqipëri pas vitit 1990.
U nda nga jeta në Gjermani, më 1 mars 1992. A.K./TemA
Si shum te tjere studioi sllavistiken ne Beograd dhe mandej u be albanolog i njohur!