Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi se përfunduan punimet restauruese në Kishën e Shën Profet Ilisë, Monument Kulture, Kategoria II, e dëmtuar nga zjarri në vitin 2025.
Në ditën e profetit Ilia, Gonxhja informoi se ndërhyrja e realizuar në përputhje me parimet e konservimit dhe restaurimit të monumenteve të kulturës, ka rikthyer integritetin arkitektonik të objektit dhe duke ruajtur vlerat e tij historike, kulturore e shpirtërore, si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë sonë kulturore.
Kisha e Profetit Ilia gjendet në fshatin Lekël të Tepelenës. Me herët ministri Gonxhja, ka ndjekur nga afër ecurinë e punimeve te cilat synonin rikthimin e këtij monumenti kulture në gjendjen e tij origjinale duke ruajtur vlerat historike e arkitektonike.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër realizoi punime konservuese, ku përfshihet rindërtimi i çatisë, konsolidimi i strukturës dhe restaurimi i elementëve karakteristikë të objektit.
Kisha e Profetit Ilias është shpallur monument kulture për shkak të rëndësisë historike dhe arkitekturore. Kjo kishë është një nga objektet që u dogj nga zjarret që përfshinë jugun e vendit vitin e kaluar. A.K./TemA
Lini një Përgjigje