Zv.kryeministrja Koçiu në Kombinat, i hapet rrugë ndërtimit të 223 apartamenteve të reja për programin e rindërtimit

21 Korrik 2026, 18:10Sociale TEMA
Zv.kryeministrja Koçiu në Kombinat, i hapet rrugë

Ka nisur puna për ndërtimin e 223 apartamenteve të reja në zonën e Kombinatit, të cilat do t’u shpërndahen familjeve përfituese në kuadër të programit të rindërtimit.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ishte sot në rrugën “Shaban Bardhoshi”, ku po zhvillohen punimet pas dakordësimit për prishjen e një godine, në truallin e së cilës do të ndërtohen apartamentet e reja.

“Kemi nisur punën për ndërtimin e apartamenteve që do t’u shpërndahen banorëve, ndaj të cilëve kemi detyrimin të garantojmë një banesë pas dëmtimeve që pësuan shtëpitë e tyre. Kjo ka qenë një kërkesë e hershme, por procesi është vonuar për shkak të procedurave të gjata gjyqësore dhe sigurimeve të njëpasnjëshme të padive. Bëhet fjalë për dy prona me dy pretendues të ndryshëm në këtë zonë, çka e ka bërë të pamundur nisjen më herët të punimeve. Lajmi i mirë është se sot jemi në kushtet për të prishur këtë godinë dhe, me lirimin e sheshit, i hapet rruga ndërtimit të shpejtë”, deklaroi Koçiu.

Sipas saj, deri më tani janë shpërndarë 664 apartamente dhe familjet përfituese kanë hyrë në banesat e tyre.

“Në këtë zonë, pas lirimit të sheshit, do të ndërtohen tre pallate me gjithsej 223 apartamente. Ndërkohë, në godinën përballë do të shpërndahen edhe 75 apartamente të tjera, me short gjatë muajit shtator. Gjithashtu, kanë nisur procedurat për dy godina të tjera ‘me çelësa në dorë’, të cilat do të ofrojnë edhe 100 apartamente të tjera”, shtoi ajo.

Paralelisht me ndërtimin e banesave, Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë për rehabilitimin e infrastrukturës përreth, me synimin që zona e dedikuar për procesin e rindërtimit të zhvillohet si një kompleks modern banimi, në përputhje me standardet e kërkuara.

1 Komente

  1. F
    Five company

    Interesant, mqs banoret e vjeter te Kombinatit, banojne ne apartamentet dhe blloqet e NOVA dhe Olimpic.. Keto apartamente i ndertoni per Kamzen. Ndahen me short dhe vijne Kamzallinjte. Kamzallinte e vjeter jetojne ne blloqet dhe getot e Shpreses dhe Delijorgjit, te rinjte nga Gjegjani mund te vijne ne Kombinat. Krutanet e vjeter zune blloqet e Kontaktit me Mangalemin dhe Goricen, ndersa uren e lane ne duart e Shijaksve... Interesant. Shume interesant

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje