Sezoni “mbush” Rinasin, deri në 56 mijë pasagjerë në ditë. Ja plani i Policisë…

21 Korrik 2026, 14:05Sociale TEMA

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit po përballet me fluksin më të lartë të udhëtarëve për shkak të sezonit turistik. Për menaxhimin e situatës, strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Doganave kanë shtuar masat për të garantuar lëvizje më të shpejtë dhe siguri më të lartë për qytetarët dhe turistët.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe kreu i Doganave, Besmir Beja, zhvilluan një inspektim në aeroportin e Rinasit për të parë nga afër zbatimin e masave të marra nga Policia Kufitare dhe administrata doganore.

Policia Kufitare kalon në shërbim 12-orësh

Hita bën të ditur se gjatë sezonit turistik janë shtuar masat organizative dhe teknike, ndërsa të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare janë kaluar në regjim shërbimi 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e punonjësve të policisë në aeroport.

Gjithashtu, është ulur nga 16 në 12 vjeç mosha minimale për përdorimin e sistemit automatik të kontrollit e-Gate. Ky ndryshim ka rritur numrin e pasagjerëve që kontrollohen automatikisht dhe ka ulur kohën e pritjes në sportele.

Paralelisht, është përditësuar sistemi TIMS dhe janë riparuar ose zëvendësuar pajisje të kontrollit kufitar, përfshirë kompjuterë, lexues dokumentesh dhe pajisje të tjera teknike.

Fokusi kryesor është te lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.

Hita tha se kontrollet po kryhen bazuar në analizën e riskut dhe se bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ka sjellë rezultate konkrete në goditjen e rasteve të paligjshme. Ai garantoi se Policia Kufitare do të vijojë punën për të siguruar një proces të shpejtë dhe të sigurt për çdo qytetar dhe turist që hyn ose del nga Shqipëria.

Nga ana tjetër, drejtori i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe tha se të dy institucionet janë të angazhuara 24 orë në 24 për përballimin e fluksit të sezonit turistik.

Sipas tij, administrata doganore po punon për të garantuar lëvizje të shpejtë të udhëtarëve, pa cenuar kontrollet e nevojshme për mallrat që hyjnë në territorin e Shqipërisë. Kontrollet vijojnë si në sektorin e pasagjerëve, ashtu edhe në atë të kargos.

1 Komente

  1. T
    Toni

    Aeroporti eshte shume I vogel. Passagieren nxirren ne piste ne diell se nuk ka vend. Si ne aeroporte te dores se trete. Nuk ka nevoje per shume kafene. Duhet dhe nje kat shtese. Kati i dyte te jete me Gate. Katia 3 kafe e sherbime. Cilesia e ketij aeroporti le per te deshiruar.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje