Sot Dua Lipa e Lea Ypi janë dy bijat më me nam të një populli i cili më shumë se gjysma jeton i bërë pikë e pesë nëpër botë. Kur dy bashkatdhetaret flasin me njëra-tjetrën na vjen mbresa sikur edhe celebritetet qajnë baraz me ne për hallet e atdheut të shkretë. Megjithatë mjaftojnë pak minuta për ta kuptuar se preokupimi i tyre është fare joorigjinal e krejtësisht i frymëtuar nga bindje ideologjike. Këngëtarja Lipa nga 2020-a e këndej është shndërruar në aktiviste vullnetare për ‘çështjen palestineze’. Te kampi i shamijave bardhë-e-zi, gjithçka e lidhur me Trumpët është veçse Izraeli, cionistët e hilet e tyre. Ndaj, ata kanë zbarkuar edhe në Shqipní për luftën e madhe për njerëzimin. Kurse për profesoreshën e marksizmit në Londër, ‘oligarkët’, ‘të djathtët’ e ‘ksenofobët’ janë boshti i së keqes, prandaj protesta dhe një parti e majtë me program radikal janë përgjigjja për atdheun. Ç’të qajmë më parë?
Nga Col Mehmeti
Jo të gjitha lajmet e gazetave të djeshme janë për të mbështjellë peshk.
Jo të gjitha përmbajtjet e djeshme janë lëndë për t’u zbrazur midis hedhurinave të harresës.
Një kuvendim online mes Dua Lipës dhe Lea Ypit e meriton të aktualizohet për disa arsye fort urgjente.
Javën e kaluar, ylli i muzikës pop në mediumin e saj javor ‘Service95 Book Club With Dua Lipa’ i hapi derën mysafires që është bërë një goxha emër si politikologe me inklinacione të majta.
Ky bashkëbisedim shkoi larg përtej librit të mirëshitur të akademikes të lindur në Tiranë.
Libri Të lirë u bë si vegëz që të dyja bashkatdhetaret tona në Londër ta gjenin veten në solidaritet prej aktivistesh për një kauzë të njejtë.
Dua dhe Lea tashmë janë të pozicionuara pa teklif në anën e protestuesve ‘flamingo’ në Tiranë.
Do të ishte fare i pa vënë re tifozllëku i tyre nëse nuk do të kishte pas vete disa nënkuptesa të thella ideologjike që ua luajnë penjtë trazimeve të fundit në Tiranë.
Nga viti 2020 e këndej, këngëtarja prishtinase është bërë njëfarë avokate falas e ‘çështjes palestineze’.
Kjo dashuri e papritur për Palestinën ishte fëmija jetim i lidhjes kohëshkurtër të saj me modelin me prejardhje palestineze, Anwar Hadid.
Megjithëse performancat e saj nuk shkuan deri atje sa të mbështillej me kefija (shamija bardhë-e-zi), prishtinasja doli politikisht edhe më palestineze se vetë familja e Hadidëve.
Nga manjati Mohamed Hadid e deri te bijat e tij me karrierë modelesh profesionale nënshkruhen plot e plot deklarime që kullojnë frymë antisemite.
Anipse Hadidët u bënë veç një episod i shkuar i një lidhje që nuk eci, Lipa do ta ruante një rremb prej tyre.
Me aktivizmin e saj propalestinez – gjithnjë duke e ndjekur trendin kulturor e të qenit cool – prishtinasja më e dëgjuar në botë do të vazhdonte avokatinë kurdo që projektori ishte mbi të.
Në qershor 2024 në Glastonbury Festival, ajo valëviti flamurin ‘palestinez’ duke e helmatisur koncertin me shamata që do të vazhdonin për ditë të tëra në shtypin britanik.
Këtë ‘kauzë’ e solli edhe vjet në Bernicë midis sërrnishtave e arave, në Sunny Hill.
Eventi kulturor me të cilin premtohej se Kosova do të vihej në hartën e botës përfundoi si miting me thirrjet që s’kushtojnë asgjë ‘Free Palestine’.
Gënjeshtra e Zvërnecit që e trazoi një Shqipní
Në pamje të parë, animet propalestineze janë hiçgjë në një botë të përshkuar nga kauza që shkëlqejnë e fiken sa kohë gëzojnë vëmendje e sharm mediatik.
Por kur shpirti ‘propalestinez’ nis ta imponojë të njejtin aktivizëm trazovaç edhe midis shqiptarëve, këtu i hapet dera një ngatërrese të vërtetë.
Ku mund ta dimë që Dua Lipës (ose Lipajve si familje) i qan xhani pse një çip i bredgetit në Nartë e Sazan po ‘shkatërrohet’ si natyrë?
Shumë më e dukshme është që aktivizmi i saj u frymëtua pikërisht nga ajo fobi që po bën kërdi kudo në botë.
Është frika irreale nga Izraeli e izraelitët se, na ruaj Zot, po e kollufisin botën me lugën e nepsit për toka (sic!)
Siç është vënë re tashmë, trazimet e para në Zvërnec u ngacmuan nga një fushatë errësisht keqdashëse ku u gënjye publikisht se investimi fshihte pas vete një ‘plan izraelit’ për ta blerë e për ta bërë aty një Izrael të vogël.
Edhe kur e vërteta e përzuri gënjeshtrën zaptuese, pra kur u mor vesh për të gjithë se bëhej fjalë për ortakëri investimesh mes familjes Trump dhe dy vëllezërve nga Katari, një pjesë e publikut vazhdon të jetë i bindur në dyshimin e vet se ‘Izraeli’ vigjëlon aty me hilet e veta.
Kur komunizmi mbijeton i arratisur te zonja Ypi
Profesoresha, Lea Ypi ishte mysafirja ideale që ‘palestinezllëkut’ të këngëtares do t’ia jepte veshjen teorike.
Në fillim të bashkëbisedimit, Dua i kërkon Ypit të bëjë një shpalim të shkurtër të historisë shqiptare.
Edhe mysafirja pa përtesë e fillon leximin e historisë ashtu siç do ta bënte secili komunist a postkomunist shqiptar.
E përmbledhur troç, shiriti i historisë sipas saj ishte kësofare: më 1939, Shqipníja u pushtua nga ‘fashistët italianë’, më 1943 nga ‘nazistët gjermanë’, por më 1944 u ‘çlirua’ nga partizanët!
Miti që sheh çlirimtarë tek bandat komuniste (një term të cilin e përdor edhe Bernd Fischer) dhe tek viti 1944 çlirimin nuk u gijotinua kur ra komunizmi.
Ai u bë shumëformësh dhe migroi edhe gjetkë, madje atë e morën me vete edhe ata të arratisur që botës së paku ia kishin borxh dekomunistizmin.
Por, Ypi është nga ajo mizëri që beson marrokçe që komunizmin e bënë të keq vetëm do egomaniakë, se kështu si ideologji ishte smerald.
Historia e treguar mes sekondash nga Ypi vijon më tej sesi Shqipníja komuniste u zu më Jugosllavinë dhe sivëllazëria ideologjike u prish për punë të Kosovës. Ha ha ha!
Afërmendsh që lexime si këto janë joserioze.
Komunistët shqiptarë – nga Mukja deri në Bujan – me vullnesë të plotë e zhbënë Kosovën si problem sepse e konsideruan atë si çështje jugosllave.
Siç korroborohet nga pafund dëshmi të reja e të moçme, prishja mes dy vendeve ndodhi kur Jugosllavia i doli për duarsh Bashkimit Sovjetik, kurse Enveri e të tijët u rrasën te Stalini.
“You have a lot to say about this”
Derisa minutat rrjedhin për librin e Ypit e ndodhitë e saj jetësore, Dua si zoja e shpís në emisionin e vet e vërtit muhabetin aty ku i rrah mendja tash sa kohë.
Nga minuta 49:40, ajo flet për familjen e Trumpëve dhe projektin e tyre në Shqipní.
“Ajo çfarë në të vërtetë më duket brengosëse”, thotë Dua, “është parimi sesi qeveria mund ta ndryshojë ligjin për ta hequr mbrojtjen ambientale pa asnjë lloj konsultimi publik”.
“And I imagine you have a lot to say about this as well” i drejtohet mysafires me sa duket në dijeni se do të pasonte një sintoni e plotë pajtimesh.
Përgjigjja e Ypit është në maje të gjuhës.
Pritjet e dikujt që problemi do të adresohet akademikçe përplasen me një zhgënjim rrëqethës.
Ypi ndjehet më mirë të flasë si aktiviste, e akoma më konfortabël si intelektuale e majtë.
Mu këtu realiteti i nënshtrohet filtrave ideologjikë ku analiza këmbehet me vlerësime moraliste.
“Ma do mendja se protestat janë njëfarë shembulli interesant i përplasjes mes elitës ekonomike dhe asaj politike. Janë edhe shembull se teknikisht ka demokraci, se teknikisht ka zë të barabartë të të gjithë qytetarëve, se teknikisht ka mekanizma të legjitimitetit demokratik, por ka edhe një elitë oligarkike qoftë e huaj apo vendëse që i mban politikanët në grusht”, përgjigjet Ypi.
Sigurisht që shpjegime të tilla kalojnë pa doganë në podcast-e të tilla, aq më tepër kur një kauzë e njejtë bashkon intervistuesen dhe të intervistuaren.
Ajo që na kërshëron është nëse një audiencë akademike do të miratonte një profesoreshë nga London School of Economics që flet paushallisht për “grupe”, “oligarkë” e “kontrollues të fshehtë”, dhe nuk dënjon për fakte.
Kualifikimi i një demokracie si “demokraci vetëm teknikisht” do të ishte interesant, për shembull, t’i përplasej për fytyre eurokratëve në Bruksel që ndryshe nga Ypi vendosën plusa vetëm te dosja shqiptare e integrimit, e jo te Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Kosova.
Kujt t’i besojmë atëherë: Ypit me shpatë ideologjike apo qindra ekspertëve në Bruksel që i kontrollojnë pikë-për-pikë provimet e demokracisë shqiptare?
‘Elitat’ që ne nuk i shohim, por vetëm të majtët i dallojnë
Ypi, pa e fshehur lumturinë, tregon sesi protestat e fundit ia thyen pesimizmin që kishte pasur për “shpirtin civik” në Shqipní.
Siç rrëfen, atë e kishte kapluar dëshpërimi që nuk kishte parë protesta kur Rama e Meloni nënshkruan marrëveshje për azilkërkuesit.
Besnike ndaj botëpamjes së saj të majtë, Ypi thotë se protestat e gjertanishme për çështje migrantësh bëhen vetëm nga e djathta dhe për motive ksenofobie.
Pengu i saj ështe që Shqipníja si vend emigrantësh nuk u bë fanar për të mbrojtur emigrantët (sic!).
Shqipníja në sytë e profesoreshës së marksizmit është vetëm ajo e “elitave oligarkike që mund ta kapin shtetin”.
Por, protestat flamingo, vijon ajo, janë një shembull ku të rinjtë duan që qeveria të bëhet llogaridhënëse.
Në muhabet e sipër, Ypit sikur i ngrin buzëqeshja në fytyrë kur kujton brishtësinë e një proteste të nisur vetvetiu, pa program të bashkuar e pa infrastrukturë që e mban gjatë.
“Mendoj se lëvizje si këto me lehtë shpërndahen sesa qëndrojnë”, është thagma e profesoreshës së marksizmit.
“Projekt radikal”
Sado që nuk ia zë goja të sugjerojë një parti të majtë, Ypi kërkon një ‘projekt radikal’.
Pa një të tillë, tërheq vërejtjen ajo, protestat do të përfundojnë duke zëvendësuar një individ me një tjetër.
Dhe kështu ndërsa sosen minutat e mbramë, dueti Dua-Lea e përfundon këngën e huaj me pak përgjigjje.
Bashkëbisedimi vërtet jep përgjigjje të thjeshta për ata që duan të shkatërrojnë të tashmen duke mos bërë shumë pyetje e duke ndjekur qorrazi vetëm bindje e perceptime që nuk pranojnë të sfidohen.
Një pjesë e madhe e publikut shqiptar përmbushjen më të madhe e gjen jo aq te një botë e re sesa te një e tashme që shpjegohet me terma të kollajshëm, si “oligarkë”, “grupe interesi”, “mafi” e “shitës të atdheut”.
Përgjigjjet e vërteta që nuk i dha dueti Dua-Lea mbase janë krejt të panevojshme nëse fillimisht nuk bëhen disa pyetje fort naive për Shqipnínë.
Pyetja e parë do të ishte sesi kjo copë toke, të cilën gjysma e popullatës e shan dhe e truan si skëterrë, është më afër BE-së se secili vend tjetër ballkanik?
Pyetja e dytë është nëse duhet t’i kërkojmë falje vetes sonë që kërkuam investime në atdhe dhe në momentin kur u shfaq një alamet investimi populli atdhetar i vuri flakën atij. /Nacionale/
“Komunistët shqiptarë – nga Mukja deri në Bujan – me vullnesë të plotë e zhbënë Kosovën si problem sepse e konsideruan atë si çështje jugosllave.” - ja ke fut pordhës Mehmeto! Paska shumë punë që të kuptosh historinë se si ka ndodhur! Humbje kohe shkrimi yt!
Ku e keni gjetur kete K qe ka bere kete shkrimin. O rrot k, gjithe shqiptaret bashke me dy zonjat e nderuara, jane duke protestuar ndaj hajdutit me te madh te kombit edi rames. Nuk do shume mend te kuptosh qe rama eshte padroni dhe padrine ne shqiperi. Gjithcka e vendos rama, kudo del rama, lejet i jep dhe i vjedh rama, fondet i sistemon rama, tokat dhe plazhet i jep kujt do rama.
Mozomakeq n’kale kush hypi,,, pat then n’Peqin nje plak,,, hahaha leo ypi,,, qenka ndez vajza flak..??? Qenka ba flak e kuqe,,, e kam nga kali tha sa hipa,,?? se ky dori ka do huqe,,?? ndaj leshon pickamen dua lipa…??Kuvendojne dy “sokolesha”???,,e po flasin per histori,,,,, me i pyet tha plaka deshta???, pse po m’dukeni si dy inxhi???… Si inxhi e plaka qesh,,,??, se kta shqipen e “flasin mire’”,??, i curasin ato vesh,,??,, me sha Shqipen kan deshire??,,..Fluturo Shqipe mbi male??,,, ndero fushat, pershendet kreshtat,,??, mbi Tirane krenain ndale,??,, s’kan cka t’bajne ty pleshtat,…..Kujto truallin a Atdheut,,,??, folen tende o Shqipe malit,,??,, n’Vjen shpaten e Skenderbeut,,,??, n’Vlore flamurin e Ismail Qemalit…,,,N’Qiellin e Shqipes rete e pastra,,,, fluturon drejte lartesis,,,? trimi i madh nga Gjirokastra,,?? qe ja tredhi bolet pabesis,,,,,.. Tradhtarve ju a cjerr maska,,, n’dac me laps e jatagana,,,, s’pyet Shqiperia per dy laraska,,??, se drangoj na bani nana
Muslims,kjo fare e keqe turkoshqipfoles (pro birazereve Palestinians or Iranians) ne di anet e kufirit mega problem per vatonin.... allah uakbar!
Intelektualët që jetojnë jashtë, zakonisht,janë shumë më pëpara se ata që jetojnë në moçalin ekzistencial dhe shoqëror të shoqërisë shqiptare ku nuk ekziston asnjë mendim ,etikë morale,apo sens estetik mbi modelet sociologjikë. Shoqëria shqiptare ka arritur në atë plagë morale që Heidegger quante "të njeriut llogaritës" dhe ku emocionet,pasionet dhe ndjenjat nuk kanë asnjë rëndësi,dhe ku vlera qëndron vetëm tek monedha. Pa rifituar këtë lloj sensibiliteti,shoqëria shqiptare nuk ka asnjë shpresë në të ardhmen.
Sipas artikullshkruesit, ( Col a Kol ), shqiptaret jane populli me i ndyre ne bote. Ata ndryshe nga fnjinjet tane, serbet, apo greket nuk kane luftuar kurre ndaj pushtuesve te vendit te tyre.... Ata kurdohere jane kthyer ne bashkepuntore te pushtuesve.,. Kjo ka ndodhur edhe ne kohen e para Skenderbeut, edhe ne kohen e Skenderbeut.... Kunder kujt luftoi Skenderbeu. Kunder nipit te tij. Hamzait, kunder Moisi Golemit, kunder Ballaban Pashes dhe shqiptare te tjere qe u prinin ushtrive kundershtare me ushtrine e Skenderbeut..... Po Ali Pashe Tepelena, kunder kujt luftoi?... Kunder shqiptareve te krahines se Sulit.... Kush e vrau Marko Bocarin, heroin e revolucionit grek?... Lleshi i Zi prej Mirdite........ Ne luften e pare botnore shqiptaret moren armet kundernjeri tjetrit, Trimat e Haxhi Qamilit, donin Baben. Ata te Esat Pashes dhe Bektash Cakranit, luftonin me ushtrine e Ismail Qemalit... Prek Cali me malesoret mesynin se bashku me malazezet te mernin Shkodren.......... . Po ne luften e dyte botnore. Ja lexoni Colin- Kolin. Shqiptaret luftuan me njeri tjetrin. Bandat komuniste luftuan kunder atdhetareve te ballit..... Ne atdhedashesit e medhenj qe i dime kufijtebe vjeter sipas gojedhenave qe nga Molla e Kuqe, Nish, deri ne Preveze. Si na i moren kto toka serbet e greket? Po Shkupin si na e moren sllavo maqedonasit? Ne luftetareve. Trimave te medhenj..... Sepse fqinjet tane nuk bashkepunuan kurre me pushtuesit si bashkepunuan dhe u vellazeruan shqiptaret.... Luftuan dhe fituan. Bile edhe humbjet i festojne si fitore. Beteja e FushKosoves..... Edhe kur nuk kane heronj, i shpikin. Edhe kur nuk kane luftuar kunder pushtuesve, shpikin legjenda e beteja. Ndersa ne jo. E kunderta. Nuk kemi luftuar as kunder italianeve, as kunde gjermaneve, thote Coli..... Atehere, cfare eshte ai flamur AUTOCTONUS, qe valevitet ne protesta... Ju bythpambuket do te merni Nishin? Di te merni Prevezen. Paraardhesit tuaj e paten dhe e leshuan. Pse nuk morem Beogradin? Pse nuk morem Athinen dhe Selanikun qe gjysma e tyre fliste shqip. Pse na iku Shkupi, ku flitej shqip? Se ne kemi qene Cola, apo Kola, qe edhe kur shkruajme, e bejme me mire sec do ta bente nje serb, nje grek apo nje sllavomaqedonas.
Shumë e saktë. Isha në Bullgari para ca kohësh. Dihet që Bullgaria ka qenë në koalicion me nazistët dhe nuk luftoi kundër tyre. Por u habita me numrin e madh të lapidarëve që pashë atje për luftën kundër gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore. Shqipëria ka derdhur gjak, që nga dita e parë e pushtimit, mirëpo shqiptarët bëjnë çmos të bindin botën duke thënë se Shqipëria nuk ka luftuar kundër pushtuesit, por luftuan kundër njeri tjetrit. Pra thonë se në Shqipëri nga viti 1939 deri në vitin 1944 ka pasur luftë Civile. Piikëë e zeezëëë !
Te dy ja keni fut kot, njeri gozhdes tjetri patkoit ! Na bete me u zgerdhi , hahaha Kjo e fundit ishte ne linjën tuaj . Hajt shnet
Ky Col-i, lëshon bajga si kjo "Komunistët shqiptarë – nga Mukja deri në Bujan – me vullnesë të plotë e zhbënë Kosovën si problem sepse e konsideruan atë si çështje jugosllave." Col-i duket se është ca injorant që nuk di se vendiimet për kufijtë midis shteteve në Luftën e Dytë Botërore i merrte Treshja e Madhe Fitimtare: Stalin-Ruzvelt-Çërçill. Absolute kjo! Tani ngrihet ky Col-i dhe kalon nga Lea Ypi te Dua Lipi për të ngatërruar plehrat e tij me plehrat e flamingove dhe mbush 4 faqe të Gazetës TEMA.
Harxhim kohe! Analizë sipas motos:" kështu ma ka qefi"
Paj zotin, a ka bir k... me e lexu kete artikull?! Me "AI" e ke bo? Se une skisha kohe me harxhu me e lexu, por ja cova "AI"-se, dhe me artikuloi emrin e autorit : KAR ME XHUNGA
analize e mire, duhet me shume kulture histori ke dhe fakte qe te jepet nje memdim shterues, asesi kjo anslize kap momente kyçe boll mire
Shkrim shumë i mirë që me shpresë mund të zgjojë nga gjumi ata që mrekullohen kur dëgjojnë mendime të një këngëtareje dhe një mësueseje që e njeh Shqipërinë nga televizori dhe gazetat online.
Do te doja te mos I merni seriozisht.Historia e kesaj periudhe eshte goxha e kopsitur mire.
Një shkrim me shumë përmbajtje, i shkruar me mjeshtëri.
Kjo Dua Lipa e kreu nevojën qe pati me Ramen dhe tani pa u marre vesh mire çfarë behet,kalon ne anen tjeter.Dua Lipa e ka ndertuar per vehte vilen ne zone te mbrojtur,ne Shqiperi dhe pasaportën shqiptare ja bene urgjent.Kurse Lea Ypi nuk e di nga e ka prejardhjen por ështe e majte ne çdo shkrim te sajin dhe duke patur parasysh te kaluaren tone ,per sot nuk mendoj se Shqiperia ka nevojë per ata te majte qe nuk mendojnë per kapitalizmin si sistem ekonomik