Dossier/ “Për mua ka qenë e vështirë si komunist kur dola kundër Partisë së Punës, s’kishte ardhur ende dhjetori”

21 Korrik 2026, 22:10Politika TEMA
Dossier/ “Për mua ka qenë e vështirë si komunist kur

Kur Sabit Brokaj replikonte me Sokol Olldashin në Parlament, në një debat me tjetër gjuhë e tjetër nivel nga ai që shohim sot në sallën e Kuvendit të Shqipërisë
Përjashtimi i disa deputetëve të opozitës socialiste nga seanca parlamentare në vitin 2006 shkaktoi reagime të forta në radhët e opozitës, e cila e cilësoi vendimin si shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe diskriminim politik. Përplasja kishte ardhur pas tentativës së deputetëve të opozitës për të bllokuar zhvillimin e seancës, një skenë që, edhe pse nuk ishte e pazakontë për parlamentin shqiptar të atyre viteve, zhvillohej në një klimë krejt tjetër nga ajo që karakterizon sot jetën parlamentare.
Në atë debat u përballën dy figura që i përkasin historisë politike të vendit. Sabit Brokaj, në atë kohë deputet i LSI-së, forcë politike e krijuar pak vite më heret pas ndarjes nga Partia Socialiste, dhe Sokol Olldashi, ministër i Brendshëm në qeverinë e dalë nga fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Debati mes tyre ishte i mbështetur mbi argumente, etikë parlamentare dhe respekt për kundërshtarin. Ishte një mënyrë komunikimi që sot duket thuajse e zhdukur nga salla e Kuvendit.
Kanë kaluar dy dekada. Sabit Brokaj dhe Sokol Olldashi nuk jetojnë më, ndërsa nga protagonistët e asaj kohe në sallën e Kuvendit ka mbetur vetëm Sali Berisha, I cili retorikën e ka njësoj të ashpër si atëherë edhe soty. Por krahasimi mes debatit të vitit 2006 dhe asaj që zhvillohet sot në Parlament nxjerr në pah jo vetëm ndryshimin e personazheve, por mbi të gjitha degradimin e kulturës parlamentare. Më poshtë sjellim replikën mes Brokajt dhe Olldashit, një debat politik i ashpër, por i zhvilluar me një gjuhë dhe standard që sot duket gjithnjë e më i largët nga realiteti i Kuvendit të Shqipërisë.
Seancë parlamentare mars 2006

 

 


Sokol Olldashi – Falemnderit,  zoti Kryetar!
Unë jam dakord me zotin Brokaj se nuk është mirë që deputetët të përjashtohen nga seanca. Por nuk e kam dëgjuar zotin Brokaj ta bëj këtë deklaratë për vite me radhë në rastet prishje seancash, kur deputetë qoftë të njërit krah apo tjetrit janë përjashtuar. Nuk e kam dëgjuar të stigmatizojë përdorimin e forcës dhe imponimin me forcë ndaj 140 deputetëve.
Në këtë Kuvend jemi të gjithë njësoj, të barabartë dhe u nënshtrohemi të gjithë të njëjtave rregulla. Nuk ka asnjë arsye pse dikush portën e Parlamentit ta hapë në mënyrë normale, duke përdorur duart dhe dikush tjetër t’u bjerë dyerve me shkelm dhe të thotë se kështu dua unë. Nuk ka dhunë më të madhe kur  secili nga përfaqësuesit e minorancës flet, drejtohet në mënyrën më agresive ndaj grupit të maxhorancës dhe përsëri grupi i maxhorancës, dëgjon, tregon dinjitet, pavarësisht se nuk miraton. Sapo ngrihet dikush nga maxhoranca, fillon kori i klithmave. Nuk ka dhunë më të madhe sesa për tri javë rresht ne po dëgjojmë këtu bandën e çakorduar frymore të PS-së. Është dhunë akustike. Nuk ka dhunë më të madhe sesa kur një grup njerëzish kanë vendosur të shkelin çdo lloj rregulli dhe të imponohen forcërisht për të bllokuar Kuvendin për të thënë që ne nuk duam të dimë se çfarë bën kjo maxhorancë, nuk duam të dimë se cili është verdikti i qytetarëve shqiptarë që kanë prodhuar një maxhorancë dhe një minorancë, këtu jemi ne dhe vendosim ne; në qoftë se nuk vendosim me ligj, vendosim me dhunë. Ky është Parlamenti juaj, kjo është metoda juaj e të vepruarit, kjo është ajo që ju po bëni.
Është turp, turp i madh që në këtë Parlament deputetët përpiqen të imponohen me forcë, të thyejnë, të shkatërrojnë dhe të shkelin çdo normë të Rregullores. Sa do të vazhdoni kështu? Duhet të kuptoni një gjë, krizën tuaj të lidershipit, krizën tuaj të çoroditjes së grupit parlamentar që ka gjashtë kryetarë dhe shtatë zëvendëskryetarë, nuk mundeni ta transplatoni në Parlament, sepse, sado të përpiqeni, sado të bërtisni, sado të fryni, sado të çirreni, me forcë nuk imponoheni dot.
Sabit Brokaj – Si kam qëndruar unë në ato situata të ngjashme, por rolet kanë qenë në krahun tjetër:
Ç’është e vërteta atëherë e kisha të lehtë se kisha përballë Fatos Nanon, ndaj dhe dola në opozitë me të, pothuajse që në vitin e parë kur erdhëm në pushtet. Për mua ka qenë e vështirë si komunist kur dola kundër Partisë së Punës, kur ende s’kishte ardhur as dhjetori, as PD-ja dhe doja largimin e asaj qeverie, të atyre udhëheqësve; të dilnin të burgosurit politikë, njerëz pikërisht si vetë Olldashi, që kanë qenë të dënuar padrejtësisht.
E thashë këtë jo për të treguar ndonjë histori, se shumëkush e di, por, në qoftë se unë flas dhe dal aty në podium, pas kësaj përvoje, e ndiej shqetësimin që gjërat kanë ngecur në vend dhe ecin prapa.
Unë do t’ju kujtoja, zotërinj të maxhorancës, një pjesë të të cilëve i njoh  dhe e di që kanë dinjitet dhe personalitet të mjaftueshëm, që të mendoni në momentet thelbësore me mendjen tuaj që të zgjasni jetën tuaj në politikë dhe pushtet. Po vazhduat nën komandë, të zeztë ju.

TemA

Lini një Përgjigje