Një 61-vjeçar ka humbur jetën të martën në fshatin Pozheran të Vitisë, pasi dyshohet se ka rrëshqitur aksidentalisht në ballkonin e shtëpisë së tij si pasojë e kushteve të vështira atmosferike.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Valon Osmani.
Sipas tij, rasti ka ndodhur rreth orës 16:30, kur një burrë i lindur në vitin 1965 dyshohet se ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, duke pësuar lëndime në kokë.
“I njëjti me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku sipas mjekut kujdestar është konstatuar se është pa shenja jete”, ka deklaruar Osmani.
Ai bëri të ditur se njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Ndërsa dy persona të tjerë nga fshati Pozheran kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi dyert hyrëse të oborreve të tyre janë rrëzuar nga kushtet atmosferike dhe i kanë rënë sipër.
Sipas Policisë, ata kanë marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan dhe më pas janë liruar për në shtëpi.
Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që gjatë motit të paqëndrueshëm të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
Lini një Përgjigje