Kryebashkiaku Pjerin Ndreu: Protestat ndikuan në turizëm, por Shëngjini mbetet një destinacion i frekuentuar

21 Korrik 2026, 23:00Politika TEMA
Kryebashkiaku Pjerin Ndreu: Protestat ndikuan në turizëm, por

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, deklaroi se protestat e zhvilluara gjatë kësaj vere kanë ndikuar në ritmin e rritjes së turizmit, duke sjellë anulime rezervimesh dhe një rënie të vizitorëve krahasuar me pritshmëritë.

Megjithatë, i ftuar në emisionin "Repolitix", Ndreu tha se Shëngjini vijon të mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara, jo vetëm nga turistët e Kosovës, por edhe nga vizitorë që vijnë nga Polonia, Çekia, Gjermania, Holanda, Anglia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Ai tha se nuk ka pasur një rënie shqetësuese të turistëve në Shëngjin, por pranoi se janë raportuar anulime rezervimesh pas publikimit në internet të fotove dhe lajmeve që, sipas tij, krijonin perceptimin se në Shqipëri kishte kaos.

"Do të kishim pretenduar të ishim akoma më lart. Është shumë e saktë ajo që ka thënë qeveria, që ne kemi çeduar në rritje, jo në pjesëmarrjen reale", u shpreh Ndreu.

Kryebashkiaku vlerësoi se stabiliteti i turizmit në Lezhë lidhet me pastërtinë, çmimet konkurruese, kulinarinë dhe investimet e bëra ndër vite.

Ndreu akuzoi një pjesë të mediave dhe portaleve online se kanë zhvilluar një "agresion" ndaj turizmit shqiptar, duke publikuar, sipas tij, lajme të pavërteta që dëmtojnë imazhin e vendit dhe të Shëngjinit në veçanti.

"Të paktën lajmet që janë shpërndarë për Lezhën, në mënyrë kategorike, nuk kanë thënë asnjëherë një lajm të vërtetë. Për hir të një mllefi kundër Edi Ramës, gjithçka tentohet të paraqitet sikur po shkatërrohet",- tha Ndreu.
Ai komentoi edhe disa episode gjatë protestave në Shëngjin, duke i cilësuar të papërshtatshme për një zonë turistike.

"Të shkosh mes pushuesve dhe të brohorasësh 'Rama jep dorëheqjen', kur turistët kanë ardhur për të pushuar, është pa lidhje",- tha Ndreu.

Lini një Përgjigje