Dhjetëra policë janë plagosur gjatë protestave në qytetin italian të Bolonjës, të shpërthyera pas vdekjes së Abderrahim Fakir, një burrë me origjinë marokene, i cili humbi jetën teksa mbahej me forcë nga efektivët e policisë.
Prokuroria ka hapur një hetim për vrasje të paqëllimshme ndaj oficerëve të policisë dhe personelit mjekësor të pranishëm në vendngjarje.
Mijëra persona protestuan të hënën në mbrëmje në qendër të Bolonjës duke kërkuar “drejtësi për Abderrahim Fakir”. Demonstrata nisi në mënyrë paqësore, por më vonë një grup prej rreth 100 protestuesish u përlesh me policinë, duke i vënë flakën edhe dy automjeteve. Sipas autoriteteve, gjatë trazirave mbetën të plagosur 64 efektivë policie.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se është e domosdoshme të zbardhet e vërteta mbi rrethanat e vdekjes së Fakirit, por theksoi se “asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj forcave të rendit”.
Ngjarja ndodhi të dielën në lagjen Pilastro të Bolonjës, pasi policia u njoftua nga një banor se Fakiri po sillej në mënyrë të çrregullt dhe po godiste dyert e garazheve. Sipas policisë, oficerët fillimisht u përpoqën ta qetësonin, por më pas përdorën sprej me piper për ta neutralizuar.
Një video e publikuar në mediat italiane tregon dy policë të ulur mbi Fakirin, i cili ndodhet me fytyrë përmbys në tokë dhe u kërkon vazhdimisht të ndalojnë.
Në pamje shihet edhe një civil që i mban këmbët, ndërsa personeli i ambulancës pret pranë vendit të ngjarjes. Pas rreth dy minutash, Fakiri ndalon së rezistuari dhe humbet ndjenjat. Oficerët i vendosin prangat në duar dhe këmbë, ndërsa më pas konstatojnë se ai nuk reagon.
Prokurorët e Bolonjës kanë nisur hetime për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës nga policia dhe veprimet e personelit mjekësor kanë ndikuar në vdekjen e 42-vjeçarit.
Disa dëshmitarë okularë thanë për mediat italiane se Fakiri ndodhej në gjendje të rënduar, por nuk përbënte kërcënim për askënd dhe ishte i paarmatosur.
“Nuk mund të vdesësh në këtë mënyrë. Ata e vranë pa mëshirë dhe unë dua të vërtetën“, deklaroi motra e tij, Khadija Fakir.
Kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, e cilësoi videon e ngjarjes si tronditëse dhe organizoi një manifestim në mbështetje të familjes së viktimës. Në protestë foli edhe mbesa e Fakirit, Yossra, e cila tha se xhaxhai i saj “meritonte ndihmë, të dëgjohej dhe të trajtohej me dinjitet”.
Pas përplasjeve, Lepore theksoi se shumica e protestuesve u mblodhën në mënyrë paqësore për të shprehur solidaritet me familjen, ndërsa incidentet u shkaktuan nga një grup i vogël që zgjodhi dhunën.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së policisë italiane, Domenico Pianese, mbrojti veprimet e efektivëve, duke deklaruar se, bazuar në pamjet e publikuara, ndërhyrja ishte kryer sipas procedurave. Ai kritikoi gjithashtu organizimin e protestës menjëherë pas ngjarjes, duke argumentuar se ajo krijoi terren për grupe radikale që të përplaseshin me policinë.
Hetimet për vdekjen e Abderrahim Fakir vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të analizojnë edhe pamjet e kamerave trupore të policëve për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.
Mire boll e kan italianet qe e kan mbushe vendin me islamike
Vrasja ishte në kushtet e torturës. Policë dhe personeli shëndetësor duhet të denohen për vrasje me dashje në bashkëpunim.