Për herë të parë, 16 regjisorë nga vende të ndryshme të botës do të qëndrojnë për dhjetë ditë në Shkodër, në kuadër të rezidencës ndërkombëtare kinematografike “Kino on the Road”.
Gjatë qëndrimit të tyre, pjesëmarrësit do të realizojnë filma me metrazh të shkurtër, të frymëzuar edhe nga qyteti, të cilët do të shfaqen në përfundim në Kinema “Republika”.
Organizatorët bënë të ditur se projekti realizohet në bashkëpunim mes Teatrit “Migjeni” dhe qendrës “Sloë Mill” në Milano.
Kjo nismë sjell për herë të parë në Shkodër një grup të gjerë kineastësh ndërkombëtarë, të cilët do të punojnë së bashku për krijimin e filmave të shkurtër.
“Projekti kinematografik është shumë i rëndësishëm. Është hera e parë që zhvillohet në Shqipëri dhe shpresojmë që të bëhet çdo vit. Janë 16 regjisorë që vijnë nga shtete të ndryshme të botës. Për 10 ditë do të qëndrojnë në Teatrin “Migjeni”, do të qëndrojnë në Shkodër dhe do të xhirojnë rreth pesë ose gjashtë filma me metrazh të shkurtër”, tha Gerti Palali. Drejtor, Teatri “Migjeni”.
“Nuk kemi një temë të caktuar. Në nivel makro, do të thoja se tema është promovimi i qytetit tonë, qoftë përmes muzeve, lokaleve apo Kalasë”, tha Besmir Rrjoli, themelues, “Slow Mill”
Kjo rezidencë shërben si një përvojë me vlerë për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët do të kenë mundësi të shkëmbejnë njohuri, të bashkëpunojnë dhe të mësojnë përmes praktikës.
“Nuk është një festival kompetitiv, nuk fitohet asgjë. Fitohet vetëm bashkëpunimi dhe studimi. Disa prej tyre janë profesionistë, ndërsa disa janë ende studentë. Edhe fakti që mund të punojnë së bashku dhe të shkëmbejnë njohuri me njëri-tjetrin ka një vlerë të madhe”, tha Mateo Çili, përgjegjës, Kino Movement Milano.
Filmat e realizuar gjatë rezidencës ndërkombëtare do të prezantohen në një shfaqje përmbyllëse në Kinema “Republika”. A.K./TemA
Lini një Përgjigje