Letërsia ka fuqinë të kapërcejë oqeanet dhe dekadat, por përkthimi i saj kërkon një ndërmjetës të aftë për të ruajtur jo vetëm fjalët, por edhe frymën e një epoke.
Për të biseduar rreth kësaj, në episodin e radhës të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, na bashkohet përkthyesi dhe historiani Alen Bejko, i cili sapo ka sjellë në shqip përkthimin librin ‘Kalamaj’ të Patti Smith
Në qendër të librit është marrëdhënia mes Patti Smith dhe Robert Mapplethorpe: dy të rinj ende të panjohur, që përpiqen të mbijetojnë në Nju Jorkun e fundviteve ’60, përpara se të bëheshin figurat kulturore që njohim sot. Të varfër, të pasigurt dhe shpesh në kufijtë e mbijetesës, ata lëvizin mes dhomash të lira, kafesh, hotelesh, galerish dhe rrugësh, të mbajtur bashkë nga dashuria, miqësia dhe një besim pothuajse i frikshëm se arti do t’i jepte formë jetës së tyre.
Alen rrëfen sfidat e sjelljes në shqip të një libri kaq thellësisht amerikan. ‘Kalamaj’ nuk është vetëm rrëfim për rininë dhe formimin artistik, por edhe një libër i mbushur me atmosferën e Nju Jorkut të viteve ’70, Chelsea Hotel, imazhe katolike, fotografi analoge, gjuhë rruge, poezi, muzikë dhe kulturën boheme që formoi brezin e Patti Smith-it. Për Alenin, sfida nuk ishte thjesht përkthimi i fjalëve, por ruajtja e ritmit, teksturës dhe kujtesës kulturore të një bote të tërë.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës ndalet te puna e padukshme e përkthimit: kërkimi i termave të saktë katolikë, shmangia e dialekteve si zgjidhje e lehtë për dallimet amerikane, si edhe vështirësia për të gjetur në shqip fjalorin e fotografisë analoge. Aleni tregon se si disa fjalë të vjetra ose rrallë të përdorura në shqip u bënë pjesë e atmosferës së librit, duke hapur një shtresë tjetër kujtese: jo vetëm kujtesën e Patti Smith-it për Nju Jorkun, por edhe kujtesën që ruhet brenda vetë shqipes.
Biseda kthehet më pas te lidhja mes Patti Smith dhe Robert Mapplethorpe, një marrëdhënie që nuk hyn lehtë në kategori. Është dashuri, por jo vetëm romancë; miqësi, por më shumë se shoqëri; një aleancë artistike ku dy njerëz duket sikur e njohin njëri-tjetrin përpara se t’i njohë bota. Në këtë kuptim, libri ngre edhe një pyetje më të thellë: a mund ta ndihmojnë dy njerëz njëri-tjetrin të bëhen vetja, pa e zotëruar njëri-tjetrin?
E vendosur në një Amerikë të trazuar nga Lufta e Vietnamit, Watergate-i dhe rënia e autoriteteve të vjetra, historia e Patti-t dhe Robertit lexohet edhe si pjesë e një momenti më të madh kulturor. Aleni e sheh Nju Jorkun e asaj kohe si një hapësirë fermenti dhe vakumi, ku figura që deri dje rrinin në të njëjtat kafene boheme mund të shndërroheshin papritur në emra me peshë ndërkombëtare.
Një bisedë e pasur me histori kulturore, jo vetëm për përkthimin e një libri, por edhe për mënyrën si gjuha ruan kujtesën, si artistët formohen përpara se të njihen dhe si një histori dashurie nga Nju Jorku i viteve ’70 mund të gjejë një jetë të re në shqip.