Krahina e Mokrës do të presë më 8 gusht edicionin e shtatë të “Mokra n’Fest”, një aktivitet që synon të sjellë në vëmendje traditat, zakonet dhe trashëgiminë kulturore të kësaj zone.
Nën sloganin se “Mokra nuk është vetëm një vend për t’u vizituar, por për t’u jetuar”, festa do të zhvillohet në Urën e Gurit në Golik, ku për një ditë do të ndërthuren muzika, vallet, gatimet tradicionale dhe aktivitetet që përcjellin identitetin e krahinës.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje dhe një mesazh për Mokrën, duke e cilësuar një vend ku “fyelli zgjon malet dhe daullja rreh në të njëjtin ritëm me zemrat”.
“Ekziston një vend ku fyelli zgjon malet dhe daullja rreh në të njëjtin ritëm me zemrat. Ku vallja nuk është vetëm kërcim, por trashëgimi. Ku duart që gatuajnë lakrorin dhe kulaçin ruajnë shijen e brezave, e ku çdo gur e çdo shteg ka një histori për të treguar. Kjo është Mokra. Një krahinë që nuk të fton vetëm ta vizitosh, por ta jetosh. Më 8 gusht, te Ura e Gurit në Golik, tradita merr jetë Mokra n’Fest 2026 ju pret”, shkruan Rama.
Në “Mokra n’Fest” vizitorët do të kenë mundësi të njihen me zakonet e zonës, gatimet tradicionale, lojërat popullore, sportet, aktivitetet me kuaj, si dhe koncertet me muzikë tradicionale e bashkëkohore.
Festa njihet edhe si “festa e kulaçit dhe e dollisë”, duke promovuar shijet dhe mikpritjen karakteristike të Mokrës, ku gatimet e vjetra dhe ritualet tradicionale mbeten pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor. A.K./TemA
Na tregoni ku bie Mokra,qe te marrim pjese edhe edhe ne ne feste?
Zona Korces