Rusia godet me raketa balistike qytetet ukrainase, 4 viktima dhe 36 të plagosur

19 Korrik 2026, 19:50Bota TEMA
Rusia godet me raketa balistike qytetet ukrainase, 4 viktima dhe 36 të

Një valë e re sulmesh me raketa balistike është regjistruar gjatë natës në disa qytete të Ukrainës, duke shkaktuar të paktën 4 viktima dhe 36 persona të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase.

Sulmet më të rënda u raportuan në qytetin lindor të Kharkivit, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Ndërkohë, në kryeqytetin Kiev, një person u vra dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur nga goditjet me raketa.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin ndaj Kievit si një prej sulmeve më masive me raketa balistike që nga nisja e pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.

Sipas forcave ukrainase, mbrojtja ajrore arriti të rrëzojë 18 nga 41 raketat e lëshuara gjatë natës, ndërsa u neutralizuan edhe 108 dronë rusë. Sulmet shkaktuan dëme në ndërtesa banimi dhe objekte të tjera civile, përfshirë një supermarket dhe një konvikt në rajonin e Kievit.

Në Kharkiv, një terminal postar në periferi të qytetit u godit nga raketat. Tre viktimat ishin burra të moshës 24 deri në 62 vjeç, ndërsa disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.

Zelensky deklaroi se gjatë javës së fundit Rusia ka përdorur ndaj Ukrainës mbi 1 mijë e 450 dronë sulmues, më shumë se 1 mijë e 640 bomba të drejtuara dhe 99 raketa të llojeve të ndryshme.

Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike ruse, veçanërisht rafinerive të naftës. Kievi vijon t’u kërkojë aleatëve perëndimorë sisteme të reja mbrojtjeje ajrore për përballimin e sulmeve me raketa balistike.

Lini një Përgjigje