Publikohen formacionet zyrtare të finales së Botërorit 2026, Spanja me surpriza, Argjentina zbret me Messin

19 Korrik 2026, 19:40Sport TEMA
Publikohen formacionet zyrtare të finales së Botërorit 2026,

Gjithçka është gati për finalen e madhe të Botërorit 2026, ku Spanja dhe Argjentina do të përballen sonte në New Jersey për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Për herë të parë në histori, në finalen e Kupës së Botës përballen kampionia në fuqi e Evropës dhe kampionia në fuqi e Amerikës së Jugut. “La Roja” kërkon trofeun e dytë botëror, ndërsa “Albiceleste” synon të mbrojë titullin e fituar katër vite më parë dhe të shkruajë një tjetër kapitull të artë në historinë e saj.

Trajnerët Luis de la Fuente dhe Lionel Scaloni kanë publikuar formacionet zyrtare, me disa surpriza në të dyja kampet. Spanja ka zgjedhur të lërë në stol Pedrin, ndërsa Argjentina ka preferuar Julian Alvarez në sulm, duke mos aktivizuar nga minuta e parë Lautaro Martinez.

SPANJA: Unai Simon; Pedro Porro, Cubarsi, Laporte, Cucurella; Rodri, Fabian Ruiz; Lamine Yamal, Dani Olmo, Baena; Oyarzabal.

ARGJENTINA: Emiliano Martinez; Montiel, Romero, Lisandro Martinez, Tagliafico; De Paul, Enzo Fernandez, Mac Allister; Nico Gonzalez; Lionel Messi, Julian Alvarez.

Spanja vjen në këtë finale pas një rrugëtimi dominues, duke pësuar vetëm një gol gjatë gjithë turneut dhe duke eliminuar në fazat me eliminim direkt Austrinë, Portugalinë, Belgjikën dhe Francën.

Nga ana tjetër, Argjentina ka siguruar finalen e shtatë në historinë e saj dhe vjen pas një serie prej 14 ndeshjesh radhazi pa humbje. Kampionët në fuqi kërkojnë të bëhen vetëm kombëtarja e tretë në histori që fiton dy Kupa Bote radhazi.

Finalja sjell edhe një përballje simbolike mes dy brezave: Lionel Messi, i cili pritet të luajë ndeshjen e fundit në një Botëror, dhe talentit spanjoll Lamine Yamal, një nga yjet më të spikatur të këtij edicioni.

Bilanci historik mes dy skuadrave është i barabartë, me nga gjashtë fitore për secilën kombëtare dhe dy barazime. Sonte, në New Jersey, do të shpallet kampioni i ri i botës.

1 Komente

  1. C
    CR.7

    Argjentines se Mesit i urojme fitoren e Boterorit.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje