Times Square në Nju Jork u shndërrua në një ‘det flamujsh bardheblu’, këngësh dhe festimesh, pasi mijëra tifozë argjentinas zhvilluan një tubim madhështor përpara finales së Kupës së Botës ndaj Spanjës.
Kryqëzimi më i famshëm në botë, i njohur për turistët dhe personazhet e famshëm si Spider-Man, Mickey Mouse apo Elmo, këtë herë pati një protagonist të veçantë: një imitim të Lionel Messit, i cili u rrethua menjëherë nga turma e tifozëve argjentinas.
Festimi në Times Square nisi në orët e para të mbrëmjes dhe vazhdoi për disa orë, ku kishte me mijëra persona që këndonin dhe valëvitnin flamujt e Argjentinës. Shumë prej tyre kishin ardhur vetëm për të përjetuar atmosferën e finales, edhe pse nuk kishin bileta për ndeshjen.
Një prej tifozëve, Nazarena, me origjinë nga Buenos Aires dhe që jeton në Atlanta, tha se nuk mund të mungonte në këtë moment të veçantë. “Është vendi im. Jetoj tani në Shtetet e Bashkuara, por duhej të vija këtu. Atmosfera, vendi im, njerëzit e mi – gjithçka është fantastike”, u shpreh ajo për ABC News.
Shumë tifozë argjentinas e përshkruan lidhjen me kombëtaren si një ndjenjë krenarie dhe bashkimi. “Ne mund të mos jemi mirë ekonomikisht dhe mund të kemi probleme në shumë fusha, por kemi një zemër të madhe. Forca Argjentina”, tha një prej tifozëve.
Edhe tifozët spanjollë ishin të pranishëm në Nju Jork dhe organizuan aktivitetet e tyre përpara finales. Ata pranuan se numri i argjentinasve ishte shumë i madh, por besojnë tek ekipi i tyre.
“Mendoj se argjentinasit, kudo që shkojnë, sjellin shumë njerëz. Spanjollët ndoshta nuk janë aq shumë në numër, por ata që vijnë bëjnë shumë zhurmë dhe mbështesin fort ekipin”, tha një tifoze spanjolle.
Një nga qendrat kryesore të komunitetit spanjoll në Nju Jork ishte La Nacional Spanish Benevolent Society, një institucion i themeluar në vitin 1868, i cili ka shërbyer si pikë takimi për spanjollët në qytet gjatë gjithë Botërorit.
Qindra tifozë pritej të mblidheshin aty për finalen, ndërsa komuniteti spanjoll përgatitej për festime në rast të një fitoreje të ekipit të tyre.
“Spanjollët e përjetojnë futbollin me shumë pasion. Gjatë këtij Botërori kemi qenë një pikë referimi për komunitetin spanjoll këtu”, tha Ania Lopez, menaxhere e komunitetit në La Nacional.
Finalja mes Argjentinës dhe Spanjës nuk është vetëm një përballje sportive, por edhe një spektakël i madh jashtë fushës, ku tifozët nga të dyja vendet dëshmopjnë dashurinë e tyre për futbollin.

Lini një Përgjigje