Armëpushimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në thelb ka dështuar, pasi tensionet midis dy vendeve janë përshkallëzuar në mënyrë dramatike gjatë javës së kaluar.
Muajin e kaluar, Uashingtoni dhe Teherani arritën një Memorandum Mirëkuptimi që synonte uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut.
Ja një kronologji e zhvillimeve që nga fillimi i korrikut, sipas një analize nga rrjeti amerikan 'CNN':
1 korrik: Negociatorët amerikanë dhe iranianë takohen në Doha, Katar, për bisedime indirekte. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, kontaktet po bëjnë "përparim pozitiv".
7 korrik: Irani hap zjarr ndaj tre anijeve tregtare në ujërat territoriale të Omanit, pranë Ngushticës së Hormuzit, sipas një zyrtari amerikan. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njofton se ka nisur sulme ushtarake kundër Iranit në "hakmarrje".
8 korrik: Teherani paralajmëron se do të përgjigjet me "hakmarrje dërrmuese" ndaj sulmeve të SHBA-së. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) njoftojnë se kanë goditur 85 objektiva ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt. Po atë ditë, Donald Trump, duke folur në samitin e NATO-s në Turqi, e përshkruan Iranin si "njerëz të lig dhe të sëmurë" dhe deklaron se Memorandumi i Mirëkuptimit "nuk është më i vlefshëm". Disa orë më vonë, SHBA-të nisin një valë të re sulmesh.
9 korrik: Teherani ankohet se sulmet amerikane shkatërruan një urë hekurudhore në Iranin verior. CENTCOM raporton se forcat amerikane kanë goditur rreth 90 objektiva ushtarake. Ndërkohë, një zyrtar amerikan i thotë CNN se bisedimet teknike mbi programin bërthamor po vazhdojnë.
10 korrik: Trump njofton se bisedimet me Iranin do të vazhdojnë, por sqaron se Uashingtoni e ka informuar Teheranin se armëpushimi konsiderohet i përfunduar. Kryenegociatori iranian, Mohammad Bayer Ghalibaf, deklaron se vendi i tij është gati për "mbrojtje totale" në rast të shkeljes së marrëveshjes nga SHBA-të. Administrata Trump njofton sanksione të reja kundër Iranit.
11 korrik: Ministri i jashtëm iranian akuzon SHBA-të për shkelje të një kushti të Memorandumit të Mirëkuptimit në lidhje me programin bërthamor të vendit.
12 korrik: Trupa e Gardës Revolucionare Islamike njofton se po mbyll Ngushticën e Hormuzit pasi qëlloi të shtëna paralajmëruese ndaj një anijeje që u përpoq të kalonte nëpër një korridor detar të paautorizuar. SHBA-të nisin sulme të reja, duke këmbëngulur që Ngushtica të mbetet e hapur.
13 korrik: Sulmet amerikane vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Iranit, me mediat iraniane që raportojnë të paktën dy vdekje. Trump thotë se do të rivendosë një bllokadë ndaj anijeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, dhe sulme të reja pasojnë gjatë natës.
14 korrik: IRGC njofton se ka "goditur dhe çaktivizuar" dy "supertankerë të pakontrolluar". Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar raportojnë se dy tankerë u goditën nga raketa ndërsa kalonin nëpër rrugën jugore të Ngushticës së Hormuzit. SHBA-të nisin një valë të re bombardimesh.
15 korrik: Teherani njofton se më shumë se 30 civilë janë vrarë ditët e fundit nga sulmet amerikane. Në hakmarrje, thotë se ka goditur instalimet ushtarake amerikane në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani.
16 korrik: Një shpërthim i fuqishëm trondit Teheranin, ndërsa media shtetërore raporton se sulme po ndodhin në pjesë të ndryshme të vendit. Forcat e armatosura të Jordanisë dhe Kuvajtit njoftojnë se kanë interceptuar sulmet iraniane. Po atë mbrëmje, SHBA-të nisin sulme të reja në të gjithë Iranin.
Lini një Përgjigje