FIFA ka sqaruar një nga dilemat më të mëdha për finalen e shumëpritur të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet këtë të diel në stadiumin MetLife në New Jersey.
Institucioni më i lartë i futbollit botëror ka bërë të ditur se pushimi mes dy pjesëve të finales nuk do të zgjasë më shumë se 17 minuta. Kjo do të thotë se do të jetë vetëm dy minuta më i gjatë se pushimi standard i një ndeshjeje futbolli.
FIFA ka njoftuar federatat e Spanjës dhe Argjentinës se nga këto 17 minuta, rreth 11 minuta do t’i kushtohen performancave muzikore të artistëve të ftuar, mes tyre Shakira, Madonna dhe Justin Bieber.
Kohët e fundit kishte raportime se për shkak të numrit të madh të performancave, pushimi i finales mund të zgjatej mbi 30 minuta, por FIFA ka dashur të sqarojë se kjo nuk do të ndodhë.
Sipas organizatorëve, pjesa tjetër e kohës, rreth 6 minuta, do të përdoret për montimin dhe çmontimin e skenës së spektaklit muzikor, si dhe për ujitjen e fushës.
Kujdesi për barin e stadiumit “MetLife” është një nga shqetësimet e stafit teknik të Spanjës. Në ndeshjet e mëparshme të zhvilluara në këtë impiant, fusha është konsideruar më e thatë se zakonisht, duke ndikuar në ritmin e lojës.
Për këtë arsye, ujitja e terrenit gjatë pushimit të finales shihet si një element i rëndësishëm për të garantuar kushte sa më të mira për dy skuadrat.
Ndërkohë, nuk do të ndryshojë rregulli për pushimet e hidratimit. Për shkak të temperaturave të larta gjatë këtij Botërori, FIFA do të lejojë sërish dy ndërprerje hidratimi, nga një në secilën pjesë të lojës.
Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të turneut, ndërsa përveç përballjes sportive, vëmendja është përqendruar edhe te organizimi spektakolar jashtë fushës.
Lini një Përgjigje