Bulevardi, Republika e Mikrofonit

17 Korrik 2026, 22:20Blog Nga Minella Aleksi

Në një stinë kur qyteti zakonisht zbrazet, protesta në bulevard u rendit mes çudirave të verës, si një anomali që sfidoi sezonin. Mes miqsh e vlerësonim protestën si ushqim të demokracisë, janë vaktet e saj, njëlloj si buka e gjëlla për organizmin e njeriut. Besoj pranohet se, kur protestat mungojnë, demokracia nuk bëhet më e qetë, përkundrazi bëhet më e dobët. Ka nga ata që i shohin protestat si sëmundje të demokracisë. Besoj fort se demokracisë sëmundja i fillon kur askush nuk ka më oreks të flasë. Asnjë protestë e madhe nuk lind nga hiçi, ajo është fryti i një zemërimi të akumuluar që një ditë shpërthen. Por protestat nuk jetojnë vetëm nga zemërimi i ditës së parë. T'a nisësh është e vështirë, t'a mbash gjallë, kur koha konsumon entuziazmin dhe rutina sfidon vendosmërinë, është sprova e vërtetë. Gjatë kësaj periudhe sprove mendoj se u vunë re disa “dobësi” organizative, që të përsëritura në rrugë e sipër e gërryejnë besimin e njerëzve në mbarëvajtjen dhe qëllimin e protestës. Mbase dikujt mund t'i duket një gjë e vogël, ose e parëndësishme, por duhet mbajtur parasysh se disa difekte të vogla krijojnë një difekt të madh, humbjen e besimit. Forca e një proteste matet me qartësinë e së vërtetës, jo me intensitetin e emocioneve. Një protestë e fortë nuk fillon me një dënim; ajo fillon me një diagnozë. Ajo nuk pyet fillimisht "kë të fusim në burg?", por "çfarë ka shkuar keq që kemi mbërritur deri këtu?". Vetëm pasi shoqëria i përgjigjet kësaj pyetjeje, drejtësia ka vendin e saj. Përndryshe, protesta rrezikon të tingëllojë si një gjykatë që ka dhënë vendimin përpara se të ketë shpjeguar akuzën.Protesta ekziston për të ngritur pyetje, për të artikuluar padrejtësi dhe për të kërkuar ndryshim; jo për të shpallur vendime gjyqesh popullore. Paradoksi bëhet edhe më i madh kur, pasi protesta hapet me tone gjykate popullore, organizatorët u bëjnë thirrje njerëzve të lënë kafenetë dhe t'u bashkohen. Por njerëzit nuk lënë kafenë për t'u bashkuar me një protestë që u kërkon fillimisht të brohorasin vendime gjyqesh si të kohës së komunizmit. Ata e lënë kafenë kur ndiejnë se në bulevard po artikulohet një e vërtetë që i përfaqëson.

Zemërimi mund t'i mbledhë njerëzit në shesh, por vetëm besimi i mban të bashkuar. Kur ky i fundit fillon të tretet, protesta humbet ngadalë arsyen e saj të ekzistencës, edhe nëse pamja e jashtme mbetet e pandryshuar. Mendoj se çfaqja e fëmijve nën moshën 14 vjeç, mbi shkallë me mikrofonin në dorë, është një nga arsyet që dobëson besimin te ata që e ndjekin protestën. Që lëkunden të shkojnë atje në shesh apo edhe që me pamjen e fëmijës u shtohet frenimi për pjesëmarrje. Pyetja nuk është çfarë tha fëmija. Pyetja është: pse duhej të ishte ai aty? Mendoj se ka argumente të forta për të thënë se, vendosja e fëmijëve në mikrofon gjatë një proteste është një zgjedhje e gabuar, pavarësisht kauzës që mbështet protesta. Së pari fëmijët në protestë të kujtojnë pionierët e kohës së komunizmit të cilët, pasi kishin denoncuar në polici një njeri të huaj në rrugët e fshatit apo një të dyshuar si diversantë, thërriteshin nëpër shkolla si shëmbull patriotësh të ardhshëm, Mos jemi duke trainuar patronazhistët e së ardhmes së partisë!. Demokracia nuk ka nevojë për fëmijë të rreshtuar, por për të rritur që dinë të mendojnë me kokën e tyre. Fëmijët duhen mësuar të bëjnë pyetje, jo të recitojnë parulla me disiplinë automatike. Përndryshe, pa e kuptuar, mund të jemi duke zëvendësuar edukimin qytetar me stërvitjen e një brezi që bindjen do ta ketë refleks të kushtëzuar, si dikur kafshët e Pavlovit. Debati kryesor lidhet me faktin nëse fëmija po shpreh vullnetin e vet dhe po merr pjesë në një aktivitet të përshtatshëm për moshën, apo nëse po shndërrohet nga një simbol pafajësie në një agjitator për të bindur të rriturit. Fëmija është simbol i së ardhmes, por kur e ardhmja vendoset në skenë vetëm për të zbukuruar një ideologji, pafajësia e tij rrezikon të kthehet në dekor të një mesazhi që nuk i përket atij. Pyes: pse Republika e Mikrofonit arriti në përfundimin befasues kur vendosën që interesin e tyre protestues t'a veshin me zërin e pafajsisë fëminore? Për të prekur më shumë zemrat e të rriturve? Apo ndjenë që përgjegjësia ishte shumë e rëndë për supet e të rriturve, prandaj vendosën t'ua besonin fëmijve. Kësaj i thonë që t'ia kalosh barrën dikujt që nuk e kupton ende peshën e saj. Publiku prekej nga zëri i fëmijve. Gazetat shkruajnë se demokracia më në fund kishte gjetur zërin e saj.

Askush nuk pyeti pse ai zë kishte ende dhëmbë qumështi. Në vend të argumentit, simboli. Në vend të reflektimit, ndjesia. Në vend të peshës së fjalës, pesha e figurës së fëmijës.

Dhe kështu, publiku largohet i prekur, por jo domosdoshmërisht i ndriçuar. Sepse emocioni është si një shkrepëse, ndizet menjëherë, por shuhet po aq shpejt. Vetëdija, përkundrazi, është zjarr që kërkon dru, kohë dhe guxim. Truri i njeriut nuk është kuti që duhet mbushur me emocion, ka boll, por është një zjarr që duhet ndezur me argumente. Ironia është se fëmijët zakonisht thirren si "e ardhmja". Por e ardhmja nuk ka pse të mbajë mikrofonin për të justifikuar të tashmen.

Nëse mesazhi i protestës është i fortë, ai ecën me këmbët e veta. Nuk ka nevojë të mbahet për dore nga një fëmijë.

Sepse në fund mbetet vetëm një pyetje, e thjeshtë dhe e pakëndshme: nëse fjala e të rriturve nuk mjafton pa zërin e një fëmije, problemi është te mungesa e zërit... apo te mungesa e peshës së fjalës?

Kur një fëmijë dhjetëvjeçar flet me fjalë që duken më të vjetra se vetë ai, nuk dihet çfarë duhet të admirosh më shumë: kujtesën e fëmijës apo skenaristin e rritur. Problemi nuk është fëmija. Problemi është mungesa e besimit te argumentet e vetë të rriturve. Ironia është se protesta, e cila pretendon të zgjojë ndërgjegjen qytetare, përfundon duke kërkuar mbështetje nga ata që ende nuk kanë moshën për të votuar, e shpesh as për ta kuptuar konfliktin politik. Është sikur një kauzë të kërkojë forcë jo te bindja e qytetarëve të rritur, por te efekti sentimental i fëmijërisë.

Në fund, protesta nuk fiton asgjë nga kjo. Përkundrazi. Nëse një protestë ka nevojë që loti të flasë më fort se argumenti, ndoshta nuk dyshohet te publiku, por te vetë fuqia e së vërtetës. Skena ia lë vendin melodramës. Regjia fiton efektin, ndërsa protesta humbet fuqinë e arsyes. Protesta nuk fiton besimin e qytetarëve duke u kërkuar atyre të lënë kafenë por, kur u jep një arsye më të fortë sesa rehatia e tavolinës, për t'u ngritur.

Lini një Përgjigje