Produktet unike të traditës, mjeshtëria e artizanëve vendas dhe markat shqiptare do të kenë tashmë një mburojë të fortë ligjore përballë kopjimit dhe konkurrencës së pandershme. Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, ka shqyrtuar dhe miratuar një paketë të rëndësishme projektligjesh që prekin Kapitullin 7 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke sjellë ndryshime rrënjësore në fushën e Pronësisë Intelektuale dhe Industriale.
Ndryshimet e reja ligjore, të prezantuara nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, dhe deputetja Ilva Gjuzi, synojnë të kthejnë identitetin rajonal dhe traditën në një vlerë të mbrojtur ekonomike.
Për herë të parë, regjim i posaçëm për treguesit gjeografikë të artizanatit
Një nga nismat më të rëndësishme të miratuara është projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”. Ky ligj krijon për herë të parë në Shqipëri një regjim të posaçëm dhe mekanizma të qartë regjistrimi për ato produkte që marrin vlerë pikërisht nga origjina e tyre rajonale.
Sipas projektligjit, produktet që lidhen ngushtë me një zonë të caktuar gjeografike dhe që fitojnë emër falë traditës dhe mjeshtërisë vendase (siç mund të jenë punimet e drurit, qeramikës, tekstilet tradicionale apo qilimat e zonave të ndryshme), do të regjistrohen në një bazë të dhënash të mbrojtur. Kjo parandalon abuzimin me emrin e këtyre zonave nga prodhues të tjerë dhe rrit vlerën e tyre në tregun ndërkombëtar.
Gjatë mbledhjes, relatorja e këtij projektligji, deputetja Zeqine Çaushi, vlerësoi faktin se ky ligj plotëson një boshllëk të madh dhe mbron direkt trashëgiminë dhe punën e artizanëve shqiptarë.
Mbrojtje më e fortë për disenjot dhe sekretet tregtare
Pjesë e kësaj pakete ishin edhe dy nisma të tjera të rëndësishme për markat dhe bizneset:
Ky projektligj rregullon në mënyrë të plotë marrëdhëniet juridike dhe ofron një mbrojtje shumë më të gjerë e më të fortë për disenjot industriale. Për shkak të rolit të madh që dizajni dhe identiteti vizual luajnë në suksesin tregtar të kompanive, ligji i ri mbron krijuesit vendas dhe të huaj në tregun e brendshëm, duke u harmonizuar plotësisht me aktet e BE-së.
Përmes ndryshimeve në ligjin “Për pronësinë industriale” (nismë e deputetes Ilva Gjuzi), Shqipëria adreson rekomandimet e rrepta të Komisionit Evropian nga procesi i screening-ut. Ky ligj garanton mbrojtje efektive për informacionin tregtar të pazbuluar dhe njohuritë teknike (know-how) që kanë vlerë ekonomike për kompanitë, duke ndëshkuar çdo rrjedhje apo vjedhje të informacionit të biznesit.
Relatori i kësaj nisme, deputeti Ani Dyrmishi, konfirmoi se projektligji garanton përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe rregullat evropiane, duke i dhënë biznesit më shumë siguri juridike.
Pas miratimit në parim, nen për nen dhe në tërësi nga Komisioni i Ligjeve, kjo paketë që modernizon mbrojtjen e markave, sekreteve tregtare dhe produkteve të artizanatit shqiptar, i ka kaluar seancës plenare të Kuvendit për votim përfundimtar.
Lini një Përgjigje