Gjatë gjysmës së parë të vitit Koreja ishte vendi kryesor i origjinës së automjeteve të regjistruara për herë të parë në Shqipëri. Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), tregojnë se automjetet e importuara nga ky shtet përbëjnë 25.2% të totalit të regjistrimeve të reja, duke ruajtur vendin e parë në listën e vendeve nga ku shqiptarët zgjedhin të importojnë automjetet e tyre.
Pas Republikës së Koresë renditet Kina, me 16.9% të mjeteve të regjistruara për herë të parë. Rritja e pranisë së automjeteve me origjinë kineze reflekton tendencën e viteve të fundit, ku prodhuesit aziatikë po ofrojnë modele të reja dhe teknologji bashkëkohore, veçanërisht në segmentin e automjeteve elektrike dhe hibride.
Ndërkohë, Gjermania vijon të mbetet një nga burimet kryesore të automjeteve të importuara në Shqipëri. 12% e mjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë periudhës janar- qershor 2026 janë me origjinë nga Gjermania. Pas saj renditet Italia me 11.6% duke konfirmuar se tregjet tradicionale evropiane vijojnë të kenë një peshë të rëndësishme në importin e automjeteve në vend.
Nga ana tjetër, mjetet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë 8.1% të totalit, si dhe Zvicra me 6.8%. Automjetet që vijnë nga këto vende vazhdojnë të jenë të preferuara nga një pjesë e qytetarëve shqiptarë.
Referuar të dhënave të DPSHTRR- së, automjetet me origjinë aziatike po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, ndërsa importet nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë një rol të rëndësishëm në flotën e automjeteve që i shtohen qarkullimit rrugor në vend.
Lini një Përgjigje