Muli sot kishte ditën e tij më të lumtur. Më në fund zgjedhjet mbaruan dhe dilemat u shuan. Ai u konfirmua si nr. 2 i Partisë, që praktikisht është drejtuesi kryesor i saj për shkak të moshës së Doktorit. Ai tani ka fuqi të plota për të ndërtuar të ardhmen e PD-së dhe betejën vendimtare për fitoren e saj në zgjedhjet e radhës.
Nga ky rezultat fituan të gjithë.
Së pari fitoi puna dhe përkushtimi i Mulit krah Doktorit, të cilit për gati 20 vite i ka shërbyer me besnikëri dhe nuk ka lënë të hyjë në PD askush pa leje. Madje, të vetmit tradhtarë që i kanë dalë Doktorit janë ata që ka sjellë vetë Doktori. Nga ata që ka sjellë Muli nuk ka asnjë tradhtar.
Së dyti, Muli i dha garës një dimension të ri. Gjithë dynjaja shanin Mulin për vite të tëra që është kungull nga mendja, por ai e ndryshoi fabulën. Zgjodhi një rival që identifikohej me shalqirin dhe gara u bë mes kungullit dhe shalqirit. Muli provoi se demokratët donin kungullin. Dhe kjo tani s’ka më debate.
Së fundmi, kjo ishte një fitore edhe për rubrikën tonë, e cila ka kontributin kryesor në karrierën e Mulit. Falë saj ai u bë i njohur dhe krijoi profilin e tij si një udhëheqës, ashtu siç e do Doktori.
Ka pasur shumë zili në PD dhe kërkesa që të tjerë t’i zinin vendin Mulit tek Antena, por ne s’e kemi pranuar, pasi kemi pasur besim te suksesi i tij. Tani ndihemi edhe ne të fituar.
Lini një Përgjigje