Muli po bie dëshmori i parë i revolucionit

14 Korrik 2026, 17:42Antena TEMA

Të mërkurën PD do të zgjedhë organet e reja drejtuese, ku përfshihet dhe posti i Mulit. Edhe pse Doktori i ka dhënë gjithë garancitë se ai nuk do të lëvizë nga ai post, vërehen shumë lëvizje brenda partisë që kërkojnë që Muli të largohet. Kjo ndjehet sidomos brenda grupit parlamentar, ku duan të justifikojnë lëvizjen e Mulit me presionin e revolucionit.

– A mendon ti se Doktori do ndikohet nga këto zërat kundër meje? – i tha Lelos.

– Nuk besoj, – tha Lelo. – Doktori nuk e bën kurrë atë. Nëse dikush i thotë se çfarë duhet të bëjë, ai vetëm atë gjë nuk bën. Se, nëse e bën, pastaj njerëzit kuptojnë që ai është i ndikueshëm dhe fillojnë e nxjerrin inatin e tyre me rekomandime.

– E di shumë mirë këtë gjë, – tha Muli. – Në fund të fundit, unë jam këtu jo se më ka zgjedh PD, po më ka zgjedh armiku i PD për tek Antena. Po mos të ishte ai, Doktori s’do më kishte vënë kurrë dhe, po të më vinte, do më hiqte. E njoh këtë cilësi të Doktorit, ndaj them.

– Besoj se Doktori nuk ndikohet nga revolucioni, – i tha Lelo, – edhe pse i ka prishur shumë punë. Por ai mendon që, duke futur revolucionarët në krye të PD, e quan të vetin revolucionin.

– Po këtu është rreziku, – tha Muli, – se këta të revolucionit që kanë hyrë në PD duan kokën time.

– Nuk të lëshon Doktori për ata, – i tha Lelo. – Nga ata gjen sa të duash në rrugë. Vuri dorën njërit në bulevard dhe aq. Si ty nuk gjen dot. Rri i qetë.

– Jo, nuk jam i shqetësuar për vete, po për Doktorin, – tha Muli. – E di që ai s’punon dot pa mua, se shkuan 20 e ca vjet që çdo miting ia bëj unë. Tani si do marrë nga këta të Gjergj Erebarit? Këta janë mësuar me bë protesta me lekë. Ne i kemi bërë pa lekë të gjitha.

– Kjo është një arsye më shumë që Doktori nuk të lëshon, – i tha Lelo. – Mos u shqetëso. Por, për siguri, ti testoje njëherë: jepe dorëheqjen.

– Jo, s’e bëj dot, – tha Muli. – Se ai më njeh që jam njeri i sinqertë dhe do mendojë që e kam dhënë vërtet dhe e miraton.

Lini një Përgjigje