Më në fund, Muli bindi Doktorin të jetë përsëri nr. 2 i PD-së.
– Vetëm një gjë nuk ta fal kurrë, – i tha Doktori. – Të zgjidhesh pa garë. Ti do konkurrosh aty, por duhet një kandidat përballë teje. Ndryshe nuk të lejoj të bëhesh Sekretar i Përgjithshëm.
Muli doli i kënaqur nga takimi dhe thirri Lelon.
– Ma dha lejen të kandidoj, – i tha. – Madje më tërhoqi vërejtje se duhet të gjej një kandidat përballë vetes, që ta mund me garë.
– Shumë mirë, – i tha Lelo, – por mos e merr si punë kaq të thjeshtë. Duhet të gjesh një që demokratët e konsiderojnë më budalla se ty.
– E kam gjetur, – tha Muli. – Saimirin e shalqive.
– Po je i sigurt që vjen ai? – tha Lelo. – Se mos e zë korenti rrugëve, se e kam parë që bredh shtyllë më shtyllë.
– Vjen, vjen, se kam folur, – i tha Muli. – Është gati për çdo gjë. Është djalë i mirë.
– Epo, urime atëherë, – tha Lelo, – se Saimiri është rast i veçantë. Ai është deputet që bën budallallëqe çdo ditë, por që njerëzit nuk i thonë budalla. “E di një gjë ky”, thonë, “që bën si budalla”. Kështu që, kur ta mundësh atë, për ty do thonë: “Ky di më shumë se një gjë, që nuk është budalla”.
Urime.
– Faleminderit, – tha Muli. – Duhet ta festojmë këtë, se unë jam më jetëgjatë se Edi Rama në pushtet në PD. Vetëm me mua nuk hahet dot ai.
– Dhe mendoj që është i kënaqur, – tha Lelo, – që hahet me ty. Kushedi sa do ishte mërzitur sikur të mos zgjidheshe prapë.
Lini një Përgjigje