Pse biznesi shqiptar është i përçarë përballë gjobëvënies së revolucionit

15 Korrik 2026, 18:00Editorial Mero Baze

 

Sulmi ndaj bizneseve të turizmit ishte një shenjë dëshpërimi. Vendimi për të sulmuar biznesin e turizmit u mor kur dështoi manuali i revolucionit dhe po u zbrazej bulevardi nga njerëzit. Ishte një lloj hakmarrjeje.

Por ajo që ishte e papritur për opinionin publik ishte klasa e përçarë e biznesit të madh shqiptar. Nuk po flas për bizneset e vogla e të mesme, që s’kanë shumë fuqi. Ata, edhe ashtu, reaguan më shumë se këta që “revolucioni” i quan oligarkë.

Biznesmenët e mëdhenj shqiptarë nuk arritën të mbronin as veten. Po të mos kishte reaguar Google, akoma do t’i kishe me review negative, flas për ato të bombarduara pas urdhrit të dhënë nga "Manuali Erebera" i revolucionit.

Sulmi ndaj tyre nuk është parimor, por një sistem i qartë i gjobëvënësve të bulevardit. Biznesmenët e mëdhenj nuk u sulmuan të gjithë, por sipas një liste mafioze të hartuar nga njerëzit e bulevardit. Pra, nuk është se mori dikush një listë “parimore”, sipas kriterit se kushdo që është, fjala vjen, investitor strategjik do të sulmohet, ose gjithkush që ka marrë përfitime publike përmes lejeve do të sulmohet. Jo. Janë sulmuar njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë, vetëm se dikush i urren në bulevard pse nuk i mbështesin, apo janë sulmuar vetëm disa prej atyre që bulevardi i quan oligarkë, ndërsa shokët “oligarkë” të atyre që janë në bulevard nuk janë prekur.

Kjo tregon se, më shumë sesa një luftë parimore, kjo ishte një luftë mafioze. Nuk po ua përmend emrat “oligarkëve” që nuk janë sulmuar, se nuk dua të zgjoj sulm ndaj tyre, por thjesht të tregoj se ata që shesin parime në bulevard, në fakt, janë thjesht duke mbledhur gjoba, se shkuan edhe 40 ditë pa punë dhe u duhen lekë.

Nga ana tjetër, ky selektim nga revolucioni ndaj biznesit reflekton edhe përçarjen mes biznesit. Disa prej tyre, dhe këta i di me emër, kanë filluar të paguajnë që të mos sulmohen. Është pak a shumë si situata në vitin 1944, kur disa prej bejlerëve të rëndësishëm të Shqipërisë filluan të paguajnë edhe për komisarët, me qëllim që t’i falnin pas lufte. Në fakt, ata i vranë të parët.

Kështu po sillen edhe këta biznesmenët e mëdhenj me gjobëvënësit e bulevardit. Për të mos thënë që disa e shikojnë si rast për të nxjerrë dufet ndaj njëri-tjetrit. Kjo tregon se klasa e lartë e biznesit tek ne ende nuk ka një koshiencë se çfarë përfaqëson në shoqëri dhe gjendet tërësisht e papërgatitur përballë një sulmi që, në fakt, buron në shoqëri nga zilia për ta.

Shqipëria sot po përjeton urrejtjen e klasës së mesme apo të njerëzve të dështuar ndaj biznesit të madh, që iu duket ëndrra e tyre e parealizuar. Të gjithë ata që bëjnë si të çmendur në rrugë nuk janë as fukarenj, as njerëz që dalin për bukën e gojës, por njerëz që kanë ëndërruar të jenë milionerë dhe kanë arritur të jenë vetëm të pasur, por pa miliona.

Dhe, si një revolucion i njerëzve të parealizuar, ai është padyshim agresiv, i lig, me energji negative dhe, mbi të gjitha, me tendencë për shkatërrimin e atyre që ata nuk ia kanë arritur dot të bëhen. Nuk ka të bëjë as me lëvizje popullore, as me flamingo, por me përpjekjen për të gjetur një alibi para shoqërisë pse nuk u bënë edhe ata milionerë.

Shiko sa agresivë janë disa ish-zyrtarë të pushtetit të Edi Ramës. Të gjithë ata kanë ëndërruar të ishin pak më shumë se ç’u dha pushteti dhe, natyrisht, sot të flitej për ta siç flitet për ish-ministra të PS-së të akuzuar për korrupsion. Në vend që të jenë të lumtur që “kanë ikur që këlysh pa u bërë qen”, janë të mërzitur pse nuk ia arritën asaj dite.

Po ashtu edhe rrjeti i njerëzve parazitë të këtij vendi, që kanë 30 vjet që jetojnë me para OJF-sh dhe që mendojnë se kjo gjë është profesion. Të njëjtë janë gazetarët e OJF-ve dhe adhuruesit e revolucionit, që mendojnë se, kur ndodh lufta, ata i ruan Zoti dhe vetëm e shikojnë, dhe janë të tjerë ata që luftojnë e vriten.

Është shumë normale të jesh gazetar dhe të mbijetosh në treg me punën tënde dhe të jesh edhe aktivist shoqëror, madje shumë më agresiv se këta që janë në bulevard. Fjala vjen, në shesh janë thuajse gjithë gazetarët e News 24 si protestues, por ata janë në të drejtën e tyre, pasi jetojnë nga një biznes që ndihet i rrezikuar nga ky pushtet, ndërsa, fjala vjen, BIRN është shitur si media mbi palët dhe profesionale, se paguhet nga donatorë evropianë. Për këtë arsye, kur përdor BIRN për qëllime personale, nuk je më aktivist, por edhe shpërdorues fondesh evropiane, nëse i qëndrojmë justifikimit se përse jepen ato fonde.

Përdorimi i kësaj vale protestash për t’u faktorizuar gjithë dështakët e Shqipërisë që duan alibi për dështimin e tyre, tani është kthyer në një gjobëvënie kolektive, duke shijuar fuqinë e ligësisë ndaj biznesit. Dhe kjo falë faktit që biznesi shqiptar është i çorganizuar dhe i pambrojtur nga valë të tilla goditjesh politike, që vijnë në emër të popullit nga dikush që nuk përfaqëson as familjen e vet.

Është tipike një gjobëvënie revolucionarësh, të cilët kanë zbuluar më në fund se si mund të rrish pa punë dhe të paguhesh nga ata që sulmon.

3 Komente

  1. S
    Sateri

    Kjo rrefen pasiguri te bizneseve qe nuk mbeshteten dot ne aftesite e mundesite e tyre dhe kerkojne ortak politik. Biznese alabakesh.

    Përgjigjjuni
    1. P
      Patronazhisti

      Sepse Lucet dhe Lucerat e tjere nuk jane bere te pasur me rruge te ndershme. Lucerat jane grabites. Nuk vijne nga logjika kapitaliste e konkurences se lire. Jane produkte te pushtetit. Ju kujtohet Vehbi Alimuca? Sudja? Kamberi? Silva? Gjallica e Olta Xh? Keshtu jane Lucerat

      Përgjigjjuni
    2. T
      Top Qenefi pjese e Qenve Endacak

      Me ka habitur télévision Top Qenefi qe mbas sulmit qe i bene terroristet e boulevardit ka hyre ne sherbime te tyre ...sa turpe. Top Qenefi po perdorur tekniken mashtruese Meksikane duke filmuar pjesen e shpatullave dhe koken e rreshtave te pare per te krijuar idene sikur ka mijra mijra pjesmares. Kur fare thjeshte munde te japi dhe sekuence filmike nga larte me drone....

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje