Gazetari sportiv Gjergj Stefa ka komentuar për "Euronews" me tone të ashpra situatën te Vllaznia pas eliminimit të rëndë 5-0 nga Malisheva në turin e parë të UEFA Conference League. Sipas tij, organika e klubit lë shumë për të dëshiruar dhe mënyra se si skuadra u paraqit në Europë është "në kufijtë e skandalit". Stefa kujtoi se nuk është hera e parë që kuqeblutë pësojnë eliminime të rënda në arenën ndërkombëtare, duke përmendur edhe humbjen 4-0 ndaj Valurit disa vite më parë, ndërsa theksoi se këtë herë Vllaznia u paraqit krejtësisht e papërgatitur.
"Organika e Vllaznisë lë shumë për të dëshiruar, është në kufijtë e skandalit. Kjo është hera e dytë që në Kupat e Europës e bën një gjë të tillë, sepse edhe kundër Valurit dy vite më parë humbën 4-0. Vitin e kaluar, bënë diçka më mirë ku kaluan edhe një tur, por tani të mposhtësh 5-0 nga Malisheva, tregon që kanë ardhur në këtë rrugëtim europian të papërgatitur fare."
Në analizën e tij, ai u ndal edhe te mënyra e funksionimit të klubit, duke deklaruar se problemet e Vllaznisë lidhen edhe me aspektin financiar dhe organizativ. Sipas Stefës, presidenti Alban Xhaferi nuk e drejton klubin me fondet e veta, por administron financimet që vijnë nga sponsorë të ndryshëm.
"Shiko, për të qenë realist, problemet e Vllaznisë lindin nga fakti që Alban Xhaferi, i cili është president i klubit, është në një farë mënyre president i deleguar. Albani nuk e drejton klubin me paratë e veta apo të bizneseve të veta. Ai pret nga sponsorë të tjerë dhe administron paratë e tyre. S'ka çfarë bën as Albani", u shpreh Stefa.
Lini një Përgjigje