Në Ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë Penale, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) organizoi veprimtarinë përkujtimore "Mbrojtja nën Pranga: Përkujtimi i avokatëve mbrojtës dhe shtypja e drejtësisë (1944–1966)", kushtuar historisë së avokatëve të përndjekur dhe goditjes së mbrojtjes ligjore gjatë regjimit komunist.
Kryetarja e AIDSSH-së, Dr. Gentiana Sula, theksoi se aktiviteti nuk synon vetëm të kujtojë disa fate individuale, por të rindërtojë historinë e një profesioni dhe të kuptojë se çfarë ndodhi me të drejtën e mbrojtjes në Shqipëri.
"Sot, duke kujtuar avokatët e përndjekur, nuk ndërtojmë vetëm një listë viktimash. Ne përpiqemi të rindërtojmë historinë e një profesioni. Të kuptojmë çfarë ndodhi me të drejtën e mbrojtjes. Të dallojmë mekanizmin që e ktheu politikën në akuzë dhe akuzën në dënim," u shpreh Sula.
Duke iu referuar dokumenteve arkivore dhe punës kërkimore të Autoritetit, ajo bëri të ditur se deri më tani janë identifikuar rreth 130 avokatë që ushtruan profesionin në periudhën e parë të regjimit komunist, ndërsa të paktën 30 prej tyre u dënuan, u burgosën, u internuan, u survejuan, u përjashtuan nga profesioni ose u penguan ta ushtronin atë.
"Këto shifra kërkojnë ende plotësim dhe dokumentim të mëtejshëm. Por tabloja është e qartë: nuk u goditën vetëm individë. U godit mundësia që profesioni të qëndronte i pavarur ndërmjet qytetarit dhe shtetit," theksoi Kryetarja e AIDSSH-së.
Në fjalën e saj, Dr. Sula nënvizoi se avokati është institucioni që vendos ligjin ndërmjet qytetarit dhe pushtetit, ndërsa në një regjim që kërkonte nënshtrimin si normë, edhe ruajtja e etikës profesionale mund të shndërrohej në një akt qëndrese.
Ajo kujtoi se suprimimi i avokatisë në vitin 1967 nuk ishte rezultat i një debati profesional apo i nevojës për reformë, por erdhi me vendim partie, duke eliminuar pavarësinë e profesionit dhe duke e zëvendësuar atë me një sistem të kontrolluar nga shteti.
Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja vlerësoi aktivitetin si një akt të domosdoshëm të kujtesës historike dhe theksoi se avokatët e përndjekur u ndëshkuan jo sepse shkelën ligjin, por sepse besuan se çdo njeri meriton një mbrojtje të drejtë. "Kur një shtet fillon të ketë frikë nga avokati, ai nuk sulmon thjesht një profesionist. Ai po sulmon vetë shtyllën e drejtësisë. Avokati është mburoja e të drejtave të njeriut dhe e procesit të rregullt ligjor", u shpreh Manja.
Avokati i Popullit, Endri Shabani, vlerësoi punën e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit si një akt drejtësie të vonuar, duke theksuar se hapja e dosjeve zëvendëson "një version zyrtar të gënjeshtrës me një të vërtetë të dokumentuar". Ai nënvizoi se regjimi komunist i ndëshkoi avokatët pikërisht sepse mbronin qytetarët dhe se monumenti më i mirë për Muzafer Pipën, Erifili Bezhanin dhe Koço Dilon është një sallë gjyqi ku asnjë avokat nuk ka frikë të mbrojë askënd.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha vlerësoi se ekspozita dhe dokumentet arkivore dëshmojnë se si arbitrariteti u maskua me ligjshmëri gjatë diktaturës komuniste. Ajo theksoi se nderimi për avokatët e përndjekur shprehet sot përmes forcimit të shtetit të së
drejtës, garantimit të pavarësisë së profesionit të avokatit dhe ndërtimit të një sistemi drejtësie që respekton dinjitetin e njeriut dhe të drejtën për mbrojtje.
Referatin kryesor u mbajt nga anëtari i Autoritetit, Skënder Vrioni i cili paraqiti një analizë krahasuese mbi zhvillimin e avokatisë gjatë viteve 1945–1990, duke theksuar se regjimi komunist e vendosi profesionin nën kontroll të plotë politik, duke kufizuar gradualisht pavarësinë e avokatit deri në suprimimin e avokatisë në vitin 1967.
Sipas tij, nuk u vu në diskutim nevoja për mbrojtje juridike, por u ndryshua modeli i saj, duke e shndërruar nga një profesion i organizuar më vete në një shërbim shtetëror të varur nga gjykatat.
Skënder Vrioni evidentoi se dokumentet arkivore tregojnë një proces të vazhdueshëm dobësimi të rolit të avokatit. Fillimisht avokatia u vu në shërbim të organeve të pushtetit, më pas u organizua nën kontroll të plotë shtetëror dhe, në vitin 1967, u suprimua me vendim të Byrosë Politike, duke u zëvendësuar nga zyrat e ndihmës juridike pranë gjykatave.
Ndërsa në panelin tematik Selami Zalli, Etleva Demollari, Adela Toporja dhe Jonel Hibo prezantuan dokumente arkivore dhe profile të avokatëve të përndjekur nga regjimi komunist.
Selami Zalli, Drejtori i Përgjithshëm i Kërkesave theksoi se: “Eliminimi i avokatisë nuk kishte si qëllim përmirësimin e sistemit të drejtësisë, por eliminimin e pavarësisë së mbrojtjes ligjore.”
Dr. Etleva Demollari, permes dokumentacion arkivor solli në kumtesën e saj fatin që regjimi komunist u rezervoi shumë prej avokatëve që në vitin 1945 morën përsipër mbrojtjen e të pandehurve në Gjyqin Special. Aristidh Totozani, Spiro Stringa, Haki Karapici, Ilia Çipit, Muzafer Pipa, Vasil Xhaja, Kristo Çevi, Suad Asllani, Kristaq Niço dhe Vasil Bidoshi, të formuar në universitetet më prestigjioze të Evropës, mbrojtën me argumente juridike parimet e së drejtës, përgjegjësinë individuale dhe procesin e rregullt ligjor.
Studimi analizon jo vetëm përballjen e tyre me "drejtësinë popullore", por edhe fatet e tyre të mëvonshme: arrestime, burgime, tortura, survejim, përjashtim nga profesioni dhe, në fund, shuarjen e vetë institucionit të avokatisë në vitin 1966.
Në studimin e saj mbi dokumentet e Arkivit të Autoritetit, Adela Toporja, përgjegjëse e arkivës prezantoi dosjet hetimore-gjyqësore të avokatëve Abdulla Rami, Aristidh Totozani dhe Zija Luniku, të cilat pasqyrojnë jo vetëm funksionimin e drejtësisë politike, por edhe fatet tragjike të juristëve shqiptarë në vitet e para të regjimit komunist. Përmes dokumenteve autentike u evidentuan dënimi me 30 vjet burg i Abdulla Ramit, procedimi penal ndaj Aristidh Totozanit, i cili u shpall i pafajshëm për mungesë provash, si dhe dënimi me vdekje dhe ekzekutimi i Zija Lunikut. Sipas saj, këto dosje nuk janë vetëm akte procedurale, por dëshmi historike që ruajnë kujtesën e njerëzve dhe tregojnë se si sistemi i drejtësisë u përdor për të goditur profesionin e avokatit dhe elitën juridike shqiptare.
Jonel Hibo,(AIDSSH) prezantoi dokumente arkivore mbi fatet e avokatëve Qenan Dibra, Terenc Toçi dhe Baltazar Benusi, duke dëshmuar se regjimi komunist goditi një brez juristësh të formuar në universitetet evropiane, të cilët u dënuan me burg, pushkatim ose u privuan nga e drejta për të ushtruar profesionin. Sipas tij, këto dosje hedhin dritë mbi shkatërrimin e elitës juridike shqiptare në vitet e para të diktaturës
Në përfundim të veprimtarisë, familjarët e avokatëve të përndjekur,Haki Karapicit, Koço Dilos, Ali Erebarës dhe Tefik Mbrojes, theksuan nevojën që historia dhe sakrifica e tyre të mos mbeten në harresë, por të përkujtohen dhe të nderohen si pjesë e kujtesës kombëtare. Ata ndanë dëshmi mbi fatin e avokatëve dhe vuajtjet që regjimi komunist u shkaktoi familjeve të tyre, duke dëshmuar se pas çdo dosjeje arkivore fshihet historia e një njeriu dhe e një familjeje.
Përmes dëshmisë së gazetares Nini Haxhistasa, e afërme e Erifili Bezhani erdhi jeta tragjike e njërës prej juristeve dhe avokateve të para shqiptare. E diplomuar në Francë, ajo u burgos për bindjet e saj demokratike, iu mohua e drejta për të ushtruar profesionin dhe vdiq në vitin 1959, pas viteve të përndjekjes dhe punës së detyruar si fshesare në Tiranë.
Mesazhi që përshkoi të gjithë aktivitetin ishte se dokumentet arkivore tregojnë çfarë ndodhi, ndërsa dëshmitë e familjarëve i japin zë pasojave njerëzore të represionit. Së bashku, ato ndihmojnë në kuptimin e mekanizmave të shtypjes, ruajnë kujtesën historike dhe shërbejnë si një thirrje që padrejtësi të tilla të mos përsëriten më.
Lini një Përgjigje