Biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër pasuron fondin digjital

17 Korrik 2026, 17:18Kulturë TEMA
Biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër pasuron fondin

Biblioteka Publike “Marin Barleti” në Shkodër po e pasuron vazhdimisht fondin e saj digjital. Aktualisht, janë të aksesueshme online mbi 90 mijë faqe, kryesisht nga fondi i albanologjisë. Në proces digjitalizimi ndodhet aktualisht fondi i antikuarëve, i cili përfshin rreth 2 mijë botime të rralla. Digjitalizimi i këtij fondi përbën një sfidë të veçantë, për shkak të vlerës historike të materialeve, por edhe gjendjes së tyre të amortizuar ndër vite.

 “Puna me digjitalizimin vazhdon ndonëse pak më avash me librat e antikariatit për arsye se ato kanë një format shumë të madh dhe një volum librit dhe është e vështirë për të punuar më shpejt ashtu siç kemi punuar me librat e fondit të albanologjisë”, tha Sidita Halluni, specialiste e digjitalizimit.

Fondi digjital i Bibliotekës Publike “Marin Barleti” është i aksesueshëm edhe përmes rrjetit ndërkombëtar COBISS, platformë softuerike që lidh bibliotekat në nivel rajonal dhe ndërkombëtar në një sistem të unifikuar.

“Ky sistem ofron edhe bibliotekën digjitale e cila ka arritur një numër shumë të madh faqesh, rreth 90.000 një faqe dhe ato janë të gjitha të aksesueshme nëpërmjet këtij sistemi dhe të shkarkueshme për lexuesit dhe studiuesit e ndryshëm të cilët kanë nevojë për t’i konsultuar”, tha ajo.

Biblioteka Publike “Marin Barleti” numëron rreth 250 mijë libra, të organizuar në 12 fonde të veçanta. Procesi i digjitalizimit, i nisur në vitin 2017, është përqendruar kryesisht te fondet dhe koleksionet më të vjetra të bibliotekës. A.K./TemA

Lini një Përgjigje