Muli i kënaqur nga eliminimi i Boçit

17 Korrik 2026, 17:58Antena TEMA

Pas përfundimit të zgjedhjeve në PD, Muli ishte më në fund i qetë që kishte mundur të eliminonte gjithë ata që e bezdisnin. Mbi të gjitha, ishte i gëzuar për profesor Luçianon.

-I mori një mësim të mirë, tha Muli. Ta dijë ai dhe kushdo tjetër që ata që më shajnë mua, përfundojnë jashtë dyerve.

-Duhet një strategji më e kujdesshme, i tha Lelo. Duhet ta nxisim këtë Luçianon të shajë Doktorin. Se me ty nuk funksionon.

-Pse nuk funksionon? - i tha Muli. E nxora jashtë loje.

-Është hera e tretë që e nxjerr nga dera dhe të hyn nga dritarja, - i tha Lelo. Vetëm sulmi ndaj Doktorit jep garanci që nuk kthehet më. Sulmi ndaj teje i shkakton dëme të përkohshme, por mund t’i kthehen në favor në një kohë të caktuar.

-Këtu ke të drejtë, - tha Muli. E vërtetë është që na është rikthyer. Po çfarë sugjeron ti?

-Duhet ta bombardojmë me info se e ka hequr qafe Doktori, se në zgjedhjet e fundit në Elbasan i ka shitur votat PS-së që të mos dilte Aurel Bylykbashi. Kjo ngjit shumë. Ka pasur edhe fjalë aty, ndaj janë rrahur dy ditë para zgjedhjeve në miting.

-Kam frikë se mos u pëlqen këtyre të tjerëve dhe na i shesin edhe këta, - tha Muli.

-Po të zgjidhim njëherë këtë hall, - tha Lelo, - pastaj të tjerët, me të parë e me të bërë.

Nëse kjo ngjit, atëherë egërsohet me Doktorin dhe sulmon atë. Po sulmoi atë, shpëtuam. Ashtu nuk na kthehet më.

-Po sikur të hapim fjalë që Doktori ka thënë se Elbasanin do t'ia japim Klevisit, se ka jetuar Fariu në Elbasan?

-Jo, - tha Muli. Fariu drekë ka pasur ngrënë në Pogradec dhe ia masakruan kandidaturën, jo më aty ku ka jetuar. Nuk bëhet ajo.

-Atëherë të qëndrojmë te kjo puna e Doktorit, - tha Lelo. Kjo më duket më e besueshme dhe më e sigurt, po e hëngri grepin. Por kam frikë se është ujk i vjetër dhe nuk do ta hajë.

Lini një Përgjigje