Melodia e fyellit dyjar shqiptar si kolonë zanore në filmin "Odiseu" të Christopher Nolanit

17 Korrik 2026, 10:43Kulturë Blerim Latifi

Nuk mund të gjendej një tingull që do t’u përngjante më shumë tingujve të kohës homerike sesa tingulli i këtij fyelli. Në vazot antike greke, perëndesha Athina paraqitet duke i rënë një vegle të ngjashme, aulosit të lashtë, një instrument me dy tuba frymorë që i përket së njëjtës familje veglash muzikore me fyellin dyjar.

Por, përtej këtij lajmi kaq të bukur për trashëgiminë kulturore të kombit tonë, shfaqet një pyetje e vjetër:
Pse rikthehet vazhdimisht Odisea?
Dhe: pse sot edhe një film tjetër për të?

Sot miliona njerëz përballen me luftëra shkatërrimtare, si në fronte ashtu edhe si të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ata mund të ndahen nga armiqësitë dhe konfliktet që i kanë vendosur përballë njëri-tjetrit, por të gjithë i bashkon një dëshirë thellësisht njerëzore: dëshira për t’u kthyer në shtëpi.
Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e Odisesë: ajo është eposi universal dhe i përjetshëm i kësaj dëshire njerëzore.

Ajo nuk është vetëm historia e udhëtimit të një heroi të lashtë drejt Itakës, por rrëfimi i përvojës së përbashkët njerëzore të humbjes, vuajtjes, kujtesës dhe shpresës për rikthim.

Siç shkruan Milan Kundera në novelën e tij "Padija", thelbi më i thellë i Odisesë nuk qëndron vetëm te aventura e heroit, por te pyetja ekzistenciale e kthimit: a është ende e mundur të kthehesh te ajo që ke lënë pas?

Odiseu nuk kthehet thjesht në vendlindje. Ai kërkon një botë të humbur nga koha dhe nga përvoja e luftës. Pikërisht këtu lind dhimbja e nostalgjisë: dhimbja e kthimit të pamundur në një kohë dhe në një mënyrë jete që janë humbur përgjithmonë.

Dhe ndoshta kjo dhimbje shprehet në mënyrën më autentike pikërisht në tingujt melankolikë të fyellit dyjar dhe të iso-polifonisë shqiptare: tinguj të lashtë që bartin kujtesën e kohëve të largëta, mallin për vendin e humbur dhe dëshirën e përhershme njerëzore për t’u kthyer aty ku dikur ishte shtëpia jonë e vjetër, aty ku, përpara se ta njihnim tragjizmin e botës së madhe, ëndërronim për paqen dhe lumturinë e përhershme.

Lini një Përgjigje