Në Komisionin për Kulturën prezantohet projektligji i propozuar nga deputetja Ina Zhupa

16 Korrik 2026, 13:20Kulturë TEMA
Në Komisionin për Kulturën prezantohet projektligji i propozuar

Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u prezantua Projektligji “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”, të ndryshuar, një propozim i deputetes Ina Zhupa.

Zhupa u shpreh se kjo nismë ligjore ka për qëllim harmonizimin e përkufizimeve ligjore me dokumentet zyrtare arkivore, duke zëvendësuar emërtimet popullore ose jozyrtare të organeve të diktaturës komuniste me emrat e tyre të saktë historikë. Ky saktësim synon të lehtësojë punën kërkimore të ISKK duke u garantuar studiuesve qasje më të saktë në fondet përkatëse të arkivave shtetërore.

“Ndryshimet e parashikuara janë në katër nene, me objektiv kryesor përmirësimin e përkufizimeve ligjore me organet e diktaturës komuniste. Në ligjin ekzistues kishte terma që nuk ishin gjuha zyrtare formale e kohës por gjuha e përditshme e tyre. Shumë e vështirë të pasqyrohen në fondet arkivore zyrtare. Iu duhen termat e saktë që të aksesojnë me leje në fondet e sakta arkivore”, u shpreh Ina Zhupa.

Në cilësinë e propozueses ajo kërkoi përcaktimin e qartë të statusit institucional të ISKK-së si një organ i pavarur që raporton drejtpërdrejt në Kuvendin e Shqipërisë, duke hequr termin “qendror” që e klasifikon si pjesë të administratës qendrore.

“Në zbatim të ligjit aktual shpërblimi i anëtarëve të bordit dhe këshillit shkencor është përcaktuar me vendime të përgjithshme të Këshillit të Ministrave. Kjo ka krijuar një trajtim të pabarabartë dhe jo koherent me statusin e pavarur të ISKK. Ndryshimi propozon që shpërblimi të lidhet drejtpërdrejt me ligjin 9584/2006, akt horizontal që rregullon shpërblimet e institucioneve të pavarura që raportojnë në Kuvend, duke garantuar unifikim me të tjerat dhe barazi në trajtim”, u shpreh Zhupa.

Në përfundim të fjalës së saj ajo siguroi që të gjitha këto ndryshime nuk sjellin asnjë kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Pas diskutimeve, komisioni arriti dakordësinë që projektligji në fjalë t’i dërgohet për mendim Këshillit të Ministrave. A.K./TemA

Lini një Përgjigje