Friedrich Merz, Kancelari i Gjermanisë, ka paralajmëruar se Bashkimi Europian duhet të punojë për të arritur sa më parë anëtarësime të reja, me fokus kryesor Ballkanin Perëndimor, pasi sipas tij, nëse Unioni do të humbasë besueshmërinë që ka krijuar, atëherë do të humbë edhe mbështetja e këtyre vendeve ndaj Bllokut Europian. Merz, i cili mbajti konferencën vjetore për shtyp në Berlin, deklaroi se është koha që Bashkimi Europian të mbajë premtimet e tij.
“Tani për tani, në thelb kemi pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, Moldavinë dhe Ukrainën si anëtarë të rinj potencialë të Bashkimit Europian. Këto janë vendet që presin që BE të ndërmarrë hapat e ardhshëm. Bashkimi Europian nuk ka pranuar asnjë anëtar të ri për 13 vjet, pavarësisht premtimeve të shumta për ta bërë këtë. Nëse BE dëshiron të ruajë besueshmërinë e saj, atëherë në agjendën e tonë, në të ardhmen tonë, duhet të jenë hapa të vegjël, por të sinqertë. Nëse e humbasim atë besueshmëri që kemi krijuar, i humbasim ato vende”, tha Merz.
Kancelari gjerman, një ndër zërat më të vendosur ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian, u përball me një sërë pyetjesh në konferencën e tij vjetore për shtyp, lidhur edhe me pozitën e tij politike, ku sondazhet e fundit tregojnë rënien e mbështetjes ndaj koalicionit të tij qeverisës në nivelet 13% deri në 20%.
Pavarësisht rezultateve të dobëta në sondazhe, Friedrich Merz beson se koalicioni qeverisës ka “gjetur ekuilibrin”.
Kancelari gjerman bëri thirrje për të mos lejuar që ADF, partia e të djathtës ekstreme që kryeson sondazhet, të mos kryesojë në zgjedhjet e ardhshme, duke deklaruar se qytetarët duhet të tregohen skeptikë dhe më të kujdesshëm ndaj deklaratave dhe premtimeve të ekstremeve politike.
Lini një Përgjigje