Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi të premten se Kina synon të udhëheqë krijimin e një rendi të ri global për inteligjencën artificiale (IA), duke promovuar teknologjinë me burim të hapur dhe duke sfiduar ndikimin e SHBA-së në përcaktimin e rregullave që do të udhëheqin këtë sektor.
Në fjalimin e mbajtur gjatë hapjes së Konferencës Botërore të Inteligjencës Artificiale (WAIC) në Shangai, Xi u bëri thirrje vendeve të shfrytëzojnë “mundësinë e rrallë dhe historike” që ofron inteligjenca artificiale me burim të hapur. Ai u zotua gjithashtu se Kina do të ndihmojë vendet në zhvillim të forcojnë kapacitetet e tyre në këtë fushë.
Presidenti kinez paralajmëroi se qasja e pabarabartë në teknologjitë e avancuara mund të krijojë “padrejtësi të reja historike”, duke theksuar nevojën për një zhvillim më gjithëpërfshirës të inteligjencës artificiale.
Sipas Xi-së, modelet kineze të inteligjencës artificiale me burim të hapur duhet të konsiderohen një e mirë publike globale. Ai e paraqiti Pekinin si një alternativë ndaj Uashingtonit në garën për lidership teknologjik dhe në hartimin e standardeve ndërkombëtare për zhvillimin dhe përdorimin e IA-së.
Duke krahasuar rëndësinë e inteligjencës artificiale me shpikjen e motorit me avull dhe energjisë elektrike, Xi tha se Kina synon të ndajë teknologjinë dhe ekspertizën e saj me vendet e Jugut Global, ndërsa do të udhëheqë përpjekjet për krijimin e standardeve globale që rregullojnë këtë teknologji në zhvillim.
Bravo Kina