Pesë miliardë euro kredi për prona, bankat rrisin ekspozimin ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme

19 Korrik 2026, 22:28Ekonomia TEMA
Pesë miliardë euro kredi për prona, bankat rrisin ekspozimin ndaj

Gati 5 miliardë euro. Kaq ka arritur vlera e kredive që bankat në Shqipëri kanë dhënë për blerjen dhe investimin në pasuri të paluajtshme. Shifra është rritur në nivele rekord dhe sot më shumë se gjysma e portofolit të kredisë, rreth 52%, lidhet me sektorin e pronave.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tregu imobiliar po mbetet destinacioni kryesor i financimit bankar, duke zënë peshën më të madhe në huadhënie.

“Huaja për blerje banesash për individët zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë me 26.8%, pasuar nga huaja për pasuri të paluajtshme nga biznesi me 24.3%, overdraft-i dhënë bizneseve me 13.3%, dhe kredia për blerje pajisjesh me 11.6% të totalit”, shkruhet në raportin e mbikëqyrjes së BSH.

Ky është një sinjal se kërkesa për prona vijon të mbetet e lartë. Familjet po financojnë blerjen e banesave, ndërsa bizneset po investojnë në godina, ambiente tregtare dhe prona të tjera, duke e kthyer sektorin imobiliar në motorin kryesor të kreditimit.

Në vlerë stoku i kredisë për prona dhe pasuri të paluajtshme është 243.6 miliardë lekë për individët dhe 216 miliardë lekë për bizneset, me një total prej 470 miliardë lekësh, ose gati 4.7 miliardë euro.

Megjithatë paralelisht me këtë rritje cilësia e portofolit mbetet e qëndrueshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë me probleme kanë zbritur në 3.8%, niveli më i ulët historik që prej vitit 2008, ndërsa sistemi bankar ka vijuar zgjerimin e huadhënies.

Me afro 5 miliardë euro të investuara në pasuri të paluajtshme, sektori i pronave po mbetet jo vetëm destinacioni kryesor i huamarrjes, por edhe fusha ku bankat shqiptare kanë përqendruar pjesën më të madhe të ekspozimit të tyre financiar.

Vetëm pak ditë më parë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në raportimin në komisionet parlamentare në Kuvend tha se Banka e ka trajtuar rritjen e kredisë për pasuri të paluajtshme si burim të mundshëm rreziku për stabilitetin financiar dhe ka forcuar mbledhjen dhe analizën e të dhënave për kreditë për banesa, prona tregtare, ndërtues dhe projekte imobiliare

Për të frenuar ekspozimin prej 1 viti Banka e Shqipërisë ka caktuar kufizime për kredinë për blerje banese, nga 85% deri në 70%.

1 Komente

  1. T
    Toni

    'Shifra është rritur në nivele rekord dhe sot më shumë se gjysma e portofolit të kredisë, rreth 52%, lidhet me sektorin e pronave'. Shifra duket pak e larte. Le te shpresojme qe entet rregulluese te mos jene duke fjetur sepse sic duket jane. Nuk eshte fare shendetshme per nje ekonomi qe sektori i ndertimit te marri 52% te githe kredive. Eshte budallek dhe tregon qe kredite nuk po jepen sa duhen ne sektore te tjere dhe do te krijoje probleme ne te ardhmen qe mund te rrezikojne gjithe ekonomine.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje