Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka reaguar pas deklaratave të ish-zëvendësministres së Financave, Irena Beqiraj, e cila kishte ngritur pikëpyetje mbi burimet e hyrjeve valutore në ekonominë shqiptare dhe ndikimin e tyre në forcimin e lekut.
Përmes një reagimi, Ibrahimaj hodhi poshtë pretendimet e Beqirajt, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe duke argumentuar se forcimi i monedhës shqiptare lidhet me faktorë ekonomikë të dokumentuar, si rritja e turizmit, investimet e huaja direkte, remitancat, eksportet dhe të ardhurat nga puna.
Ministrja u ndal fillimisht te shifra prej 8.5 miliardë eurosh, e cila ishte vënë në diskutim nga Beqiraj.
Postimi i plotë:
Ah Irena, 8.5 miliardët nuk i gjen “botanika”. I gjen aritmetika.
E dashur Irena, uroj të jesh mirë me shëndet, se u bënë shumë kohë që nuk jemi parë dhe besoj se të ka marrë malli edhe ty si mua, përderisa më kishe nxjerrë me emër në këndin e fletë-rrufeve të tua.
Po unë nuk kam një fletë-rrufe për ty, sepse nuk kam mllef me askënd. Pastaj do të ishte e tepërt që, pasi njësoj si shumë të tjerë edhe ti u promovove në detyra të larta nga Kryeministri, të të pyesja pse je kaq e mllefosur sa zemërohesh edhe me faktet.
Kështu që përqendrohemi te faktet, duke përfituar nga rasti që më dhe për të treguar se sa e ligë, përveçse absurde, është narrativa e “narko-zhvillimit”.
Fletë-rrufeja jote titullohej:
“Ku u gjend shifra 8.5 miliardë euro?”
Përgjigjja gjendet te vetë shifrat që janë shkruar po në brendinë e saj:
* 5.72 miliardë euro të ardhura nga turistët e huaj;
* 1.64 miliardë euro investime të huaja direkte;
* 1.12 miliardë euro remitanca.
5.72 + 1.64 + 1.12 = 8.48 miliardë euro.
Pra, e rrumbullakosur:
8.5 miliardë euro.
Thjesht aritmetikë.
Vazhdojmë.
Nga 5.72 miliardë eurot që të huajt shpenzuan në Shqipëri, fletë-rrufeja jote zbret në 3.04 miliardë eurot që shqiptarët shpenzuan jashtë, por harron se mbetemi te 2.68 miliardë euro bilanc pozitiv i udhëtimeve.
Bilanci neto është tregues real dhe i rëndësishëm, por ai nuk e zhduk faktin se në ekonominë shqiptare kanë hyrë 5.72 miliardë euro nga jorezidentët.
Njësoj si për një familje që merr 2,000 euro të ardhura dhe shpenzon 1,000 euro nuk mund të thuhet se ka marrë vetëm 1,000 euro, edhe për Shqipërinë në këtë rast vlen e njëjta gjë.
Familja ka marrë 2,000 euro dhe ka shpenzuar 1,000 euro.
Shqipëria ka arkëtuar 5.72 miliardë euro nga shpenzimet e jorezidentëve, ndërsa rezidentët shqiptarë kanë shpenzuar 3.04 miliardë euro për udhëtime jashtë vendit.
Pra shifra e parë është hyrje valutore. E dyta është dalje valutore. Kjo është arsyeja pse bilanci i pagesave i regjistron veçmas.
Por edhe nëse zgjedhim të rrimë vetëm te rezultati neto, për hir të diskutimit konstruktiv, përsëri kemi një fakt të qartë:
Hyrjet nga udhëtimet ishin 5.72 miliardë euro, ndërsa daljet 3.04 miliardë euro.
Pra, hyrjet ishin rreth 2.68 miliardë euro më të larta se daljet dhe afërsisht 1.9 herë më të mëdha.
Kjo diferencë pozitive është pikërisht një nga burimet e konsiderueshme të shtimit të ofertës së euros në tregun shqiptar dhe, rrjedhimisht, e presionit që ka forcuar lekun.
Ndërsa rritja e shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit nuk mund të paraqitet automatikisht si zhvillim negativ, sepse pastaj rrezikojmë të bëhemi qesharakë.
Nëse qytetarët e këtij vendi udhëtojnë më shumë jashtë, kjo tregon, ndër të tjera, se kanë më shumë mundësi financiare për të udhëtuar, konsumuar dhe blerë shërbime.
Kujdes, nuk po them se ky tregues mjafton i vetëm për të matur mirëqenien, por është, ndër të tjera, një tregues që përputhet me rritjen e të ardhurave dhe me zgjerimin e mundësive të konsumit të familjeve shqiptare.
Nga ana tjetër, fakti që daljet valutore janë rritur nuk e rrëzon argumentin mbi forcimin e lekut, sepse në zërin e udhëtimeve hyrjet kanë mbetur dukshëm më të larta se daljet.
Më pas fletë-rrufeja jote ofron një veprim tjetër.
Nga 1.64 miliardë euro investime të huaja direkte hiqen fitimet e riinvestuara, sikur kapitali që kompanitë e huaja zgjedhin ta mbajnë dhe ta investojnë përsëri në Shqipëri të mos ishte më investim.
Por po të kujtoj diçka që ti besoj se e di mirë: fitimi që një investitor i huaj mund ta transferonte jashtë vendit dhe zgjedh ta mbajë e ta riinvestojë në Shqipëri është pikërisht investim i huaj direkt, sipas metodologjisë zyrtare ndërkombëtare.
Ai nuk avullon vetëm sepse nuk erdhi me valixhe përmes kufirit, por mbetet në ndërmarrje, rrit kapitalin, financon aktivitetin, zgjerimin, pajisjet, punësimin ose shlyerjen e detyrimeve dhe regjistrohet si investim i huaj direkt.
Mund të bëhet një analizë më e ngushtë vetëm për kapitalin e ri të ardhur fizikisht nga jashtë. Por kjo është tjetër pyetje.
Ndërkohë, nuk mund të ndryshohet përkufizimi i investimeve të huaja vetëm sepse totali zyrtar nuk i përshtatet përfundimit që kërkon zemërimi me faktet.
Edhe dy fjalë për lekun:
Forcimi i lekut nuk shpjegohet nga një faktor i vetëm. Ai lidhet me raportin mes ofertës dhe kërkesës për valutë, ku ndikojnë:
* të ardhurat nga turizmi;
* investimet e huaja direkte;
* remitancat;
* eksportet e mallrave dhe shërbimeve;
* të ardhurat nga puna.
Banka e Shqipërisë e ka lidhur forcimin strukturor të lekut me përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë, rritjen e turizmit, remitancave, investimeve të huaja dhe eksporteve.
Ajo ka theksuar gjithashtu se oferta e lartë e valutës ka qenë faktor themelor i mbiçmimit të lekut.
Por ka edhe një element tjetër që nuk mund të anashkalohet: tregu valutor shqiptar është relativisht i vogël dhe i cekët.
Në një treg të tillë, një rritje e fortë e ofertës së euros nga turizmi, investimet dhe remitancat mund të japë efekt më të shpejtë dhe më të dukshëm mbi kursin sesa në një ekonomi me një treg shumë më të madh dhe më likuid.
Cektësia e tregut nuk është vetë burimi i valutës dhe nuk zëvendëson faktorët ekonomikë themelorë, por ajo mund ta amplifikojë efektin e tyre, si në rastin e Shqipërisë.
Me fjalë të tjera, në një treg të vogël nuk nevojiten flukse të pafundme apo “miliarda misteriozë” që raporti mes ofertës dhe kërkesës të ndryshojë.
Mjafton që oferta shtesë e euros të jetë e madhe në raport me volumin e tregut.
Shqipëria nuk është as vendi i parë, as ekonomia e vetme në proces konvergjence që përjeton forcim të kursit real të këmbimit.
Në ekonomitë që afrohen gradualisht me nivelet e të ardhurave dhe produktivitetit të vendeve më të zhvilluara, rritja më e shpejtë e produktivitetit në sektorët konkurrues shoqërohet zakonisht me rritje pagash dhe çmimesh edhe në pjesën tjetër të ekonomisë.
Po e ndërpres këtu, e dashur Irena, sepse unë as nuk mund të bëj sikur nuk e di që ti i di të gjitha këto, as nuk dua të të bëj të ndihesh keq në sytë e atyre që i dinë këto njësoj, apo edhe më mirë se ne.
Uroj të jesh mirë me shëndet dhe faleminderit që më kujtove, edhe për nevojat e këndit të fletë-rrufeve të tua.
Por nuk rri dot pa ta thënë se sot më dukesh në të njëjtin rresht mendimi me Tabakun, Këlliçin dhe Dervishin.
Ke qeshur edhe ti shumë me ta.
Me të drejtë.
Këto prralla tregoja fëmijëve tek Teatri i Kukullave,se të rriturit nuk mund ta besojnë. 5 vjet më nuk kishte remitanca ?Por valutat nuk zhvleftësoheshin. Mashtrues dhe vetëmashtrues industrialë.
Ok z.Ministre, me te gjitha cfar spjegon jemi ok. Te besojme pasi shifrat flasin vete dhe nuk i kundershton dot. As Irena nuk ka cfar te beje megjithe mllefin e saj. Une dua nje spjegim nga ana juaj. Sigurimet Shoqerore bejne nderprerjen e pensionit suplementar, te paguar 25 vjet nga rroga e individit sepse ky i fundit punon dhe paguan perseri kontribute, te cilat nuk shtohen ne pensionin e pleqerise. E para : perse nderpresin pensionin suplementar pa njoftuar me pare. E dyta : Ligji thote qe ky pension nderpritet vetem me vendim gjykate. Pse Sigurimet Shoqerore e nderpresin arbitrarisht pa vendim gjykate. E treta: Ligji thote qe pensionin suplementar te paguar nga rroga e individit nuk mund ta nderpresesh kur pensionisti punon, vetem ate te paguar nga shteti. E katerta : A e dini ju z.ministre se te gjithe qe e kane derguar kete ceshtje ne gjykate e kane fituar ? Besoj e dini pasi shteti i paguan te gjithe keto para qe duhet t’i paguaj cdo muaj, i paguan ne nje here. A nuk eshte e udhes qe te rregullohet ligji dhe atij qe i takon te mos I mbahen parate e paguara me vite nga rroga e tij sepse punonjesit tuaj jane te paafte te interpretojne ligjin dhe pensionistet sillen verdalle me vite neper gjykata per te marre leket qe i kane te vetat Dergoni nje material ne qeveri dhe rregullojeni kete pune se pensionistet do vdesin dhe leket e veta ndoshta nuk do arrijne t’i marrin.