“Figura të dala boje” i konsideron Harris Morana të zgjedhurit e rinj në strukturat drejtuese në PD. I njohur si një ndër demokratët e orëve të para të themelimit të PD-së, madje i plagosur në ngjarjen e 2 prillit 1991 në Shkodër, Morana shpreh dëshpërimin dhe zhgënjimin e thellë për atë që Berisha e quan “ripërtëritje të PD-së” me zgjedhjet e dy ditëve më parë. Në një intervistë për Tema, Morana thotë se nuk është ripërtëritje, por më shumë një përpëlitje për të shtyrë ditët drejt fundit të pashmangshëm të një partie që lindi si shpresë lirie për shqiptarët. "Berisha, si një ndër themeluesit kryesorë të PD-së, me sa duket kërkon ta varrosë vetë Partinë Demokratike", thotë Morana, duke sqaruar se ndryshimet e shpallura në drejtimin e partisë nuk janë as reformë dhe as hapje. Ato janë vetëm riciklim i figurave dhe ruajtje e të njëjtit model drejtimi që, sipas tij, e ka çuar PD-në nga një humbje në tjetrën.
"Nuk është problem mosha", thotë ai, duke rrëzuar argumentin se zgjedhja e figurave të reja nën 35 vjeç përbën një frymë të re. Sipas Moranës, drejtuesit realë mbeten të njëjtët, ndërsa shumë prej të rinjve të promovuar sot janë njerëz që dikur kanë qenë kundërshtarë të Berishës, e madje nuk kanë kursyer as sulme shumë të ashpra ndaj tij. Sot, sipas tij, ata janë shndërruar në "ushtarë të bindur", por pa peshën dhe karakterin për ta nxjerrë Partinë Demokratike nga kriza.
Morana thotë gjithashtu se këto zhvillime të fundit, të zgjedhjeve të komanduara nga Berisha në PD, legjitimojnë edhe më shumë sloganin që u dëgjua në protestat qytetare: "Rama në burg, Berisha në burg". Ai kujton se protestat e ditëve të para qytetare, që kërkonin largimin e gjithë elitës politike të tri dekadave, shpejt u përvetësuan nga politika dhe e humbën disi atë ndjesinë qytetare të ditëve të para.
Ai nuk pret që brenda grupit parlamentar apo strukturave drejtuese të ndodhë asgjë demokratike dhe asnjë zhvillim që të ndryshojë realisht mënyrën se si funksionon partia.
"Imagjinoni një njeri që ka aderuar 35 vjet në Partinë Demokratike, që i ka larë me gjak rrugët e Shkodrës për këtë parti, dhe sot të ketë përballë djalin e Fari Balliut", thotë Morana, duke iu referuar faktit se Fari Balliu në kohën e diktaturës shkruante poezi për Enver Hoxhën. Për Moranën, kjo është një tablo që shpjegon më mirë se çdo analizë zhgënjimin e demokratëve të brezit të parë, të cilët sot ndihen të huaj në partinë që dikur e konsideronin shtëpinë e tyre politike
E njoh Harrisin, njeri i mire dhe me intelekt. Besnik i çeshtjes se lirise dhe demokracise. Ato qe thote, jane te verteta. Do ti duhet shume pune, ketij shkodrani qe ka sakrifikuar per PD, te spikase dhe te arrije ndryshime, nuk diskutohet bashke me te tjeret qe e mendojne si ai. Pune te mbare.