“Nuk është më koha për triumf.”
Përkthimi i drejtpërdrejtë i titullit me të cilin gazeta Izvestia komentoi shkarkimin e ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, mund të përfaqësojë një pjesë të një tabloje më të gjerë.
Por, duke hyrë më thellë në atë pjesë të opinionit publik rus që gjithnjë e më shpesh përpiqet të analizojë realitetin aktual pa përqafuar plotësisht vijën e Kremlinit, shfaqen dyshime dhe pasiguri.
Mund të marrim si shembull gazetën Moskovsky Komsomolets, një botim tradicionalisht besnik ndaj linjës zyrtare, e cila këtë herë nuk fshihet pas stereotipeve të zakonshme të propagandës. E pyetur nëse duhet të gëzohet për dorëheqjen e Fedorov, gazeta përgjigjet:
“Ne përgjithësi, sigurisht që duhet t’i kemi zili kundërshtarët tanë për disa aspekte, madje edhe të ndjekim shembullin e tyre për të tjera. Shikoni Fedorov. Ai është 35 vjeç dhe nuk është rastësi që u përplas me gardën e vjetër. Është e pamohueshme se ai ka arritur disa suksese”.
Vetëm pak muaj më parë, një vlerësim i tillë për një zyrtar ukrainas do të ishte i pamundur të botohej në Rusi.
Kjo nuk është një pikëpamje e izoluar. Edhe Aleksander Kots, një prej blogerëve më të njohur të luftës në kampin pro-rus, tashmë komentator i gazetës së vjetër Komsomolskaya Pravda, e ka të vështirë të shpallë fitoren.
“Pas protestave të papritura, brenda vendit dhe nga Perëndimi, Zelensky nxori nga kapela Yevhen Khmara, kreun në detyrë të SBU-së (shërbimit të sigurisë ukrainase), gjeneral dhe komandant i njësisë Alfa. Njësia e tij është përgjegjëse për disa nga ‘operacionet speciale’ më të përgjakshme të regjimit të Kievit kundër civilëve. Masakra në sallën e koncerteve Crocus më 22 mars 2024. Vrasja e Darya Dugina-s pranë Moskës. Shpërthimet në urën e Krimesë. Organizimi i operacionit ‘Rrjeta’: sulmet me dronë ndaj aeroporteve tona strategjike më 1 qershor 2025”.
Kots shton se Khmara publikisht përdor vetëm një gjuhë: “pushtues”, “agresion rus”, “operacionet tona speciale po rishkruajnë manualet e shërbimeve sekrete në të gjithë botën”. Sipas tij, ai është një zyrtar që nuk e konsideron negociimin si çështje për diskutim dhe për të cilin viktimat civile janë vetëm “dëme anësore”.
“Çfarë do të thotë kjo për ne? Ministria ukrainase e Mbrojtjes nuk do të drejtohet nga një reformator, por nga dikush, profesioni i të cilit është kryerja e atentateve dhe vrasja e civilëve në territorin tonë”, shkruan ai.
Prania gjithnjë e më e madhe e dyshimeve ndaj rezultateve të lavdëruara të luftës është një zhvillim i kohëve të fundit. Ajo tregon diçka për gjendjen shpirtërore të opinionit publik rus në këtë periudhë.
Roman Aliokhin, një prej blogerëve patriotikë më të moderuar dhe për këtë arsye i shpallur nga autoritetet si “agjent i huaj”, shkon edhe më tej, duke shprehur hapur mosbesim ndaj aftësive të aparatit ushtarak rus.
“Çfarë dhe kush na sjell përfitim në drejtimin e një vendi që është në luftë me ne? A nuk do të ishte më keq nëse Fedorov do të rrëzonte Zelenskyn, të cilin të paktën e njohim mirë? Në çdo rast, ky është pikërisht momenti kur mund dhe duhet të fusim një pykë në çarjen ukrainase që po hapet. Kështu do të vepronte një ekspert i luftës hibride. Do të ishte një dhuratë për ne. Sikur vetëm të dinim si të zhvillonim një luftë hibride”.
Sipas analizës, tashmë duket sikur në Rusi ekzistojnë dy linja të dallueshme mendimi.
E para është ajo e përcaktuar nga autoritetet dhe e përfaqësuar qartë nga RIA Novosti, si zë i drejtpërdrejtë i pushtetit:
“Rrethi i atyre që lejohen të arrijnë te ‘korita’ ukrainase po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Kështu, kur kafshët gjenden në një gropë, fillojnë shpejt të hanë njëra-tjetrën. Ju bëftë mirë, dhe së shpejti do t’ju dërgojmë Geranët tanë”.
(Geran është emri që Rusia përdor për dronët e saj të rëndë të sulmit.)
Pastaj janë ata që po vëzhgojnë situatën përreth dhe, brenda kufijve që u lejohen, po përpiqen të përballen me realitetin.
Lini një Përgjigje