Baroni i drogës që drejtoi kartelin “Sinaloa” dënohet me burgim të përjetshëm

20 Korrik 2026, 22:25Bota TEMA
Baroni i drogës që drejtoi kartelin “Sinaloa” dënohet

Ismael Zambada García, i njohur si “El Mayo” dhe një nga trafikantët më të fuqishëm të drogës në botë, është dënuar me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht nga një gjykatë federale në Bruklin, Nju Jork.

76-vjeçari, bashkëthemelues i kartelit famëkeq Sinaloa së bashku me Joaquín “El Chapo” Guzmán, u shpall fajtor për drejtimin e një organizate kriminale të vazhdueshme, një akuzë që përfshinte 85 shkelje të ligjit. Ai kishte pranuar fajësinë në muajin gusht të vitit të kaluar dhe kishte rënë dakord me dënimin e përjetshëm, si edhe me konfiskimin e pasurisë në vlerë 15 miliardë dollarë.

Gjykatësi federal Brian Cogan vendosi dënimin me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.

“Ismael Zambada García kaloi pothuajse katër dekada duke helmuar komunitetet amerikane për të fituar miliarda dollarë dhe duke urdhëruar vrasjen e kujtdo që i dilte përpara. Sot, ai kapitull mbyllet përgjithmonë”, deklaroi Prokurori i SHBA-së për Distriktin Lindor të Nju Jorkut, Joseph Nocella Jr.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, prokurorët e cilësuan shkallën e krimeve të tij si të jashtëzakonshme, duke theksuar se ndikimi i aktivitetit kriminal u shtri në Meksikë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës. Sipas pranimit të fajësisë, Zambada pranoi përgjegjësinë për trafikun e të paktën 1.5 milionë kilogramëve kokainë, si dhe sasive të mëdha heroine dhe fentanili.

Autoritetet amerikane theksuan gjithashtu se ai paraqet rrezik të lartë sigurie, pasi shumë anëtarë të kartelit mbeten besnikë ndaj tij, përfshirë edhe një nga djemtë e tij, i cili vazhdon të drejtojë një fraksion të kartelit Sinaloa.

Nga ana tjetër, mbrojtja argumentoi se pranimi i fajësisë shmangu një proces të gjatë gjyqësor dhe mbrojti sigurinë e dëshmitarëve, të cilët nuk do të detyrohen të dëshmojnë në gjykatë.

Në një deklaratë të bërë para shqiptimit të vendimit, “El Mayo” pranoi dëmet e shkaktuara nga trafiku i drogës dhe dhuna e organizatës që ai drejtonte.

“E pranoj dëmin e madh që drogat e paligjshme u kanë shkaktuar njerëzve në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe vende të tjera. Gjithashtu e pranoj koston njerëzore të dhunës dhe paligjshmërisë së organizatës sime kriminale. Marr përgjegjësinë për rolin tim dhe kërkoj falje nga të gjithë ata që kanë vuajtur ose janë prekur nga veprimet e mia”, deklaroi ai.

Lini një Përgjigje